Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

'Vrasja' e Sali Berishës nga Lulzim Basha ishte me lejen e 'babait'?!

13 Shtator 2021, 18:19| Përditesimi: 13 Shtator 2021, 18:21

  • Share

Ka shkaktuar kaos në PD dhe në publikun shqiptar “ngrirja” që Lulzim Basha i bëri Sali Berishës për të mos qënë pjesë e grupit parlamentar demokrat.

Themi “ngrirja”, pasi në vendimi i Bashës për të lënë jashtë grupit parlamentar të PD liderin historik, ka në thelb klauzolën, sipas të cilës përjashtimi do të jetë në fuqi derisa Berisha të sqarojë dhe të vendoset përfundimisht në lidhje me arsyet se përse është shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në pamje të parë, teksa dëgjon Berishën ekran më ekran duke akuzuar Bashën si të pabesë, shkelës zyrtar i statutit të PD dhe si një polikan që në thelb ka intrigën dhe bashkëpunimin me kundërshtarin politik Edi Rama, duket sikur ka një revoltë nga lart poshtë dhe poshtë lart në PD.

Në publik janë dhënë dhe elementë konkretë të përplasjes mes tyre, ku Basha këmbëngul se ishte i detyruar ta bëjë një veprim të tillë për të shpëtuar PD nga izolimi por dhe Berishën e familjen e tij, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për një dosje të rëndë që mund ta dërgojë në burg për abuzim me pushtetin apo elementë të tjerë më të rëndë ish kryeministrin.

Por një “formulë” e tillë justifikimi përkon me nota të larta pabesueshmërie, pasi nëse Sali Berisha dhe familja e tij kanë shkelur ligjin, të gjithë shqiptarët e besojnë se e ka bërë një gjë të tillë “me pash”, dhe për këtë amerikanët i kanë lënë në tryezë Bashës dokumentet e provat që e vertetojnë këtë, atëherë ligji vepron pavarësisht dëshirës së kreut zyrtar të PD apo dhe të vetë aleatëve tanë të mëdhenj.

Nëse Basha pranon se i kanë paraqitur dokumente, të cilat detyrimisht ekzistojnë dhe në arkivat shqiptare për shkelje të ligjit, abuzim me pushtetin apo krime të tjera, atëherë në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës, Lulzim Basha duhet t’i referojë në godinën e drejtësisë së re shqiptare SPAK që ky institucion i lartë i drejtësisë të fillojë menjëherë nga hetimi i thelluar dhe dërgimi i dosjes në Gjykatën Speciale për gjykim. Eshtë detyrim ligjor për të gjitha palët!

Ndryshe Basha në një vend normal duhej të merrej i pandehur për moskallzim krimi. Për këtë arsye është shumë i besueshëm fakti se Lulzim Basha përmendjen e amerikanëve se kanë dosje për Berishën, madje dhe përmendja me emra konkretë si zyrtarin e lartë Reeker apo ambasadoren Yuri Kim, i ka hedhur për konsum publik sipas një skeme të dakordësuar, përmes “burimeve të besueshme brenda grupit të PD”, që të justifikojë vendimin e dhënë për Berishën. Është bërë në marrëveshje të plotë mes tyre.

Edhe Berisha më shumë ka formuluar akuza për bashkëpunim të Bashës me Ramën, kjo s’është akuzë e re por e artikuluar që në vitin 2017 nga të gjithë mbështetësit e Berishës, në PD, jashtë PD apo dhe në mediat afër tij dhe mediat në pronësi të djalit të tij.

Përmendja e Sorosit është një e vërtetë e pamohueshme pasi Basha është shkolluar nga ky fondacion i shoqërisë së hapur bashkë me bashkëshorten e tij, dhe po ashtu përmendja shkarazi e dosjes amerikane të lobimit të Bashës në SHBA me para ruse, një akuzë që e ka bërë “xhiron” e rrjetit politik dhe mediatik për vite me radhë. Berisha s’tha ndonjë gjë të re.

Pra në PD nuk ka asnjë “rebelim” por vetëm zemërim për këtë akt të Bashës, dhe zemërata më shumë ka kapur pjesën e bazës së partisë, për shkak të moskuptimit të lojës së madhe politike që bëhet në kupolën e PD për të shpëtuar Bashën nga zemërimi amerikan dhe fjala e dhënë, dhe Berishën nga të gjitha andrallat tjera si bllokues i PD dhe i bashkëpunimit me partnerët tanë të mëdhenj, por dhe me mazhorancën në funksion të reformave të mëdha.

