Libri i me poezi i Vojsava Nelos “Muzgjet e Bostonit” sapo ka dalë në dritën e botimit nga Shtëpia Botuese, ALBAS. Promovimi i këtij vëllimi poetik do të behet ditën e enjte më 20 dhjetor në Frend’s Book House. Ndërsa pritet që të marrin pjesë shkrimtarë, artistë, gazetarë, miq e dashamirës të autores, sipas njoftimit të Shtëpisë Botuese, ALBAS mësojmë se do të ketë edhe recitime, konceptuar si “një poezi…, një mendim”. Poezitë do të interpretohen nga aritstet Margarita Xhepa, Artiste e Popullit, dhe Mjeshtri i Madh e Bujar Asqeriu. Kritiku i njohur Prof. Dr. Josif Papagjoni e vlerëson stilin poetik të Vojsava Nelos me këto fjalë “Vosava Nelon, apo poetja e ngrohtë e Jugut, siç jemi mësuar ta quajmë shpesh, e njoh që në vitet 70’. Një poete e re, e butë, e brishtë, e çiltër sa dhe e bukur. Që në botimet e para të saj dalloje ndjenjën e thellë, intensitetin emocional, lirikën e bukur. Poezia e Vojsavës nuk është vështirë të dekodohet; është e tejdukshme, e rrokshme qysh në shqiptimin e parë. Poetja Vojsava Nelo vuan brengat e njeriut. Në poezinë e saj ndihet një shpirt i ngarkuar nga vuajtjet e botës. I dhemb fati i tjetrit, fati i botës. Vojsava vet është një shpirt dhe një qenie e mbushur me dashuri. Poezitë e saj janë me një ndjenjë të bardhë, ku gjithçka duket si në përtejjetë, kur dhe ku të gjithë ne, nuk kemi më nevojë të shtiremi e të "luajmë" teatrin e keq të jetës dhe marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Ndërsa lexon poezinë e Vojsavës, apo e dëgjon të recituar, nuk mund të mos ndiesh fëshfërimën lirike të një shpirti të bukur gruaje poete, dhe letërsinë shqipe, ku prehet ky shpirt.”, shkruan Papagjoni.
Autorja e këtij libri Vojsava Nelo shprehet se “të ecësh në rrugën e poezisë duhet shumë guxim, por vlerësimet e shkrimtarit të madh e të ndjerë Dritëro Agolli kanë qenë frymëzuese për mua, dhe pas kësaj vazhdova të shkruaj më me pak drojë”.
Ja çfarë ka shkruar Dritëro Agolli për poezinë e Vojsava Nelos. “Vojsava Nelo është një poete e talentuar, një nga poeteshat e reja që vinte në poezinë shqipe ne vitet 70’. Që atëhere më ka bërë përshtypje ndjeshmëria e thellë që mishëronte. Me botimin e librave, u pa qartë se poezia e saj ishte poezi e një femre delikate; e brishtë, e ndjeshme, një poezi që del nga shpirti. Trasparente, e bukur, me nivel të lartë artistik, plot muzikalitet. Vojsava Nelo është një poeteshë e vërtetë, origjinale. Ka identitetin dhe figuracionin e saj, metaforat dhe mjete e tjera artistike. Nuk përzihet libri dhe emri i saj si autore me emra të tjerë. Poezia e saj është spontane dhe të kujton atë që thotë Tolstoi, shkrimtari gjenial i shek. XIX, “krijimtaria është si teshtima, që kur të vjen, nuk e mban dot”. Dhe Vojsavës i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti.”
Një vlerësim të veçantë ka shprehur për krijimtarinë e Vojsava Nelos edhe shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja. “Sa herë e sjell në kujtesë, mrekullohem se si shpërthyen në vitet 1973-1977 një plejadë studentësh, poetësh dhe poeteshash aq të talentuar, që tanimë kanë bërë emër dhe radhiten me meritë në antologjinë e poezisë më të ndritshme aktuale shqipe. Mes këtyre studentëve të shkëlqyer, mes këtyre talenteve zë vend, në krye të listës, një vajzë e bukur, e gjallë, dhe shumë e talentuar, Vojsava Nelo. Shumë vajza, shkruanin e shkruajnë poezi, por, shumicës nuk ua dëgjoj më zërin. I merr me vete vorbulla e halleve të jetës. Të rralla janë ato që i qëndrojnë kohës. Një ndër to është Vojsava. Në kujtimet e mia, ish studentja ime, Vojsava Nelo, ka ngelur siç ngel pranvera në zemrat tona: Poezi e fytyrës dhe shpirtit.”, shkruan Kraja.
Poezi të zgjedhura nga “Muzgjet e Bostonit”
JAM VAZHDIMISHT NË UDHËTIM...
Jam në një udhëtim të gjatë...
Prej vitesh.
Prej kohërash,
me të vetmen pikëmbështetje: POEZINË.
Përmes erërave dhe rrebeshëve,
jam mbajtur fort.
Jam mbajtur mirë.
Përmes erërave dhe rrebeshëve të urrejtjes
së njeriut të lig.
të shtirur, të pafytyrë,
jam mbajtur fort.
Jam mbajtur mirë.
Gjeneron poezia forcë. Rreze drite me tufa,
dhe çan mrekullisht çdo errësirë
birucësh dhe bodrumesh të mykura,
që nxin te njeriu,
si nëpër guva,
si nëpër skuta.
Unë eci e mbushur rreze drite, me tufa.
Jam vazhdimisht në udhëtim...
Në një udhëtim të gjatë...
Prej kohrash.
Prej vitesh.
