Presidenca

Ylli Pata: 2012-2022, dy modelet e kundërta të negociatave për presidentin

30 Maj 2022, 19:48| Përditesimi: 30 Maj 2022, 19:50

  • Share

Tashmë u shua mundësia, të paktën numerike që Presidenti i Republikës të zgjidhet me 84 vota, çka i jepte mundësi vendit të kishte një përfaqësues më të gjerë në postin më të lartë të shtetit.

Opozita dhe mazhoranca i hodhën fajin njëra-tjetrës për mungesë vullneti për konsensus. Mund të diskutohet se kush më shumë e kush më pak është fajtor për mos arritjen e konsensusit, por fakt është se mazhoranca dhe opozita në Shqipëri janë ende larg atij momentit kur duhet të punojnë së bashku për të ngritur institucionet.

Koha do ta provojë, sesa Presidenti i ri, i zgjedhur me votat e mazhorancës socialiste, do të jetë një kryetar shteti që të moderojë e përfaqësojë edhe njerëzit që nuk i përkasin shumicës qeverisëse.

Megjithatë, për ta pasur më të qartë situatën, mjafton të përballim dy panorama e negociatave për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 e sot.

Në 2012, pasi ishte hera e parë pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ku kreu i shtetit zgjidhej edhe me shumicë absolute në Kuvend. Përpara kësaj here, Presidentët zgjidheshin vetëm me 84 vota, ndryshe, nëse dështonte zgjedhja e kreut të shtetit, atëherë vendi shkonte automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në vitin 2012, pas mbarimit të mandatit të Bamir Topit, vendi kishte një shumicë qeverisëse PD-LSI, e cila kishte në Parlament 74 vota. Sali Berisha, atëherë kryeministër, propopozoi Xhezair Zaganjorin si një kandidat konsensual për President të Republikës, pa u konsultuar paraprakisht me Partinë Socialiste.

Berisha i kërkoi vetë Zaganjorit që të zhvillonte negociatat me opozitën. Juristi që në atë kohë ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, zhvilloi takim me PS-në, e cila nuk i dha pëlqimin për ta votuar si kandidat konsensual. Por ndërkaq në tre raundet e votimit për President nuk u paraqit asnjë kandidat, e në prag të raundit të katërt, Zaganjori tërhiqet dhe nuk pranon që të jetë një President vetëm i njërës palë.

Me rënien e Zaganjorit, Mazhoranca bën tentim tjetër për “kandidaturë konsensuale” por sërish nuk bisedon me opozitën, thjesht me aleatët e shumicës. Kështu përvijohet si kandidat për President, ekonomisti Artan Hoxha, i cili nisi aplikimin për President dhe kandidatura e tij shkoi edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, për të shkuar e votuar në seancë. Hoxha, madje shkoi me eskortë të gardës në Parlament, por u kthye rrugës, pasi mazhoranca ndërroi mendje për të zgjedhur të ndjerin Bujar Nishani, në atë kohë anëtar i kryesisë dhe ministër i PD-së. Siç dhe ndodhi në fakt.

Praktikisht mazhoranca nuk se kërkoi një kandidaturë konsensuale nga opozita, por thjesht nxori një emër dhe pa bisedime paraprake i tha që të siguronte kandidati vetë, votat e opozitës. Një proces dukshëm pa asnjë lidhje me logjikën konsensuale, por thjesht një veprim i njëanshëm për tu shitur si vullnet mirë për konsensus.

Ndërsa këtë herë, mazhoranca socialiste, e cila gjithashtu si në vitin 2012, ka 74 vota në Parlament, i kërkoi opozitës që në dy raundet e para për zgjedhjen e Presidentit, kur kërkohet 84 të sillen kandidatura të saj zyrtare, me firmat e deputetëve për t’i votuar në seancë.

Opozita e Alibeajt, pasi atë të Berishës mazhoranca nuk dëshiron të ketë raporte, kërkoi që mazhoranca ta vendosë në një dokument të shkruar që propozimi i Presidentit të Republikës , duhet t’i takojë opozitës, e mazhoranca ta votojë.

Të dyja këto variante, nuk janë negociata, e thellësisht nuk përfaqësojnë një vullnet politik apo dëshirë për konsensus. Megjithatë, kemi të bëjmë me një proces, i cili gjithsesi kishte një mundësi për tu demonstruar në Parlament politikisht.

Opozita, mund të kishte kandiduar një emër të sajin për President, duke e shoqëruar natyrisht me një sërë argumentesh e arsyesh drejtuar jo vetëm mazhorancës, por edhe publikut. Nëse mazhoranca nuk do ta votonte, ajo do të merrte një përgjegjësi, do të kryente një akt politik, që ose i bëntë dëm ose dobi, varet nga cilësia e figurës që përfaqëson kandidatura.

Përveç një prove të tillë ndaj mazhorancës, sipas të gjitha gjasave, votimi i kandidatëve nga opozita, do të tregonin edhe humored politike brenda grupeve të PS-së dhe aleatëve të saj në Kuvend. Nga ana tjetër, gjithashtu do të ishte një provë edhe për sjelljen e opozitës tjetër larg grupit 35, pra grupit të Mesila Dodës e Fatmir Mediut, por edhe të deputetëve të Sali Berishës.

Pra këtë herë, mazhoranca i dha një mundësi për aksion politik opozitës, e cila nuk humbte asgjë nëse e vinte në lëvizje. Ndryshe nga viti 2013, kur gjithçka ishte lojë me maska…/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?