Që pas humbjes së 25 prillit 2021, eksponentët kryesorë të opozitës aktuale, ende pa u shkërmoqur, por gati për t’ju vërsulur njëri-tjetrit, bombarduan SPAK me denoncime ndaj eksponentëve më të rëndësishëm të mazhorancës që fitoi mandatin e tretë qeverisës.
Prokuroria Speciale, e sapo konstituar, e nisi punën hetimore e përgatitjen e dosjeve akuzatore pikërisht me materialet e ardhura nga opozita.
Edhe pse në derën e SPAK kishin radhë prej vitesh jo vetëm denoncimet për CEZ-DIA, privatizimin e CEZ, privatizimin e Klubit Partizani, Gërdecin, 21 janarin, por edhe mijëra e mijëra denoncime e informacione nga qytetarë të thjeshtë.
Dihet tashmë që rasti i çështjes ndaj Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos nisi pikërisht pasi Monika Kryemadhi depozitoi në SPAK një sërë dokumentesh, ku flisnin për abuzime të zyrtarëve të lartë. SPAK nisi hetimin, duke marrë spunto nga ai material. Kështu ka ndodhur thuajse në shumicën e dosjeve të hapur ndaj zyrtarëve të lartë të mazhorancës.
Nga ana tjetër, edhe hetimi për klubin Partizani, pra për marrjen e pronave të tij nga familja e Sali Berishës, ka ardhur pas materialit voluminoz që ka dorëzuar atje Taulant Balla, në atë kohë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Është krejt normale e logjike që përfaqësuesit politikë, të cilët kanë kohën, mundësitë, burimet, e natyrisht detyrën për të ndihmuar drejtësinë me materiale investigative, të ushqejnë me besim këtë institucion të ri në vend, siç është organi që merret posaçërisht me zyrtarët e lartë që abuzojnë detyrën.
Është normale, edhe pse arsyet se përse politika ka bombarduar SPAK me padi është veçse politike. Ishte politike qartësisht manovra e LSI-së kundër Lefter Kokës, jo vetëm si hakmarrje ndaj “tradhëtisë” politike, por si lëvizje për të balancuar një hetim të mundshëm ndaj Metës. Siç ashtu edhe PD-ja e ka bërë lëvizjen e vet, për të kundërpeshuar hetimet ndaj Sali Berishës. Në fund të fundit, secili bën punën e vet.
Me dështimin e herës së tretë kundër Edi Ramës, opozita, me gjithë arsenalin e saj propagandisitik e mediatik, e ka mbështetur tek rrëzimi moral i mazhorancës, duke ju referuar rasteve të shumta të hetimeve, arrestimeve dhe dënimeve të zyrtarëve të lartë.
Edhe kjo qasje është krejtësisht normale, pasi një nga armët e politikës është vizatimi sa më negativisht i kundërshtarit dhe goditja e tij në mënyrë për ta dobësuar.
Por, kjo situatë, pra kur një forcë politike të rrëzojë keqas kundërshtarin politik, duke përfituar nga hetimet antikorrupsion mund të ndodhë në një kohë të ardhme, kur të jetë fuqizuar dhe “normalizuar” plotësisht drejtësia e re, ose në një vend të pjekur demokratikisht dhe me institucione të forta.
Në rastin tonë, njerëzit e kanë të freskët atë që ka ndodhur dhe ndodh aktualisht ne këtë opozitë, që ka bërë luftë në vite me radhë për të mos u instaluar SPAK. Edhe sot, Sali Berisha dhe njerëzit e tij, por edhe Ilir Meta, e quajnë SPAK o “organizatë kriminale” o vegël e Edi Ramës.
Dhe ka qenë pikërisht prej kësaj sjellje të qartë e të egër politike 10 vjeçare të kësaj opozite, që e ka ndezur zjarr vendin disa herë, madje edhe duke e çuar drejt kolapsit institucional, që shumica e njerëzve ka votuar Edi Ramën.
Nuk ka asnjë arsye tjetër përveç reformës në drejtësi, që Edi Rama ka marrë 3 mandate njëri pas tjetrit. Natyrisht që Rama e ka ditur që kjo që po bën do të sjellë edhe kosto për mazhorancën e tij. Kosto, që duket qartë në perceptimet që sjellin edhe sondazhet periodike.
Por në fund, po Edi Rama është pretendent numër 1 për të marrë mandatin e katërt, ndërsa kjo opozitë ka objektiv që thjesht ta dobësojë sa më shumë.
Kjo është diferenca kur ndërmerr apo sulmon një “revolucion” real siç është SPAK. Të gjithë përfaqësuesit e politikës së vjetër, apo edhe juristët e hershëm nuk e honepsin fare sistemin aktual të drejtësisë. Urrejnë sepse nuk e pranojnë që Prokurori i Përgjithshëm apo shefi i një zyre prokurorie nuk është njeriu që komandon ndjekjen penale apo hapjen e një dosjeje.
Sot me drejtësinë e re, çdo prokuror, jo vetëm të SPAK, mund të hapë një dosje penale, edhe në korrupsion. Por, për tu kthyer në një çështje fituese, duhet të luftojë me prova në gjykatë, njëherë në gjykatën paraprake, e më pas në gjykatën e shkallës së parë, apel, e në Gjykatën e Lartë. Ky është realisht një revolucion që pas pak vitesh do të japë një rezultat shumë më të madh që mund ta japë çdo politikë apo qeveri e vendit.
Vetëm në një vit, SPAK realisht ka dhënë efekt të fortë, kryesisht në radhët e zyrtarëve të lartë apo drejtorët fodullë e krekosur të mbytur në luks e “firmata”. Sikur nuk shikohen më makina luksoze nga kjo “rracë” zyrtarësh se u ka hyrë tartakuti. Sa për akuza e kritikat në panele, ata edhe pse të vrazhda i bëjnë mirë jo vetëm SPAK, por edhe të gjithë drejtësisë. Pasi një “llastim” mediatik do të kishte efekt krejt tjetër në rezultatet reale…/Tema