Edon Zhegrova dhe Dusan Vlahovic

Sport

VIDEO/ Tetë gola në pjesën e dytë, spektakli në barazimin 4-4 mes Juventusit dhe Dortmundit! Debuton Zhegrova

17 Shtator, 09:17| Përditesimi: 17 Shtator, 09:24

  • Share

TORINO - Dueli mes Juventusit dhe Dortmundit për raundin e parë të fazës së ligës në Champions League dhuroi emocione të forta deri në limite, me skuadrat që ndanë nga një pikë pas barazimit spektakolar 4-4. Për "Zonjën e Vjetër" debutoi edhe Edon Zhegrova që shijoi dy gola për të tijtë në fushë.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, me bardhezinjtë më kërkues. Megjithatë fraksioni i dytë pa tetë gola, ndërsa 'valsi' nisi në minutën e 52 me Adeyemin nga jashtë zone, që i dha epërsinë Dortmundit. 11 minuta më vonë ishte Kenan Yildiz me një kryevepër 'all-Del Piero' që vendosi ekuilibrat, para se Nmecha disa sekonda më vonë të rikthente epërsinë te verdhezinjtë nga Gjermania për herë të dytë.

Vetëm pas dy minutash Vlahovic u përgjigj me barazimin 2-2, ndërsa Dortmundi riktheu epërsinë për herë të tretë me golin e Couto. Gjermanët do fitonin më pas një penallti dhe nga 11 metra largësi Bensebaini nuk do gabonte, duke i dërguar shifrat në 2-4.

Në këtë moment në fushë trajneri Tudor hodhi Edon Zhegrovën në vend të Kenan Yildiz (minuta 87-të), duke bërë që sulmuesi i Kosovës të debutonte me ekipin e ri para tifozëve të tij, ndërsa rikthehej në fushë pas një dëmtimi të gjatë prej nëntë muajsh.

Kur u duk se ndeshja do mbyllej në favor të miqve, Juventusi tregoi se nuk vdes kurrë dhe shënoi me Vlahovic dhe Kelly në minutat 90+4 dhe 90+6. Fantastik serbi Vlahovic me dy gola dhe një asist, me vetëm 32 minuta në fushë.

Në fund ndeshja përfundoi 4-4 mes spektaklit, por trajneri Igor Tudor duket se ka punë në prapavijë, pasi 'Zonja e Vjetër' në dy ndeshjet e fundit ka pësuar shtatë gola (fitoi 4-3 në fundjavë kundër Interit në Serie A me përmbysje).

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?