Gjatë ndeshjes Vllaznia-Lushnja

Vllaznia fiton thellë ndaj Lushnjës, Luftëtari-Teuta pa gola

7 Prill 2018, 16:15| Përditesimi: 7 Prill 2018, 16:18

  • Share

Startoi sot java e 28-të e Superiores, e cila është edhe e para për javën e katërt e të fundit të kampionatit. Në Shkodër dhe Gjirokastër janë luajtur sfida me “valenca” mbijetese, sepse Vllaznia dhe Teuta vijojnë garën e ethshme për të mos qenë shoqëruese të Lushnjës për një kategori më poshtë.

Në “Loro Boriçi” ka qenë më e lehtë për vendësit, sepse kishin mysafirë Lushnjën e dorëzuar, të rënë nga Superiorja. Pavarësisht se lagunarët janë munduar të mos dorëzohen, Vllaznia është shfaqur me plot grintë dhe oreks për gola, ku ka spikatur pa diskutim Xhevahir Sukaj.

Që në minutën e 6-të, goleadori i njohur shkodran ka zhbllokuar shifrat, për t’ia lënë radhën më pas partnerit të sulmit, Ribajt, të dyfishojë shifrat në minutën e 16-të. Këtu merr fund historia e kësaj sfide, sepse miqtë nuk kanë forca për të reaguar.

Nga ana e tyre, shkodranët nuk e ulin ritmin. Për të mbërritur në fundin e pjesës së parë, kur Sukaj do të “pikturonte” një kryevepër të rrallë. Nga rreth 60 metra largësi nga porta lushnjare, Sukaj godet dhe e dërgon topin në rrjetën e Spahos. Dopietë personale e sulmuesit kuqeblu, si në ndeshjen pararendëse në “Roza Haxhiu”.

“Qershia mbi tortë” e kësaj fitoreje, që shton tri pikë të tjera të çmuara në llogarinë e të besuarve të Ernest Gjokës, të cilët kanë të tjera beteja përpara për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Pjesa e dytë kthehet në njëlloj stërvitoreje, ku Vllaznia iu jep mundësinë edhe lojtarëve të tjerë për ta shijuar aktivizimin në këtë fitore, ndërsa Ilir Gjyla bën të njëjtën gjë me të rinjtë, duke menduar tashmë për sezonin e ardhshëm, sepse gjithçka në Superiore është një kapitull i mbyllur për të tijtë.

I riu Pusi, që zëvendësoi Sukajn, festoi në minutën e 82-të, sepse vulosi “pokerin” shkodran në këtë të shtunë, duke dhuruar një fundjavë të gëzueshme në kryeqendrën e veriut.

Vllaznia – Lushnja  4-0

Sukaj 6’, 45’, Ribaj 15’, Pusi 82’

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Berisha, Orelesi, Mersini, Lika, Krymi, Vucaj (Tafili 59’), Çinari (Kalaja 63’), Sukaj (Pusi 79’), Ribaj. Trajner: Ernest Gjoka.

Lushnja: Spaho, Magani, Premçi, Ruço, Mone, Branica (Përgjini 61’), Taullau (Marku 54’), Alushi, Pepa (Meto 77’), Papa, Sefa. Trajner: Ilir Gjyla

Gjyqtarë: Orlando Kuka, Denis Rexha, Proletar Puto

Kartonë të verdhë: Taullau 36’

Në Gjirokastër është zhvilluar një sfidë e luftuar fort. Që në start, pas një gabimi në vendosje të Shkallës, sulmuesi Shkurtaj ka rast ideal për të shënuar. I vetëm me portierin durrsak, Shkurtaj nuk arrin ta mposhtë Moçkën.

Jo shumë më vonë është Abazaj, që mund dhe duhej të kishte shënuar, por i vetëm me portierin mik, ai gabon, duke goditur mbi tra. Kundërpërgjigjet Latif për durrsakët, që në afërsi të zones gjirokastrite, nuk e shënjestron dot portën e Luftëtarit.

Minuta e 33-të evidenton sërish Vasil Shkurtajn, i cili, i vetëm me portierin Moçka, nuk finalizon dot. Tri minuta më pas “bombardohet” porta durrsake, teksa tranversa iu vjen në ndihmë bregdetarëve. Edhe me nisjen e pjesës së dytë, bluzinjtë janë në ofensivë.

Minuta e 50-të: Shkurtaj kalon bukur Shkallën, në krahun e majtë, por në momentin kur pritej pasimi i tij përfundimtar, sulmuesi gabon, duke mos pasuar te Abazaj, që priste vetëm ta shtynte topin drejt rrjetës. Teuta qëndron në pritje, me synimin kryesor për të mos pësuar gol, por nuk heziton të dalë edhe në kundërsulm, ku provon të godasë. Me kalimin e minutave, vendësit e rrisin në maksimum presionin, në kërkim të golit të epërsisë.

Në minutën e 75-të topi nuk do të hyjë në rrjetën e durrsakëve. Lëmsh në zonë, ku godasin Jakovljevic dhe Bregu, fillimisht pret Moçka, pastaj bluzinjtë nuk janë në gjendje ta shtyjnë topin në rrjetë, duke u ngatërruar me njëri tjetrin. Përpjekjet e të bësuarve të Hasan Likës nuk rreshtin, por qëndresa e Teutës në prapavijë është heroike.

Nga ana e vet, Luftëtari bën një hap fals në shtëpi, në synimin për të qenë pjesë e zonës europiane në këtë sezon, përmes kampionatit. Megjithatë, aktualisht vendi i pestë, me 41 pikë, nuk mund t’i rrëmbehet nga askush për këtë javë.

Luftëtari – Teuta 0-0

Luftëtari: Athanasopulos, Liçaj, Jakovljevic, Rrapa, Jackson, Ramadani (Aurelio 82’), Aleksi, Rroca (O.Rapo 57’), Abazaj, Bregu, Shkurtaj. Trajner: Hasan Lika.

Teuta: Moçka, Gjeorgjievski, Hrkac, Shkalla, Hakaj, Beqja (Bilali 90+4′), Hila, Çyrbja, Dediç (Lajthia 85’), Alhasan (Kruja 82’), Latif. Trajner: Gentjan Begeja

Gjyqtarë: Kridens Meta, Egin Doda, Redvan Shaba

Kartonë të verdhë: Rroca 21’, Ramadani 58’ / Hila 22’, Shkalla 75’

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?