Viti 2023 ishte viti më i nxehtë në histori

9 Janar, 17:01| Përditesimi: 9 Janar, 17:12

  • Share

Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar në planet dhe me gjasë viti më i nxehtë në botë në 100.000 vjetët e fundit, që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat për temperaturat globale më 1850, tha sot (9 janar) Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

Mesatarisht, më 2023 planeti ishte 1.48 gradë Celsius më i nxehtë se periudha paraindustriale më 1850-1900, kur njerëzit nisën të përdornin karburantet fosile në shkallë industriale, duke liruar dyoksid karboni në atmosferë. Edhe temperaturat e sipërfaqes së detit kanë thyer gjithashtu nivelet e mëparshme.

Këto rekorde globale po e sjellin botën më afër shkeljes së objektivave kryesore ndërkombëtare të klimës.

Shkencëtarët e kishin pritur pasi shumë rekorde klimatike u thyen vazhdimisht. Që nga qershori, çdo muaj ishte muaji më i nxehtë në histori krahasuar me muajt përkatës të viteve paraprake.

“Ky ishte një vit shumë i jashtëzakonshëm, në aspektin e klimës, edhe nëse krahasohet me vitet e tjera më të nxehta”, tha drejtori i Shërbimit të BE-së, Carlo Buontempo.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i BE-së konfirmoi se vitit 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar, që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat për temperaturat globale më 1850. Kur u krahasua me të dhënat paleoklimatike, Buontempo tha se ka “shumë gjasa” që viti 2023 është viti më i nxehtë në 100.000 vjetët e fundit, citon rel. 

Një paralajmërim për vitin 2024

Viti 2024 mund të jetë më i ngrohtë se 2023 - pasi një pjesë e nxehtësisë rekord të sipërfaqes së oqeanit ikën në atmosferë - megjithëse sjellja "e çuditshme" e El Niños aktuale do të thotë se është e vështirë të jesh i sigurt, thotë Dr Hausfather, shkencëtar i klimës në Berkeley Earth, një organizatë shkencore në SHBA.

Madje profesori thotë se është e mundshme që viti 2024 madje të kapërcejë pragun kryesor të ngrohjes prej 1,5 gradë Celsius gjatë gjithë vitit kalendarik për herë të parë, sipas Zyrës Meteorologjike në Mbretërinë e Bashkuar, citon BBC

Më 2015, në Marrëveshjen e Parisit, gati 200 shtete u zotuan se do të tentonin të parandalonin që ngrohja globale të kalonte 1.5 gradë Celsius, në mënyrë që të shmangen pasojat e rënda.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me arrestimin e Ilir Metës?