Në shtatorin e vitit 2021, policia franceze, me një urdhër gjykate në xhep, trokiti në derën e Nikolas Sarkozy, president i Republikës për 5 vjet.
Pasi dera u hap, një nga njerëzit më të fuqishëm të Europës e pa veten në një qeli të ftohtë paraburgimi, për të cilën, shprehu më pas dizaprovimin e tij se e kishin trajtuar si kriminel ordiner. Sarkozy, u përball dhe u dënua për financim të ligjshëm të partisë së tij- “Les Republicains” ose ish-partia goliste e qendrës së djathtë. Anëtare e PPE-së, madje një nga komponentët më të fortë të saj.
Edhe pse partia nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur zotin Sarkozy, republikanët francezë nuk kanë ngritur kokën që atëherë. Madje kanë vuajtur edhe çështje të tjera gjyqësore. Megjithatë, Franca nuk ka mbetur asnjë ditë pa opozitë, atë e kanë përthitur dy komponentë ekstreme të politikës në vend, ajo e ekstremit të djathtë dhe e ekstremit të majtë. Ndërkaq, ai që quhet elektorati gri, apo pjesa që i ka dhënë gjithmonë fitoren neogolistëve francezë ka dy mandate që shkon tek centristi Emanuel Macron.
E në fakt kështu shkon dialektika e politikës, kush merr një akuzë zyrtare nga pushteti gjyqësor paguan politikisht pasojat. Ndërkaq në Shqipëri, opozita shqiptare ka të paktën dy mandate që paguan politikisht pasojat e kundërshtimit të Sali Berishës dhe Ilir Metës ndaj reformës në drejtësi. Aksion që siç po shikohet, e do të shikohet edhe më shumë, sjell rrëzimin e kështjellës së pandëshkueshmërisë.
Opozita shqiptare ka humbur shumë nga ky aksion i çiftit Meta-Berisha, e humbjen më të madhe e ka arritur pikërisht në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti, të cilat kanë qenë edhe eventi më i rëndësishëm i vitit 2023. Një revolucion në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ku edhe votuesit më besnikë të Sali Berishës, i dhanë atij një mesazh të qartë e të prerë: Doktor, të lutëm na lër rehat.
Ditët e fundit, kur çështja gjyqësore ndaj Sali Berishës po bëhet edhe më intensive, njerëz që e mbështesin doktorin nuk reshtin së përsërituri se ky është një aksion kundër opozitës. Pasi sipas tyre, një Berishë i goditur e copëton e shkatërron opozitarizmin në Shqipëri.
Receta që japin mbështetësit e Berishës është vetëm një, si ajo për Belerin. Të ndalen aksionet gjyqësore ndaj doktorit. Po si? Shumë e thjeshtë: rikthimi i një statuskuoje, e cila më shumë se gjyqësore është politike. Pasi mban peng opozitën shqiptare thjesht e për fatin e Sali Berishës.
Por në fakt, e gjitha u zgjidh me vullnet të qartë e të hapur të Sali Berishës. i cili me anë të mekanizmave influencues e kontrollues brenda opozitës, bëri që të çaktivizonte elektoralisht PD-në zyrtare dhe të linte në garë vetëm aleancën e foltores me PL-në e Ilir Metës.
Rezultati që ka marrë Sali Berisha më 14 maj është realisht thelbi i mesazhit politik kombëtar. Mjafton të shikohet vota e Shkodrës, Lezhës, Kurbinit, Tropojës, por edhe Kukësit. Që mbetën në vite të fundit si bastione të opozitës anti-Rama.
Berisha flet për blerje të votave në Velipojë, por pak e dinë që Velipoja ka qenë socialiste që në vitin 1992. “Bashkë Fitojmë” ka humbur në zona të qytetit, ku PD jo vetëm ka fituar thellë, por e ka bërë këtë edhe në periudha të rënda të saj, si viti 1997 për shembull.
Koalicioni i Berishës me Metën patën një diferencë humbjeje prej 12 mijë votash në një bashki ku në ditën më të keqe diferenca e fitores ishte më e madhe se 15 mijë vota. Është mesazh politik, për të mos folur për Kamzën, apo Tropojën. Shkodra është një piacë politike e nivelit të lartë, ku analiza nuk duhet parë thjesht në sasinë e votave, por në ajkën e mesazhit politik që ka dhënë ai komunitet.
Jemi në një epokë të re, e cila sot është konfuze si pasojë e një pushteti të madh të mazhorancës, por opozita në shoqëri është aty. Madje gati për të shpërthyer, ndoshta edhe brenda së majtës. Ka vetëm një faktor që e ndalon këtë-Pandëshkueshmëria. Është fakt që këtu ka fituar Edi Rama se e ka pasur armë, por edhe është plagosur mjaft si mazhorancë. Megjithatë politikisht, PS e ka ndarë fatin e saj me çdo të akuzyar zyrtarisht nga SPAK.
Këtë e ka bërë edhe opozita, por që nuk është në institucione, po rata që kanë votuar. E sinjalin e dhanë që në 25 prillin 2021 kur Sali Berisha ishte ndër deputetët me më pak preferencë personale në qarkun e Tiranës. Sinjalet kanë qenë aty gjithmonë, thjesht oligarkët e kësaj opozita duan t’i bllokojnë artificialisht vetëm për fatin gjyqësor të doktorit. i cili është krejt i ndryshëm me atë politik. TemA