TIRANË- Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, do të shpërbehet dhe rrjedhimisht do pushojë së funksionuari në qershor të vitit 2022, ndërkohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Pika 8 e nenit 179/b të Kushtetutës parashikon që mandati i anëtarëve të Komisionit të Vetingut është 5-vjeçar dhe pas këtij afati Komisioni shpërbëhet. 12 anëtarët e KPK-së janë zgjedhur në qershor të vitit 2017, që do të thotë se detyra e tyre përfundon në qershor të 2022.
Kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet Kushtetuese në 22 korrik 2016, duke projektuar drejtësinë e re, nuk e kishte parashikuar që procesi i verifikimit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kishte një ritëm kaq të ngadaltë, ku sot, rreth 400 subjekte nuk kanë kaluar ende në filtrin e trefishtë të Vetingut.
Me këtë ritëm, edhe pse Kuvendi ka shtuar herë pas herë stafin e KPK-së, deri në qershor 22, parashikohet të mbeten pa iu nënshtruar Vetingut 40-35 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesisht të shkallës së parë. Pas qershorit 2022, sipas Kushtetutës, kompetenca e procesit të Vetingut i kalon Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët.
Për të marrë ‘stafetën’ e Vetingut, KLGJ dhe KLP duhet të rekrutojë stafin me ndihmës ligjorët dhe ekspertët, të cilët do të përgatisin dosjet për secilin gjyqtar dhe prokuror. KLGJ dhe KLP janë dy qeveritë e drejtësisë në Shqipëri dhe si të tilla, marrja përsipër e procesit të Vetingut, do të ishte një ngarkesë ndoshta e papërballueshme.
E vetmja zgjidhje është zgjatja e mandatit të Komisionit të Vetingut deri kur të verifikohet gjyqtari dhe prokurori i fundit. Por, zgjatja e mandatit mundësohet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës. Dhe për ndryshimin e Kushtetutës është vendimtare vota e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët janë nën influencën e Sali Berishës, një kundërshtar i përbetuar i procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi në tërësi.
Gjithsesi kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD Lulzim Basha kanë shkëmbyer ditët e fundit disa mesazhe në distancë për nevojën e bashkëpunimit për reformat. Mbetet për t’u parë nëse opozita dhe maxhoranca do ta gjejnë gjuhën e përbashkët për të ‘shpëtuar’ procesin e Vetingut, për të çuar deri në fund aksionin historik për pastrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Në qershor 2022 përfundon edhe mandati i Komisionerit Publik, i cili ankimon vendimet e KPK-së në Kolegjin e Apelit kur e sheh se ka shkaqe ligjore. Kompetenca e Komisionerit i kalon kreut të SPAK. Ndërsa mandati i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbaron në vitin 2026.