Shfryhet dosja e famshme “VOL-VO 4”. Gjykata e Lezhës ka pushuar hetimet ndaj 2 prej të akuzuarve kryesorë, ish-deputetit Arben Ndoka dhe ish-Drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lezhë Eraldo Smaçi. Të 2 nën akuzë për tjetërsim pronash në Shëngjin, si pjesë e grupit të arrestuar nga operacioni “VOL-VO 4”. Mësohet se pushimi i çështjes për Arben Ndokën për shkak se Prokuroria nuk pati fakte për akuzat.
Arben Ndoka ra në prangat e policisë në 21 tetor gjatë megaoperacionit të policisë "Volvo 4", pasi nga përgjimet telefonike të prokurorisë ai rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Ranës e Hedhun në Shëngjin.Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.
Ndërkohë që pushimi i hetimeve të procedimit penal nr. 207, të vitit 2020 për Smaçin i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Shpërdorim i Tokës" në bashkëpunim, "Shpërdorim i Detyrës" dhe "Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" erdhi me kërkese të prokurorisë së Lezhës, pasi nga hetimet ka rezultuar se nuk janë konstatuar element të veprës penale për të cilat ishin ngritur akuzat. Gjithashtu është vendosur dhe shuarja e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", caktuar ndaj Eraldo Smaçi me vendimin nr 103 datë 15.06. 2020 të Gjykatës së Apelit Shkodër.
Hetimet janë pushuar edhe për ish-specialisten e ZVRPP Lezhë Lule Zeneli dhe shtetasin Vasil Nika i cili dyshohej se ishte përfitues toke në mënyre të paligjshme. Edhe për këta shtetas nga hetimet e kryera ka rezultuar se nuk kanë konsumuar element të veprës penale për të cilët ishin vënë nën akuze. Ish-Drejtuesi i Hipotekës së Lezhës Eraldo Smaçi u arrestua me 11 mars të vitit 2020, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e grupit të tjetërsimit të pronave të arrestuar nga operacioni “VOL-VO 4” i cili u finalizua në tetor të vitit 2018 ku u prangosën 33 persona mes të cilëve dhe dy ish-deputetet e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me dyshimet për trafik droge por përgjimet, zbuluan dhe angazhimin e tyre në zgjedhjet e vitit 2017-të dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.
Pak orë pasi Gjykata pushoi hetimet edhe për ish-deputetin Arben Ndoka ka folur për Report Tv. Në një prononcim për gazetarin Elvis Hila, ai tha se kjo qenë një skenar i përgatitur nga "njerëz që flenë me ëndrrën se do të bëhen udhëheqës të mëdhenj, referuar këtu kryedemokratit Lulzim Basha. Sipas tij, dosja "339" dhe "184" janë një skenar "nga klane të caktuara", që nuk zgjedh ta thotë drejtpërdrejtë, me anë të së cilit synohet që të rrëzohet qeveria e Ramës.
"Ne këtë rast nuk kemi të bëjmë me vendosjen e drejtësisë apo më ndëshkim të atyre që shkelin ligjin, por kemi të bëjmë me zbatimin e një skenari të sajuar nga struktura e klane të caktuara të cilët kanë fjetur me ëndrrën se do të bëhen udhëheqës të mëdhenj dhe me anë të dosjes 339 dhe 184, do të rrëzojnë qeverinë dhe do të zëvendësojnë Edi Ramën.
Kjo është arsyeja për të cilën unë kam dy vjet e gjysmë që endem dyerve të gjykatave, dhe për këtë janë në dijeni të gjithë deputetet e Parlamentit dhe çdo njeri që ka njohje në qarqet politike. Unë jam ndëshkuar pikërisht nga këto klane, të cilët kanë vepruar duke përdorur prokurorë dhe OPGJ , ushtarë të tyre, duke krijuar fraksione paradoksale në sistemin e drejtësisë.
Merren vendime në zyra dhe klane të caktuara dhe i formalizojnë në zyrën e prokurorisë dhe me forcën që i jep posti i prokurorit, përdorin “shkopin e maliqit” për të vwnw nën shërbimin e tyre forcën e ligjit.
1. Gjykata e shkallës së parë del me vendim për me burg ndaj meje dhe familjareve të mi dhe me arrestimin e bujshëm nga forcat e njësisë speciale te repartit RENEA.
2. Gjykata e Apelit për krimet ndërron masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për dy vite me radhë.
3. Gjykata e Lezhës del me vendimin e çështjes.
Unë nuk jam arrestuar për ndonjë vepër penale as për 45 milion euro prona siç jam akuzuar. Nuk kam asnjë metër tokë të padeklaruar, por jam arrestuar për të përmbushur skenarin e dirigjuar nga ato që thashë më sipër.
Ku u zhduken 45 milion euro prona???
Gjatë gjithë këtij procesi ka pasur trysni nga këto struktura të caktuara që kanë hartuar këtë skenar për të dhënë dënime maksimale ndaj njerëzve të mi, duke mos lejuar atë pjesë pozitive në sistemin e drejtësisë për të bërë drejtësi. Unë konsideroj absurd faktin që këto funksionarë skemaxhinj që kanë ushtruar funksione të larta në dikastere të ndryshme të cilët kanë vënë në dispozicion të interesave të veta personale gjithçka që i jep ligji dhe posti politik.
Për të kuptuar më shumë në këtë cështje do të ishte domosdoshmëri që të shikohet kjo dosje nga juriste asnjanjës dhe jo nga gjyqtarë e prokurorë që janë vendosur për të sulmuar njerëzit të cilët i kanë shërbyer kundërshtarëve të tyre brenda dhe jashtë llojit. Tashmë të gjithë e dinë se kush kanë qenë dirigjentet e dosjes 339 dhe 184, kanë fjetur me iluzionin për t’u bërë kryetarë të mëdhenj apo kryeministra te vendit, pas një pakti të bere me disa pseudo miq te tyre që bëjnë pjesë në politiken e brendshme dhe të jashtme", tha Ndoka për Report Tv.
Shfryhet thuajse tërësisht çështja e famshme 'VOL-VO 4'. Ditën e sotme është pushuar çështja nga Gjykata e Lezhës edhe për ish-deputetin Arben Ndoka, i cili akuzohej për tjetërsim pronash në Shëngjin dhe te Rana e Hedhun. Mësohet se pushimi i çështjes për Arben Ndokën për shkak se Prokuroria nuk pati fakte për akuzat.