Pikërisht atë ditë që politikani Basha shpalli me bujë se do të ndërmarrë nismën për një Vetting të politikës, media të ndryshme nxorën edhe pamje të së dashurës së birit të ish-shefit të qeverisë që, në një copë parajse greke, Mykonos, bënte pushimet e saj, e ftuar si “ambasadore” e një firme shampanje të njohur.
Sikur asgjë tjetër të mos ishte e dukshme për hipokrizinë e një klase politike që e bënë atë një lloj burse financuese, do të kishte mjaftuar kjo “përballje”, mes shefit de jure të opozitës dhe familjes de fakto të saj, për të pasur në mendje se çfarë kanë parasysh këta pinjollë të së keqes dhe se çfarë synojnë të bëjnë.
Vetting-u i politikës është thënë tash sa e sa vite nga njerëzit e zakonshëm. Të paktën tash 10 vite njerëzit e kërkojnë atë dhe kur nuk e gjejnë, nuk çfarë të bëjnë tjetër, veçse të ndërrojnë qeveritë, gjithnjë me shpresën se këta që po vijnë, do ua nxjerrin ujët e zi pasurimit hajdutshe të atyre që ikën.
Nuk e bëri këtë as Berisha, kur erdhi në pushtet në vitin 2005, ble disa i mbajti aq afër sa që edhe sot përmallohen për kohën kur ishin bashkë në shtratin e pushtetit. Berisha shkoi edhe më tej: ai, duke u bërë mbrojtës i harbimit politik e financiar të familjes së tij, mblodhi rreth vetes një grusht parazitësh të deri atëhershëm dhe ndërtoi një piramidë politike rrëngjellëse, e cila, sa më shumë ngrinte majën e saj, aq më tej fundoste ata që e kishin ngritur. Përtallja e shpresave shkoi edhe më tej, në një cinizëm të hapur, kur ai, i pari i qeverisë, pa asnjë drithërimë e as ndjenjë përgjegjësie fajtonte njerëzit që e kishin besuar në ligjëratën e tij kundër Nanos, pasi ”kishin qenë akuza në kohë fushate”.
Edhe Rama erdhi në pushtet, pikërisht nga e njëjta gjë: besimi se do u nxirrte ujët e zi një grupimi qeveritar, i cili pasi vodhi, hodhi në erë, vrau dhe mashtroi, kërkoi të bënte dhe e bëri në fakt, aktin e fundit të atdheshitjes, marrëveshjen e detit me shtetin grek.
Edhe Rama nuk e mbajti fjalën e tij. Njeriu që pritej të ishte frymëzuesi i një tjerrje të politikës fatkeqe, në fakt, gjithnjë e më shumë, po bëhet tjerrësi i një tragjedie të re: humbjen e besimit dhe bjerrjen e së ardhmes. Për disa pak vite, gjithë çka ishte mishëruar në ardhjen e pushtet të Ramës, mjerisht, në një shumicë të ndjeshme, është shndërruar në një gërmadhë besimi dhe, nëse do të vazhdojë kështu edhe në tri vitet pasuese, gjithçka do të jetë tepër e mjerueshme.
Si duket, edhe sot e kësaj dite, klasa politike, në fakt paraklasa politike, përcaktim i Moikom Zeqos, është të paktën dhjetë vite më pas se sa njerëzit e zakonshëm.
Për çfarë e kërkon Basha Vetting-un e politikës? Për se shefi i qeverisë, Edi Rama, i tha aq me ngut “posi, hajde, e bëjmë dhe e fillojmë nga vetja”.
A nuk ka pasur deri tani ky shtet, kjo qeveri, këto institucione, mekanizma kontrolli mbi klasën politike, mbi ministrat, zëvendësit, drejtorët, shefat e policisë, gjykatësit, prokurorët, presidentët, shefat e qeverisë dhe të opozitës?
