“Ne nuk do të marrim pjesë në procesin e votimit të ardhshëm për asnjë parti”. Duke kërcënuar se do të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 2023, banorët e lagjes 10 korriku kanë protestuar këtë të hënë kundër bashkisë së Vlorës. Ata kërkojnë asfaltimin e rrugës “Donika Kastrioti”.
“Këtu nuk është investuar asnjëherë, edhe pse ne paguajmë taksat. Na gënjejnë ia kanë marrë dorën me gënjeshtra”, tha një banor.
Rruga është e pa asfaltuar dhe pa ndriçim. Situata përkeqësohet në ditë me reshje.
“Unë vetëm rrugën dua. Në dimër ka baltë, ndërsa tani i mbajmë dritaret mbyllur se mbushet me pluhur”, tha një tjetër banore.
Bëhet fjalë për një segment 2 km që nis nga zona Bishtit të Kalldrëmit deri në brendësi të lagjes “10 Korriku”. Rruga u shërben 156 familjeve autoktone të Vlorës.