Irena Kostaki alias (Zeria), nga fshati Miras i Devollit e arrestuar një ditë më parë nga policia e këtij rrethi, rezulton të jetë e sëmurë mendore dhe herë pas herë trajtohet me shërbim mjekësor për gjëndjen mendore. Kostaki, është ndaluar në banesën e saj, pasi qysh prej datës 16 tetor 2020 në adresë të prokurorisë së Korçës, kishte mbëritur një vendim penal nga gjykata e Lamias në Greqi, e cila ka dënuar në mungesë Irena Kostakin me 20 vjet burgim.
Në momentin e arrestimit, gjëndja shëndetësore e Kostakit është përkeqësuar, ku nuk kanë munguar lotët dhe kërkesat për ndihmë të gruas tek policët, për të cilën Greqia kërkon njohjen e vendimit penal, ku Kostaki është dënuar me 20 vjet heqje lirie.
Tashmë prokuroria e Korçës ka depozituar kërkesën për njohjen e vendimit penal, por është ende e paqartë se në cilin burg do izolohet 46-vjeçaria, e cila vuan nga sëmundje depresive. Sipas dosjes hetimore që ka mbëritur nga Greqia në Shqipëri, thuhet se Irena Kostaki në gjendje të qetë psikologjike, ka vrarë duke e mbytur me duar vajzën e saj 9 muajshe, Ioanna Kostaki.
Për këtë krim të kryer në vitin 1997 brenda qëndrës së paraburgimit të grave, ajo është dënuar në mungesë në vitin 2015, vendim i cili nuk është apeluar prej saj. Sipas materialit hetimor, Irena ishte që nga data 28 gusht 1996 me masë sigurie në Qendrën e Paraburgimit të Femrave “Korydallou”, por ajo është arratisur nga ky burg në datën 5 mars 1997, duke e bërë të pamundur vendimin e dënimit të saj në vitin 2015.