Vranë vajzën e shtëpisë dhe e groposën në Malin me Gropa, lihet në fuqi vendimi për dënimin me 50 vite burg të Faik dhe Shkëlzen Bucit

16 Nëntor 2022, 10:43| Përditesimi: 16 Nëntor 2022, 11:59

  • Share

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi dënimin me 50 vite burg për babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buci. Ata akuzohen për vrasjen e 23-vjeçares Eglantina Buci. Ngjarja e rëndë u regjistrua në vitin 2012 në Malin me Gropa dhe u zbardh vetëm pas rrëfimit të një dëshmitari, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë në vitin 2020.

Hetimi tregoi se Eglantina në atë kohë 23 vjeç u mor në makinë nga i vëllai Shkëlzeni, siç thotë Prokuroria, me kërkesë të babait Faik Buci dhe u ekzekutua me armë zjarri në Malin me Gropa, ku edhe iu fsheh trupi. Prokuroria doli në konkluzionin se shkak për vrasjen ishte bërë mospranimi nga e reja të për t’u fejuar me djalin e zgjedhur nga i ati dhe largimi nga banesa. Dy të pandehurit kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Si u zbulua ngjarja pas 10 vitesh?
Eshtrat e Eglantinës u gjetën nga një gjuetar në datën 13 shtator 2012, por sipas ekspertëve vrasja kishte ndodhur gati 6 muaj më parë. Policia është kthyer në vendin krimit më 21 shtator 2012 ku janë gjetur një pjesë e eshtrave të Eglantinës. Një pjesë e rrobave të Eglantinës ishte e djegur. Hetimet vijuan për më se 6 muaj, për t'u mbyllur më pas në 25 janar 2013. Por dëshmia e dëshmitarit kyç me inicialet M.T, i cili ka treguar se Shkëlzen Buci,vëllai i saj, që ishte në burg për një tjetër çështje, kishte vrarë motrën e tij. Kjo dëshmi bëri që të rihapeshin hetimet në 2018, për të çuar më pas në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Dëshmia kyçe e shokut të autorit
Babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buci kanë vrarë vajzën e shtëpisë, pasi kjo e fundit kishte shkuar të bashkëjetonte me një djalë pa pëlqimin e familjes. Dëshmitari okular i ngjarjes ka qenë shoku i ngushtë i Shkëlzen Bucit, i cili ka shërbyer për zbardhjen e plotë të këtij krimi makabër. E gjithë skena është parë nga ai, teksa ka qenë i pranishëm edhe në momentin e krimit. Më parë ai ka rrëfyer me detaje nga biseda që ka pasur motër e vëlla deri te momenti i vrasjes. Eglantina i kishte kërkuar ndihmë dëshmitarit që ta ndihmonte dhe ai i kishte dhënë fjalën se nuk do t'i ndodhte gjë, por nuk ndodhi kështu.

Si ndodhi vrasja?
Shkëlzeni ka thirrur motrën e tij për kafe, teksa ishte i shoqëruar në shokun e tij. Në momentin që nuk po shkonin për kafe, por rrugës për te Mali me Gropa, motra, Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk po shkonte. Aty Shkëlzeni ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb në nofullën e majtë duke e lënë të vdekur në vend. E gjithë skena është parë nga shoku, i cili ka ndërhyrë duke i thënë "më vrit dhe mua", por që Shkëlzeni nuk e ka bërë. Ka qenë dëshmia e këtij, që ka shërbyer si spunto më pas për zbardhjen e këtij krimi, edhe pse 10 vite më pas. Nisur nga kjo, shoku ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

 

2 të dënuarit dhe viktima Eglantina Buci

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?