Strukturat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mjaftueshme, por e vërteta është se këto ligje dhe dispozita ligjore janë bërë si llastikët e dikurshëm të çorapeve të grave, mund t’i tërheqësh sa të duash dhe si të duash. Ajo që po ndodh me sistemin e drejtësisë, ku gjysma e arkës janë fruta të prishura dhe gjysma tjetër e ka në vete një pjesë të prishur ,por të pazbuluar, tregon se e keqja ka ardhur nga sipër, si ai peshku që qelbet nga koka.
“E ndershme është, thanë për një vajzë në pragun e fejesës, veçse pak shtatzënë”. I mirë edhe propozimi i Bashës dhe amendamentet që ka nisur në parlament, veçse hesapet tregojnë se pazari u bë pa hanxhinë.
Njerëzit e zakonshëm kërkojnë shkundje të fuqishme të botës së politikës. Në të gjitha anët. Nga të gjitha drejtimet. Për të gjitha kohërat. Nga akti i parë i shkatërrimit e deri tek vjedhjet masive. Nga vrasja e parë , më heret se ajo e 2 prillit në Shkodër dhe deri tek tentimi për një puç parlamentar në dhjetorin e vitit të shkuar. Që nga vjedhjet masive në Rrugën e Kombit e deri tek koncesionet e sotme. Që nga lejet politike për të burgosur, të cilësuar “të fortë” në pragun e zgjedhjeve të vitit 2009, dhe në shumicën e tyre këto ishin vrasës, e deri tek urdhëri për të vrarë me 21 janar. Që nga orët e shtrenjta në duart e tyre, floririn e grave dhe salltanetet e burrave dhe deri tek vilat në Gjirin e Lalzit. Aq sa ka kushtuar një udhëtim i Zenit të berishajve është paga vjetore e një hallemadhi. Aq sa kushtuar studimet jashtë shtetit të Nishan-llive janë pagat e tre vjetëve të një punëtori. Të kërkosh Vetting për pasurinë, ndërsa bijtë e bijat e politikës zbaviten nëpër resorse luksoze është pak të thuash se po tallen me fukarenjtë. Është e vështirë të gjesh një dorë me njerëz të politikës fëmijët e të cilëve janë diplomuar apo studjuar në këtë vend, megjithëse prej atje mund të kenë ardhur edhe shumë të përgatitur,por edhe karabushë të klasit të parë parlamentar.
Vetting-un, njerëzit e zakonshëm nuk e perceptojnë dot si një luftë klanesh brenda politikës, si e ka shtruar Basha dhe si e shtron edhe sot e kësaj dite, ku, megjithë korrigjimet që kishte harruar “pa dashje” për kontrollin pasuror, përsëri të kujton dëshirën e fshehur për krijimin e një strukture paralele, e cila, duke larë duart, shpëton edhe mëkatet.
Kush do e bëjë këtë Vetting?
Rama dhe Basha? Ata kanë sjellë një dëshmi që për hatër të pushtetit mund të bëjnë rrokada të forta politike, si në zgjedhjet e shkuara të qershorit 2017. Mund ta ndajnë tepsinë në dy pjesë dhe të mos lënë të afrohet kurrsesi një i tretë, ndërsa pjesa e popullit mbetet si ato kojet anësore të byrekëve.
Basha dhe Rama nuk bëjnë dot Vetting në politikë, pasi janë objekt i hetimit. Ndoshta objekti i parë i hetimit.
Do e bëjnë gjykatësit? Cilët? Për të gjetur një të saktë mes tyre duhet t’i biesh rreth e qark gjithë korpusit të drejtësisë: Nëse, deri në vitin 2013 drejtësia ishte shtroja e poshtme e pëdëistëve, a nuk mund të jenë sot mbulesa e rilindasve?
