Korça ditët e fundit është mbipopulluar nga shumë vizitorë të cilët janë bërë pjesë e aktiviteteve të larmishme. Ndër to më e veçanta është ekspozita etnografike me kostume popullore të zonës së Korçës, Dardhës dhe Kolonjës. Disa kostume origjinale e të tjera të krijuara, kanë shpalosur kulturën e zonave.
Për kuratoren Lirika Pojani, njëherazi dhe artizanen e disa prej veshjeve, kjo ekspozitë tregon vlerat krahinore, dhe trashëgiminë.
“Jam munduar të sjell Korçën. Kam sjell Kolonjën, kam sjell Dardhën që është simboli e nuk do të mungonte në kostumet. Dhe jam në vazhdimësi, sepse zona e Korçës ka shumë kostume të pa shkelura”.- tha Lirika Pojani, artizane.
Për kuratoren rikthimi i këtyre veshjeve tradicionale në origjinalitet është i vështirë për shkak të lënies në harresë.
“Në kohën e sotme që i kam punuar kostumet nuk mund të sjell atë shajakun e atyre viteve, sepse janë zhdukur. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka vlerë, bashkë me materialin e shajakut që unë kam bërë zibunën. Kështu vazhdojmë që në zibuni, ashtu te fustani. Ata kanë vërtetësinë e tyre dhe janë me të gjitha elementët siç kanë qenë dikur”.- u shpreh Pojani.
9 kostumet popullore janë ekspozuar në një ambient të dekoruar me orendi tradicionale dhe do të qëndrojnë aty gjithmonë, pse jo dhe për t’u riprodhuar si modele.