Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës, Pr/Buxheti i Shtetit 2023 dhe paketa fiskale, bëri të ditur se gjatë diskutimit nen për nen të buxhetit, do të sanksionohet edhe alokimi i fondit të BE për energjinë.
“E kam thënë, pasi ne sollëm buxhetin për shqyrtim, kemi marrë lajmin që BE do alokoj 80 mln euro për energjinë e elektrike që nuk është i pasqyruar, por do pasqyrojmë edhe këtë element, kur të nisim diskutimin nen për nen…”, tha Ibrahimaj.
“Granti është IPA vjetore, pra IPA që do shkonte për bujqësinë, do iki e gjitha tek energjia, dhe kjo nuk është parashikuar? Mendova se ishte parashikuar? Pasi ky nuk është fond shtesë, është IPA e parashikuar për vitin e ardhshëm”, tha Tabaku.
“Jo nuk është e parashikuar, pasi fondet IPA jepen sipas aplikimeve të programeve. IPA III, ende ska nisur zbatimin. Është menduar që fondet total të IPA III që disbursohen disa vite, të kalojnë për sektorin e energjisë. Këto fonde futen në buxhet kur janë mbështetje buxhetore dhe kur merret miratimi për këtë mbështetje buxhetore, jo nëse janë aplikime për projekte, që mund të zbatohen nga ministritë e linjës, apo organe të qeverisë apo nga OJF. Por nëse janë të ministrisë së linjës janë mbështetje me TVSH. IPA III, që është pjesë e paketës fiskale, s’do parashikojmë kosto lokale, pasi kemi kërkuar që fondet me financim të huaj të përjashtohen nga TVSH, prandaj nuk ishte parashikuar më parë dhe do të duhet të futen, pasi këtë informacion nuk e kemi patur kur e hartuam buxhetin. Dhe do të duhet ta parashikojmë në diskutimet nen për nen”, tha Ibrahimaj.
Vendimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për alokimin te energjia mbështetjes IPA III të BE, duket dhe një reagim ndaj akuzave të ngritura nga Konfindustria, e cila vinte në dukje se në parashikimet buxhetore nuk ishte vendosur asnjë fond për përballimin e krizës energjetike.