Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney dhe drejtuesja e Vodafone Albania, Katia Stathaki

Vodafone Albania krah OKB-së për të mbështetur realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri

10 Dhjetor 2021, 18:03| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 18:13

  • Share

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, dhe drejtuesja e Vodafone Albania, Katia Stathaki, firmosën sot dokumentin e bashkëpunimit për të mbështetur realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri.

Emërtuar si “Letër e Synimit”, ky dokument projekton një bashkëpunim strategjik, duke vendosur në fokus disa nga çështjet më urgjente që kërkojnë zgjidhje në rang global, që nga varfëria, te mbrojtja e mjedisit, shëndetësia, klima dhe dhuna me bazë gjinore.

Kombet e Bashkuara në Shqipëri punojnë me Qeverinë e Shqipërisë dhe me të gjithë partnerët e zhvillimit, përfshirë sektorin privat, për të maksimalizuar mbështetjen dhe përshpejtuar realizimin e angazhimeve të Shqipërisë të 17 Objektivave Globalë, që njihen si Sustainable Development Goals (SDGs).

Në fjalën e saj, kreu i OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, nënvizoi rolin e rëndësishëm që ka bashkëpunimi me sektorin privat, posaçërisht në kontekstin e një situate sfiduese shkaktuar nga pandemia: “Jetojmë në kohë të jashtëzakonshme dhe pandemia Covid-19 po na mëson se sfidat globale mund të trajtohen dhe kapërcehen vetëm përmes veprimeve të koordinuara. Biznesi është një partner jetik i OKB-së në arritjen e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat në mënyrë eksplicite thërrasin dhe paraqesin një mundësi për sektorin privat që të aplikojë kreativitetin, inovacionin dhe financimin e tij për të adresuar sfidat më të mëdha të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ajo.

Drejtuesja e Vodafone Albania, Katia Stathaki, u shpreh optimiste për rolin që teknologjia mund të luajë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe në luftën kundër problemeve madhore me të cilat bota, përfshirë Shqipërinë, përballet sot: “Në emër të Vodafone Albania, shpreh krenarinë time që po nënshkruajmë këtë marrëveshje me Kombet e Bashkuara në Shqipëri. Teknologjia mund të ndihmojë në reduktimin e pabarazive duke ofruar aksesin në shërbime bazike, si e-shëndeti apo arsimi online. Mund të përdoret gjithashtu nga qeveria për të ndërlidhur qytetarët nëpërmjet mjeteve qeveritare online dhe për të përmirësuar angazhimin e palëve e grupeve të interesit dhe menaxhimin e informacionit. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje që po firmosim sot, ne vërtet besojmë se teknologjia e Vodafone mund të vihet në dispozicion të qytetarëve shqiptarë për të arritur të gjithë së bashku Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara.”

Ky angazhim i Vodafone Albania vjen në vazhdën e investimeve të vazhdueshme që kompania ka bërë, përmes fushatave dhe nismave me karakter e impakt social, që nga mjedisi, tek ekonomia dhe dhuna ndaj grave.. Vodafone është ndër të paktat korporata në nivel global që shfrytëzon 100% burime energjie të rinovueshme dhe po përpiqet ta fusë këtë frymë edhe të partnerët e saj. Vodafone Albania ka ndërmarrë gjithashtu nisma si futja para 3 vitesh e STEM në sistemin publik arsimor, nismë që ndihmon në edukimin digjital në një moshë të hershme. Gjatë pandemisë, nëpërmjet Fondacionit të saj, Vodafone Albania investoi mbi 1 milionë euro për t’u siguruar akses në internet dhe pajisje 15,000 fëmijëve, për t’i ndihmuar të vazhdojnë arsimin online dhe të mos mbeten pas. Por nuk ka munguar kontributi as në çështje shumë aktuale si dhuna ndaj vajzave e grave, përmes një aplikacioni dhe fushatave në ndihmë të dhunës më bazë gjinorë, si #HidhNjeHapp. 

Përmes firmosjes së këtij memorandumi, Vodafone Albania angazhohet të ofrojë teknologjinë dhe produktet e saj IoT (Interneti i Sendeve) për t’i ardhur në ndihmë agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shërbimeve qeveritare.

Vodafone Albania ka rrjetin më cilësor dhe më të shpejt, për të cilin ka fituar edhe çmime e certifikime ndërkombëtare dhe ky rrjet mund të kontribuojë që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të arrihen më shpejt.

Vodafone Albania krah OKB-së për të mbështetur realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri
M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?