Me të vetmen pikëmbështetje: POEZINË.
Në emër të një misioni të mirë,
jam vazhdimisht në udhëtim…
IMAZHI YT SI NJË PULËBARDHË
Më merr malli për ty
E do më marrë gjithmonë.
Po unë jam si det i hapur,
i trazuar,
ku erërat shfryjnë e dallga gjëmon.
Më merr malli për praninë tënde,
për brengën që ndanim bashkë.
Që duke e ndarë me ty,
i ikja pak më tutje, pak më larg.
Kaq kohë me mua, me mua bashkë,
nëpër dallgët e mia, me mua dhe ti.
Nëpër dallgë tani përplasem vetëm.
Nëpër dallgë vazhdojë të shkruaj poezi.
Nëpër dallgë, nëpër tym, nëpër flakë,
nuk të përfshij më.
Jap e marr, e përleshem, e stërhiqem,
e shkruaj ndonjë varg, e përmbi dallgë e lë.
Erërat fryjnë e dallgët ngrihen lart.
Më trazojnë, orë e pa kohë.
Malli yt, si një pulëbardhë që ndjek anijen
përmbi direkë. E dalloj mirë.
Ja, ja, e shoh!
Furtunat nuk rreshtin.
As ditë, as natë. As dimër, as verë.
As malli yt, që s’të kam më,
malli, që aq shumë më merr.
Këtu, ku jam, mes dallgëve të mia.
Apo në breg, kur ulem, dal.
Më vjen rrotull imazhi yt,
imazhi yt - si një pulëbardhë.
Ja, kjo pulëbardhë që më vjen rrotull
E formon rrathë të mëdhenj,
Posht një qielli të kaltër,
krahështrirë nëpër erë…
Tiranë, 21 mars, 2017
DO T’I GRIS CA VJERSHA
Do t’i gris ca vjersha.
Ca njerëz do t’i flak.
Ca njerëz që i desha gjer tek ylli më i largët,
ku besoja,
se mund të mbërrinim bashkë.
Në rrugë e sipër të qetësonim shpirtra,
ditë të acarta,
dhe herë pas here të shëronim ndonjë plagë.
Por… Fantazi. E tëra fantazi
që u fik
si dritat e një qyteti të madh në orët e vona të natës
një e nga një,
pak e nga pak.
Do t’i gris ca vjersha.
Ca njerëz do t’i flak.
Ca njerëz me të cilët besoja,
se mund të mbërrinim gjer te ylli më i largët,
po kurrë,
te kjo natë.
Milano, e mërkurë, 16 shtator, 2013
NE KALËROJMË
Ne kalërojmë sipër kohës;
të djeshmes,
të sotmes,
të nesërmes,
si kalëronjës pasionant.
Vrapojmë gjithmonë për diku...
Rendim pambarimisht...
Si karvanë resh nëpër qiell,
ashtu
kuturu.
Apo për diku që e dimë mirë,
duke përshkuar rrugë të mëdha.
Si fjala vjen, Rrugën e Mëndafshit,
të sigurt se do të mbërrijmë.
Ne kalërojmë mespërmes kohës;
mespërmes tokës,
mespërmes diellit,
dhe kësaj fushe të bleruar,
si kalëronjës pasionant,
duke përshkuar gjithë hapsirat e shpirtit të frymëzuar.
Ne kalërojmë....
I japim kuptimin kohës.
Diellit.
Tokës.
Ne kalërojmë
dhe nuk lëmë kurrësesi,
t’i vijë fundi botës.
FSHESARËT E NATËS
Qyteti në mëngjes u gdhi i pastërt
Me një fytyrë të bukur, të larë.
Punuan gjithë natën e natës,
një kompani me fshesarë.
Duke fërshëllyer ca melodi të vjetra,
ashtu, si për qejf të vet,
deri sa fillon e shfaqet agimi,
e ikin, si të zhduken, fshesarët e shkretë!
Duke marrë me vete meloditë e vjetra,
atë trishtim që i tërheq zvarrë,
nëpër shtëpitë e tyre përdhese,
përjetësisht, këta fshesarë.
Ikin përgjumësh, struken në shtëpi
deri sa vjen nata tjetër,
e përhapen rishtaz, si një elegji,
duke mallkuar me vete jetën.
Pastrojnë qytetin. E bëjnë dritë,
duke mërmëritur meloditë e vjetra.
Thellësitë e natës mbushen me trishtim,
dhe këta fshesarë, si hije të zbehta.
Në mëngjes qyteti gdhihet i pastërt,
me një fytyrë të bukur, të larë.
Punojnë gjithë natën e natës,
një tufë e madhe me fshesarë.
Tiranë, e mërkurë, 25 tetor, 2016
NGRINI SPIRANCËN!
Ngrini spirancën!
S’mund të rrimë më këtu.
Sado dallgë të ketë.
Sado erë të fryjë.
Ne do të rinisim lundrimin.
Një breg i ri, i madh e i bukur
në mendjen dhe shpirtin tim
shkëlqen. Feks.
Ngrini spirancën!
S’mund të rrimë më këtu.
Sado dallgë të ketë.
Do të rinisim lundrimin tonë.
Më shpejt! Me shpejt!
* * *
Një det i qetë. Vaj.
Dhe qielli mbi krye i kaltër,
gjer në verbëri.
* * *
Ju thash?! Ju thash?!
Do lundrojmë mes gazit dhe haresë
me shpirtin mbushur dritë
si asnjëherë tjetër, nëpër kaltërsi.
O të shtrenjtët, o fëmijët e mi!
* * *
Më shpejt! Me shpejt!
Francë, Sete, korrik, 2016