FIER - Apolonia mundi sot 2-1 Vorën për javën e 11-të në Kategorinë e Parë. Goli i fitores për fierakët u shënua nga Asllanaj me penallti në minutën e 89-të të ndeshjes, me tifozët miq që janë acaruar me gjykimin.
Pas fundit të ndeshjes, miqtë nga Vora kanë hedhur stola dhe sende të forta në fushë, duke shpërthyer edhe rrethimin e stadiumit "Loni Papuçiu". Sipas njoftimit nga klubi vendas, një stol ka goditur edhe arbitrin e katërt Blerim Ziri, i cili për disa momente ka humbur ndjenjat.
"Në ndeshjen e luajtur sot në stadiumin “Loni Papuçiu” tifozët e FK Vora kanë goditur gjyqtarin e katërt, Blerim Ziri, me stol, i cili humbi dhe ndjenjat për disa momente. Ai mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor dhe pankina e FK Apolonia. Tifozët e FK Vora hodhën stola në fushë, shqyen rrethimin dhe hynë në fushë. Apolonia edhe pse me 10 lojtarë në fushë luajti shumë mirë dhe arriti të fitonte ndeshjen", njofton Apolonia.