LEZHË- Makina "Land Rover Defender", e cila fillimisht u dyshua nga policia se mund të ketë ndihmuar autorin e vrasjes së Ardian Nikulajt të largohet bashkë me motoçikletën, nuk ka lidhje me ngjarjen, pamjet e së cilës u servirën edhe në media nga vetë grupi hetimor.
Burime të Report Tv bëjnë me dije se hetuesit kanë mundur të gjurmojnë makinën në fjalë dhe janë shoqëruar 2 persona, shtetas zvicerian, të zotët e saj. Dëshmia e tyre duket se ka përjashtuar mundësinë që automjeti në fjalë të ketë lidhje me vrasjen. Çifti i bashkëshortëve u thanë hetuesve se kishin ardhur në Shqipëri për turizëm, kanë marrë një shtëpi me qira në fshatin Kukël dhe se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen.
Tashmë, hetimet për vrasjen e zyrtarit lokal janë përqendruar në verifikimin e një shtetasi anglez si të përfshirë. Kjo ka bërë që në drejtim të Britanisë së Madhe të adresohet një kërkesë me disa pyetje për shtetasin e huaj, përmes një letër porosie. Këto pyetje do t’i bëhen shtetasit anglez nga oficerët atje sapo kërkesa e nisur nga Ministria e Drejtësisë të përkthehet dhe të mbërrij zyrtarisht. Pyetjet kanë të bëjnë me qëllimin e vizitës së tij në Shëngjin, takimet që ka kryer, lëvizjet para dhe pas ngjarjes dhe largimi i tij, por edhe personat që e shoqëronin gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë.
Këto pyetje të prokurorisë së Lezhës do të përkthen në gjuhë angleze, e ndërsa pritet që në fillimi të muajit maj të kenë edhe përgjigje zyrtare.
Pista e parë e hetimit për vrasjen e Nikulajt është ajo e konfliktit 26 vjeçar në Balldre, midis dy fiseve Nikulaj dhe Palaj ose ndryshe Lestakaj, kur u vra Pëllumb Nikulaj, që pasoi me vrasje të tjera në vijim. Ardian Nikulaj u qëllua me plumba pistolete brenda lokalit të tij në Shëngjin nga një person i veshur me jelek fosforeshent, me maskë anti-Covid dhe skafandër.
Makina "Land Rover Defender" që mendohej se u përkiste autorëve
Gleida Nikulaj, vajza e biznesmenit-politikan në Lezhë, Ardian Nikulaj ka publikuar një video prekëse të të atit nga momenti kur ai ka festuar 50-vjetorin në festën madhështore.
"Fluturo lart engjëll i bukur, do na mungosh bab," shkruan Gleida krahas videos së publikuar në rrjetin social TikTok.