Një pjesë e ishullit turistik italian Iskia është shkatërruar tërësisht. Në pamjet e filmuara me dron duken qartë pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të regjistruara pak ditë më parë me rrëshqitjen e dheut, shkatërrimin e ndërtesave dhe godinave të banorëve të zonës si pasojë e shkëputjes së një pjese toke nga mali Epomeo duke zbritur në Kazamiçola Terme dhe vërshimin e baltës në rrugë e kudo, duke regjistruar edhe viktima.
Ndërkohë në Iskia dhe zona të tjera në jug të Italisë është ndezur alarmi portokalli nga autoritetet e meteorologjisë pasi pritet përkeqësim i kushteve të motit. Në njoftimin e mbrojtjes civile të rajonit të Kampanias thuhet se situata do të përkeqësohet më së shumti gjatë kësaj të shtune.