Aleksandar Vuçiç

Vuçiç mohon se ka raporte të ngushta me Putinin: Ne nuk jemi ‘Kali i Trojës’ për Moskën

31 Gusht, 16:43| Përditesimi: 31 Gusht, 16:45

  • Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar se ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se kandidatura e shtetit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një “Kali i Trojës” për Moskën, pavarësisht se shteti i tij ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve të tjera me bllokun.

Duke folur në konferencën Globsec në Pragë më 31 gusht, Vuçiç tha se ai nuk është takuar apo nuk ka biseduar me Putinin në të paktën dy vjet e gjysmë, që kur trupat ruse nisën pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira - nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo - me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve”.

Ai tha se përderisa së fundi ka pasur një bisedë “të mirë” me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu këtë javë po qëndron në Pragë, “askush në Evropë nuk pajtohet me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë pozicionin tim”.

Ai shtoi se mendon se Serbia është duke zbatuar agjendën e saj të rritjes dhe reformave “më mirë se kushdo tjetër”.

Serbia dhe Turqia janë shtetet e vetme kandidate të BE-së që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Zyrtarët serbë, veçmas zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, kanë mbajtur raporte të ngushta me Moskën që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Vuçiç u bëri thirrje partnerëve evropianë që të tregojnë më shumë besim ndaj qëllimit të Serbisë për t’iu bashkuar bllokut evropian.

Ai tha se procesi varet jo në raportet e Serbisë me Rusinë, por në normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Po, ne jemi në rrugën evropiane dhe problemi më i madh për Serbinë.... është raporti ynë me Prishtinën”, tha Vuçiç, duke shtuar se kjo çështje është e vështirë për shtetin e tij.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi është të krijohet besim i ndërsjellë mes Serbisë dhe BE-së, e jo Serbia të shihet si “Kali i Trojës” për Rusinë”, tha Vuçiç.REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?