E thënë me fjalë të thjeshta, Lulzim Basha nuk e ka vrarë me tërë mend “babain” e tij politik, por ka marrë ‘leje’ nga vetë Berisha për ta kryer këtë akt të publik. Madje për ta quajtur dhe si një akt personal të Bashës, pavarësisht se statuti i PD në raste të tillë të vendimeve madhore, kërkon respektimin të paktën formal të normave të tij.

Berisha i ka bërë të gjitha përjashtimet në PD për 30 vite me radhë, e s’ka bërë pak përjashtime të figurave kryesore të kësaj partie, por gjithnjë i ka shoqëruar me një akt formal të Konferencës së Jashtëzakonshme, Këshillit Kombëtar por dhe të Kuvendit Kombëtar të PD.

Tjetër që urdhëri i tij ka qënë i prerë që të votoheshin të gjitha vendimet e tij personale për të fituar legjitimitetin e forumeve. Kush guxonte të dilte kundër urdhërit të tij dhe të votonte kundër. Në këtë mënyrë janë përjashtuar që nga Neritan Ceka, Gramoz Pashko dhe mocionistët, në këtë mënyrë është përjashtuar dhe lideri i dhjetorit Azem Hajdari, madje disa herë. Pra kur arritën të përjashtonin Hajdarin, imagjino sa fuqi ka Basha për t’u përballur me Berishën.

Berisha i ka dhënë leje Bashës që ta “qëllojë fort” për të qënë i besueshëm në “atvrasjen” e tij, ndonëse në kulisa është sërish Berisha ai që drejton realisht PD. Dhe këtë e tregon fakti se Berisha nuk flet për ndarje të partisë, deklaron daljen në bazë. Por deri më tani vetëm është bërë një “revoltë” në rrjetet sociale, nga kundërshtarë të deklaruar të Lulzim Bashës për shkak të përjashtimnit nga forumet drejtuese të PD, apo dhe nga baza e PD e cila është e dyzuar nëse Berisha e Basha e kanë me tërë mend këtë përplasje apo është një skenar që me një goditje të shpëtojnë të gjitha palët, përballë kërkesës së fortë të SHBA për t’u ndarë nga e kaluara.

Pse dyshojmë se Basha ka bërë “atvrasje” me leje të Berishës dhe se gjithçka është një inskenim për ta paraqitur si të vërtetë përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe publikisht shqiptar?!

Në krye të herës askush nuk e beson se Sali Berisha do pyesë ndonjëherë për Lulzim Bashën, apo larg qoftë të frenohet për të shkuar në selinë e PD dhe marrë pjesë në mbledhjet e forumeve drejtuese të PD. Këtu ka leje dhe nga kryetari zyrtar. Apo të pengohet të marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare. Aspak. Berisha e deklaroi se shkon sa herë t’i teket dhe vendimi i Bashës është “nul” në këtë drejtim.

Jo pa qëllim Lulzim Basha ka deklaruar ngrirjen e Berishës si pjesë e grupit parlamentar, ndërsa 3-4 ditë më vonë deklaron se Berisha është në të drejtën e vet që të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Kombëtar si anëtar i përhershëm i tij. Madje është gati dhe të takohet me të. Pra një vendim kontravers ky i Bashës, që e ngrin në grup por i jep leje me pash në Këshillin Kombëtar.

Jo pa qëllim kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe dy deputetë, anëtarë të këtij këshilli Tritan Shehu dhe Flamur Noka gjatë ditëve të “vetmisë” së madhe të Berishës në Parlament por dhe në lëvizjen nga vila në Lalz e deri në shtëpinë e tij në qendër të Tiranës kanë qënë shoqërues të Berishës hap pas hapi, thuajse si “badigardë” të tij.

Eshtë njerëzore do të thotë dikush. Por dhe ekzistenca në politikë është njerëzore dhe nëse do të rrezikohej karriera e tyre ata nuk do të shiheshin në shoqërinë e Berishës “non grata” zyrtarisht dhe në grupin parlamentar të PD. Pra është një shoqërim me leje.

Askush nuk e beson se Sali Berisha mund të frikësohet nga Lulzim Basha, madje janë të bindur se me një urdhër që mund t’u japë “falangave” të tij, kryetari zyrtar i PD nuk e sheh asnjë ditë më derën e selisë së PD buzë Lanës. E besojnë fort. Dhe teoritë konspirative me shtim të badigardëve, gardistëve dhe shtim të masave të sigurisë ndaj Bashës, janë thjeshtë për konsum mediativ, as politik jo.

