Tre të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura paraditen e së enjtes në rrugët e Qarkut të Lezhës. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 9 e 30 minuta në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Mabë, ku një automjet tip ‘Audi’ u përplas me një kamper në të cilin udhëtonin një çift turistësh gjerman.
Nga aksidenti mbeten të plagosura dy vajza të cilët me lëviznin me autoveturën ‘Audi’. Ato u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin rajonal të Lezhës, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha njëra prej të cilave në gjendje më të rëndë për shkak të frakturave të marra në disa pjesë të trupit.
Pak minuta më vonë një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, pranë lagjes "Sakë". Një motoçikletë në të cilën lëvizte një 31-vjeçar u përplas nga një automjet i cili u largua nga vendi i ngjarjes.
Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i motoçikletës Marsido Pali, i cili u dërgua me urgjence në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku pas marrjes së ndihmës së para mjekësore mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia po punon për identifikimin e automjetit që përplasi motoçikletën si dhe zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre dy aksidenteve.
Në harkun kohor të dy ditëve në rrugët e qarkut të Lezhës kanë ndodhur 5 aksidente, me një bilanc të frikshëm 1 e vdekur dhe 8 persona të plagosur.