Superliga shqiptare e futbollit çeli këtë të shtunë javën e 12-të. Në "Arenën e Demave" në kryeqytet, Egnatia mposhti 0-1 Erzenin që ishte vendas. Për shkak se shijakasit nuk e kanë një stadium në kushtet e duhura, ai i Partizanit është bërë në ndeshjen e dytë shtëpia e tyre.
Rrogozhinasit ia dolën të merrnin tri pikë me vlerë, që i dërgojnë sërish në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes së rivalëve të Partizanit. Ndeshja nisi me ritëm dhe raste, ndërsa lojtarët në fushë ishin me fat pasi shiu i rrëmbyer i orëve të fundit kishte pushuar.
Pjesa e parë ishte pa histori, me skuadrat që i lanë gjithçka fraksionit të dytë. Duhej minuta e 54 që Zejnullai të kalonte në epërsi Egnatian me një gol të bukur. Fundi i ndeshjes ishte dramatik, me kryesoren Emanuela Rusta që edhe pas konsultës me VAR i dha karton të kuq mbrojtësit Fangaj, duke lënë për më shumë se shtatë minuta Egnatian me një lojtar më pak.
Në minutat e mbetura shijakasit e Deliallisit shtuan sulmet, teksa në fund pretenduan për një penallti, gjë që solli edhe protesta, por kryesorja nga Elbasani edhe pas konsultës me VAR mendoi se gjithçka ishte e rregullt, duke mbyllur 0-1 ndeshjen.
Kështu, Egnatia me 26 pikë mban kreun e renditjes, tre pikë më shumë se Partizani që ka dy ndeshje më pak. Erzeni me 13 pikë mbetet në vendin e tetë.
Superliga - java e 12-të:
E shtunë
17:00 Erzeni 0-1 Egnatia
E diel
13:30 Kukësi - Dinamo
17:00 Teuta - Laçi
17:00 Skënderbeu - Tirana
E hënë
18:00 Partizani - Vllaznia