Violinistja nga ‘La Scala’ tek Artet, Suela Piciri: Nga Shqipëria më mungon ‘kaosi’ edhe afrimiteti me njerëzit

17 Prill 2019, 15:32| Përditesimi: 17 Prill 2019, 15:48

  • Share

Prej më shumë se 20 vitesh në duart e saj mban një violinë franceze, “Berton” (1830). Ky instrument e ka shoqëruar në udhëtimet e saj të ëmbla edhe të trishta, e ka bërë të qeshë në momente lumturie, por edhe të harrojë në momente trishtimi. Bëhet fjalë për violinisten e njohur Suela Piciri, e cila prej tre vitesh është pjesë e orkestrës së “La Scala”-s në Milano. Ajo rikthehet për artdashësit e Tiranës me një koncert në sallën e Universitetit të Arteve.

 “Jam shumë e kënaqur që kam mundësinë, që të jem akoma prezentë në Universitetin e Arteve, sepse për mua mbetet gjithmonë një vend i shenjtë edhe një përgjegjësi e madhe”, shprehet Suela Piciri.

Në skenë violinistja Suela Piciri do të shoqërohet nga pianisti Klevis Gjergji.

“Bashkëpunimi ka lind pas ftesës, që më ka bërë pianisti. Shpresoj që në koncert të japim maksimumin, se në një zhanër të muzikës së tillë, duo, koncerti është edhe fryt i një pune të gjatë bashkë”, vijon artistja.

Ajo na tregon edhe se çfarë ka ndryshuar në jetën e saj gjatë këtyre tre viteve, sepse pasi la skenën e Teatrit të Operës në Tiranë, angazhimet janë edhe më të mëdha teksa performon përkrahë artistëve më në zë në mbarë botën.

 “Unë jam pjesë e orkestrës së “La Scala”-s prej tre vitesh. Për të bërë një koncert si soliste kërkon shumë kohë, për shkak të ritmit të ngjeshur që ka puna, prandaj jam munduar të shfrytëzoj çdo kohë të lirë. Kjo mbase varet nga natyra, por edhe sepse sot kanë kaluar disa vite ku unë mund të përjetoj emocione të bukura. Vazhdimisht e quaj veten me shumë fat, që jam pjesë e asaj orkestre, duke shijuar të gjitha koncertet me artistët me nivel botëror”, thotë violinistja.

E përpos jetës artistike, nga Shqipëria i mungojnë shumë gjëra.

 “Më mungon afrimiteti i njerëzve, shoqëria edhe komunikimi. Më mungon afërsia me shoqërinë”, përfundon ajo.

Në repertorin e koncertit që do të luhet mbrëmjen e 18 prillit në sallën e Universitetit të Arteve artistët do të luajnë pjesë sonata e 5 e Bethoveen, Brahms dhe Debyssi-s.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?