Berisha e di fort mirë se nuk mund të bëjë asnjë veprim që cënon lirinë apo jetën e Bashës, kur është është në konflikt të paktën zyrtar me të. Pasi do t’i drejtohej gishti direkt atij si urdhëdhënës, dhe sikur ta cënonin të tjerë që kishin hesape me të. Do ti mbetej sërish Berishës.

Berisha në tërë jetën e vet politike nuk ka lënë asnjë gjurmë në abuzimet që janë bërë, i ka bërë me dorën e të tjerëve përmes urdhërave verbalë. Duke filluar që nga marsi 1997, kur i bëri me dorën e Gazidedes e deri tek “Rruga e Kombit” me dorën e Bashës, Gërdecin me dorën e Mediut dhe plot vepra të tjera të dënueshme nga ligji.

Madje futi dhe vendimin kolegjial të Këshillit të Ministrave për të shpërndarë përgjegjësinë për të gjitha vendimet abuzuese dhe të gabuara që ka marrë në tetë vite qeverisje të PD.

Pra, dyshimi se vendimi i Bashës ndaj Berishës ka qënë me leje të plotë nga ky i fundit shkon më shumë drejt së vërtetës. Ndaj mund të themi që duhet ta marrin lehtë të gjithë ata që janë zemëruar nga ky akt, që po hedhin qindra e qindra statuse në rrjetet sociale për këtë tradhëti të Bashës dhe po zemërohen pa fund, deri në cakun e rebelimit në PD. Do të bëjë sikur do mbledhë të inatosurit me “pabesinë” e Bashës, lajmin do ta japë inkonjito tek mediat afër tij.

Asgjë nuk ka për të ndodhur. Berisha do të shkojë çdo seancë në Kuvend dhe do të bëjë atë që do vetë dhe që di më shumë: opozitarizëm radikal. Do ta ndjekin gjysma e grupit parlamentar të PD, gjysma tjetër do ta aprovoijë në heshtje me në krye Bashën, do drejtojë të gjitha fijet e kësaj partie në prapaskenë, do ta “lejojë” Bashën që të mbajë letrat hapur me partnerët tanë amerikanë dhe europianë. Madje dhe me Edi Ramën.

I vetmi “penalizim” për Lulzim Bashën, nëse mund të thuhet tamam kështu, do të jetë se tani e tutje do të jetë i detyruar t’u dalë zot vetë vendimeve të tij në raport me opozitën, marrëdhëniet me aleatët tanë të mëdhenj dhe me mazhorancën. Tani e tutje e ka të pamundur që të justifikohet te SHBA dhe BE se ‘ai do por nuk e lejon Berisha, iu cili ka në dorë PD’.

Këtë të keqe të vetme ka “atvrasja”, që ndonëse është me lejen e vetë Berishës, Basha do të jetë i detyruar të mbajë përgjegjësi sikur është vërtetë vendim i tij, përgjegjësi që do të shtrihet në të gjitha lëvizjet politike që do të ndërmarrë PD tani e tutje, duke marrë dhe kostot e dështimit.

Ndryshe do të shembej gjithë skema e ngritur me kujdes e “atvrasjes”, si zgjidhja e vetme që të dalë nga ngërçi ku ishte futur në marrëdhënie me ndërkombëtarët për shkak të Berishës, dhe të vetë Berishës, i cili duke qënë se nuk e njeh “marrshin indietro”, pra tërheqjen zyrtare nga PD me vendim të tij personal, gjen zgjidhje me këtë “pabesi” me leje të Bashës.

Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe një fakt të “vogël”. Në të vërtetë i vetmi që u penalizua tamam ishte Mark Marku, i cili dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe forumet e PD. Ishin dakord si Berisha ashtu dhe Basha, pasi Marku mund të sillte dhe do të sillte andralla për ta, sepse nuk kishte pyetur as Berishën kur ishte deputet në 2009-2013 dhe as Bashën në këtë legjislaturë. Prandaj e detyruan të ikte pak përpara “atvrasjes”!

Ndaj, zhvillimet hap pas hapi do të nxjerrin në pah dyshimin për këtë këtë skenar, duke qënë se Berisha ka në shumicë në forumet drejtuese të PD njerëzit e tij, të cilët nuk marrin leje asnjëherë tek Basha, por flasin e veprojnë vetëm me lejen e liderit historik.

Prandaj themi se kjo është një zgjidhje e përkohshme, që nuk e ndryshon stukuonë në PD, e lë atë me dy koka drejtuese e të pasigurtë për të pretenduar mundjen e Edi Ramës dhe ardhjen në pushtet të opozitës.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?