Tentativa për ta paraqitur fillimisht si vetëvrasje ngjarjen e 2 shtatorit ku humbi jetën 37-vjeçarja Amanda Pushani, është bërë shkak që prokuroria të kryejë verifikime komplekse për verifikimin e rrethanave të krimit në rrugën e Kavajës në Tiranë
Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për mësuesen 40-vjecare të Gjuhës Shqipe, Marsela Pushani, e cila akuzohet për vrasjen e motrës së saj Amanda Pushani. Ndaj të dyshuarës janë ngritur akuza të rënda si ajo e vrasjes dhe e moskallëzimit të krimit, për të cilat Marsela Pushani me profesion mësuese rrezikon të dënohet deri në burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore. 40-vjecarja pritet të dalë të martën para gjykatës.
Pretendimet e saj për një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, pritet të provohen edhe shkencërisht nga organi i akuzës duke kryer ekspertiza të tjera. Edhe nëna e dy vajzave e cila është marrë ne pyetje, në dëshminë e saj ka dhënë të njëjtin version si e arrestuara Marsela Pushani. Sipas saj, viktima Amanda Pushani prej vitesh ishte e alkoolizuar dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj saj dhe motrës së saj për t'i marrë para për alkool. Ditën e ngjarjes, e ëma ka thënë se 37-vjeçarja ka ardhur e dehur në banesë dhe i ka kërcënuar me thikë. Në momentin e përleshjes Marsela i ka marrë thikën dhe e ka goditur në kushtet e vetëmbrojtës.
Por, prokuroria do të kryejë të tjera ekzaminime dhe ekspertiza për të vërtetuar nëse vrasja e Amandës ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, siç ka pretenduar motra dhe nëna e saj apo jemi përpara një vrasje. Burime nga grupi i hetimit thanë se prokuroria ka kërkuar kryerjen e ekspertizave të tjera mjeko ligjore mes të cilave edhe ato daktiloskopike të gjurmëve në banesën ku ka ndodhur krimi. Prokuroria ka sekuestruar thikën që mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 37-vjeçares ndërsa një tjetër analizë do të jetë edhe ajo e përqindjes së alkoolit në gjakun e viktimës. Të gjitha këto pritet të zbardhin dinamiken e ngjarjes së rëndë që ka ndodhur ne banesën e viktimës e cila jetonte së bashku me nënën dhe motrën e saj.
Ditën e krimit ngjarja është fshehur nga dy pjesëtaret e tjera të familjes duke e raportuar si vdekje natyrale dhe me pas autopsia nxori në pah edhe shkakun e vërtetë të vdekjes që ishte goditja me thikë në pjesën e barkut. Një tjetër pistë që do të verifikojë prokuroria është nëse ka pasur persona të tjerë në skenën e krimit.
Pas vrasjes së 37-vjeçares Amanda Pushani nga motra e saj, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe në nënën e vajzave. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka mësuar se e moshuara në dëshminë e saj ka dhënë të njëjtin version si e arrestuara Marsela Pushani.
Sipas saj, viktima Amanda Pushani prej vitesh ishte e alkoolizuar dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj nënës dhe motrës së saj për t'i marrë para për alkool. Ditën e ngjarjes, e ëma ka thënë se 37-vjeçarja ka ardhur e dehur në banesë dhe i ka kërcënuar me thikë. Në momentin e përleshjes Marsela i ka marrë thikën dhe e ka goditur në kushtet e vetëmbrojtës.