Nga sondazhi i fundit që zhvillova për Report TV ( Lexo këtu), rezultoi se 36.3% e zgjedhësve që jetojnë në Shqipëri do të votonin sot për PS-në. Por meqë pothuaj 4 ndër 10 banorë të rritur nuk do të votonin fare, rezultoi se PS-ja do të merrte 57.1% të votave të atyre që do të merrnin pjesë në zgjedhje.
Dhe ky është një problem madhor për opozitën (e çdo ngjyre qoftë)!
Në zgjedhjet e fundit parlamentare (më 2021), pothuaj 80% e zgjedhësve të këtushëm morën pjesë në zgjedhje, dhe PS-ja mori më pak se gjysmën e votave të pjesëmarrësve. Ndërsa nëse votohet sot, pjesëmarrja do të ishte shumë më ulët se më 2021 – vetëm 63.5% e zgjedhësve të këtushëm do të merrnin pjesë në zgjedhje. Dhe plot 57.1% të votave të këtyre që do të votonin, do t’i merrte PS-ja.
Pra firoja e pjesëmarrjes së zgjedhësve vendas (krahasuar me 2021) është e përqendruar në mënyrë dërrmuese tek elektorati opozitar!
Teksa numri i votave për PS-në është pothuaj i betonuar statistikisht ndër vite rrotull 800 mijve, votat aktuale për partitë opozitare (edhe sikur të bashkohen me magji në një front gjithëpërfshirës opozitar) mund të prodhojnë maksimumi 60 mandate parlamentare, ndaj 80 mandate të PS-së (kjo, vetëm nëse adoptohet një sistem elektoral propocional kombëtar pa prim dhe pa prag).
Ndërkohë, me sistemin aktual rajonal me 12 zona (qarqe), PS-ja mund të shkojë deri në 90 mandate me votat e saj të sotme…
Shënim: Teksa 36.3% (ose rreth 740 mijë) zgjedhës që jetojnë në Shqipëri do të votonin sot për PS-në, 39.5% (ose rreth 805 mijë) janë aktualisht simpatiztë të Ramës. Berisha është me distancë në vend të dytë, me rreth 300 mijë simpatizantë.