Skënderbeu dhe Tirana barazuan 1-1 në stadiumin e Korçës për javën e 12-të në Superligë. Përballja u zhvillua mes qindra të pranishmëve, me skuadrat që ndanë nga një pikë në mënyrë spektakolare. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 27-të nga Ardit Nikaj, me shkodranin që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Në limitet e kohës së rregullt të pjesës së parë, Kaina barazoi rezultatin për 1-1. Pjesa e dytë ishte me raste në të dyja portat, me gardianët Aliaj dhe Kozi që u treguan vendimtarë me pritjet. Në fund dy skuadrat ndajnë nga një pikë, teksa Skënderbeu sheh ndeshjen e pestë që nuk fiton, duke mbajtur vendin e gjashtë me 14 pikë. Nga ana tjetër Tirana me 18 pikë është në pozitën e tretë, duke humbur kontaktet me kreun që mbahet nga Egnatia (26 pikë).
Pak para fundit të ndeshjes, autobusi i miqve po bëhej gati të shkonte pranë stadiumit për të marrë ekipin, teksa është sulmuar me gurë nga disa tifozë të Skënderbeut, duke shkaktuar dëmë materiale. Brenda në autobus nuk ka qenë askush përveç shoferit dhe për pasojë nuk ka të lënduar. Klubi i Skënderbeut është distancuar menjëherë nga kjo ngjarje.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Skënderbeu dhe Tirana ndajnë pikët, në Korçë sulmojnë autobusin e miqve me gurë! Teuta dhe Laçi 1-1, Kukësi e Dinamo 'thatë' në Superligë
S.Dh/ReportTv.al