Kombëtarja shqiptare e futbollit ka vijuar këtë të martë me ditën e dytë të përgatitjeve për Ligën e Kombeve. Në "Shtëpinë e Futbollit" në Tiranë, me ekipin janë bashkuar edhe Uzuni, Mihaj, Mitaj, Asani dhe Ardian Ismajli, me këtë të fundit që zëvendëson Berat Gjimshitin e dëmtuar. Enea Mihaj mbërriti pasditen e sotme në Tiranë dhe u la pushim nga stafi teknik.
Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Sylvinho së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike. Edhe në këtë seancë stërvitore me skuadrën u bashkuan disa lojtarë nga Kombëtarja U-21, Feta Fetai, Marcelino Preka, Adrion Pajaziti dhe Stiven Shpendi.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Ukrainës në transfertë më 7 shtator 2024, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë, ndërsa tre ditë më vonë do të presë në "Air Albania" përfaqësuesen e Gjeorgjisë, takim që është planifikuar të nisë më 10 shtator në ora 20:45.