Shpejtimi i Bashës, bashkëngjitur edhe Ramës, që në fakt nuk kishte se si ia bënte ndryshe, për të krijuar Vetting-un e tyre, kur edhe pak kohë ka mbetur për t’u ngritur strukturat ndërkombëtare të rëndësishme në luftën e tyre kundër krimit, më shumë se gjithçka tjetër duket se u thotë atyre, “Sikter, ne jemi vetë këtu”, dhe, pastaj, njëra dorë do të lajnë tjetrën dhe të dyja do të dalin me faqe të zbardhur.
Kush do e kontrollojë këtë Vetting politik për krimin e skajshëm dhe për harbimin e pasurisë?
Komisionet parlamentare?
Si ai i Tahirit që nuk u mblodh asnjëherë dhe vetëm kur i erdhi veza për të dalë kërkuan kohë të kakarisin edhe një herë? Ka ndonjë njeri në këtë vend që beson tek një Komision Parlamentar, që, edhe kur mblidhet për vrasjet e 21 Janarit fajëson të vrarët se ishin me duar në xhepa?
Një Parlament që nuk ka forcë as të mbledhë një Komision parlamentar të dorës së parë, si ai i ligjit për zgjedhjet, kusht i domosdoshëm për integrimin, si mund të ngritë sinqerisht e seriozisht një kontroll mbi veten.
Më shumë se sa punë serioze, i ngjan asaj fjalës së vjetër “më ka çue nana, me la gojën”.
Një Vetting i bërë kështu, shpejt e shpejt, jashtë pranisë ndërkombëtare dhe jashtë monitorimit të tyre, është një hiç. Një asgjë. Një përtallje e re mbi pritshmëritë. Një alibi, që mund të bëhet e përbashkët dhe që mund të sjellë jo pak mëri dhe zemërim.
Vettingu në politikë është një domosdoshmëri. Për fat të keq ne kemi një klasë parapolitike, e cila nuk mënon të vjedhë, të pasurohet marramendshëm, të harbohet familjarisht dhe këtë ta quajnë si një virtyt.
Atëherë kush do të jetë objekt i këtij Vetting-u?
Vetëm qeveria e sotme, duke bërë një amnisti për të djeshmen?
Ligji i ri për drejtësinë përjashtoi nga kontrolli të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që do të largoheshin vetiu nga sistemi. Do të ishin jashtë Vetingut.
Po ata, që për mëri të një shefi partie , nuk janë më deputetë, shefa, ministra, shefa partie etj çfarë do të bëhet? Do t[ë jenë ata në qetësinë e tyre, sepse nuk janë më në politikë.
Njëri nga deputetët vrapoi të brohorasë se “unë jam sot me Lulin”, por me cilin Lul, atë që fshihet pas vrasjeve të 21 janarit dhe është ende një njeri – pjesë e botës së krimit, apo me Lulin që duke dashur të fshehë një të vërtetë të njohur, mund të sigurojë mbylljen e syve.
Muaj e vite u deshën të përgatiten të gjithë strukturat, ligjet dhe në fund miratimi i detyrueshëm i sistemit të drejtësisë.
Mos do i ngjajë kjo sfidë e nëndheshme asaj marrëveshje kushtetuese mes Berishës dhe Ramës për ndryshimet kushtetuese, ku shefi i partisë u bë zot e shkop dhe ku dinjiteti i shtetit u mor nëpër këmbë si një top rreckash?
Vetting-u i politikës është i domosdoshëm. Por ai duhet bërë i thelluar, deri në rrënjë, duke e hequr të keqen dhe duke ndjellë seriozisht si një dobi për vendin mendësinë e ndëshkimit ndaj së keqes, pavarësisht se nga cili ka ardhur dhe se kush e ka mbështetur.
Atëherë do të kemi një ligj të saktë, ndaj të cilit nuk do të zgërdhihet askush duke bërë pushime shampanjeze dhe duke u pasuruar pa punuar askund./ DITA
Karmina ka shkuar ne Mykonos per hajdarage...sypeshkaqeni u lodh i ngrati.
Përgjigju