Vijimi i dëshmive nga militantë të Partisë Demokratike që mohojnë se kanë firmosur formularin e Berishës për Kuvendin e 11 nëntorit, po merr një reagim të çuditshëm nga përkrahësit e ish-kreut të PD-së.
Argumenti i tyre është se vërtetë mund të ketë njerëz që nuk e kanë firmosur, por rezultojnë se kanë firmosur, po shumica e njerëzve që kanë firmosur janë realë. Pasi sipas tyre, duhet 1800 firma për të mbledhur Kuvendin, ata kanë mbi 4 mijë.
Në fakt ky është realisht mentaliteti i elitës politike shqiptare që rregullat, proceset e standardet i vlerësojnë sipas mides.
Çdo gjë është e rregullt, kur është në favor të tyre, e anasjelltas nuk është e rregullt kur i dëmtojnë.
Procesi i thirrjes së Kuvendit të Partisë Demorkatike, ka marrë një vëmendje kombëtare, pasi kemi të bëjmë me një zhvillim shumë të rëndësishëm politik, madje epokal.
Do të ndeshet përfundimisht Sali Berisha me Lulzim Bashën, ndeshje që është provokuar vetëm nga qëndrimi i SHBA për të ndëshkuar ish-kreun e PD-së.
E në të gjithë turin më shumë se dy mujor të Sali Berishës, kontestimi i Lulzim Bashës bazohet pikërisht në faktin se kreu i PD-së dëgjoi amerikanët për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, e si pasojë duhet të largohet.
Pikërisht ky qëndrim i qartë e i pastër anti-amerikan, ka krijuar një vëmendje të rëndësishme në publikun shqiptar. Sikur të kishim të bëjmë thjeshtë me një përplasje e brendshme në PD se kush do të merrte drejtimin e partisë, apo si do të ndaheshin postet, kjo vëmendje do të ishte aq sa i takonte si kronikë politike.
Por realisht është diçka më shumë, pasi prek një element që konsiderohet kyç për publikun, siç janë marrëdhëniet me SHBA-në.
E siç dihet në PD pra ndërmjet Bashës e Berishës ka dy rryma që përplasen për këtë çështje, e ndaj dhe vëmendja është e madhe për procesin e kësaj përballje.
Në këtë logjikë, askush nuk e mohon influencën e Sali Berishës në radhët e demokratëve, lidhjet që ai ka me mjaft anëtarë e votues të PD-së në 30 vitet e fundit. Por duke u nisur pikërisht prej përplasjes së madhe, pritja është që kjo përballje të bëhet sa më e rregullt që të jetë e mundur.
E duke qenë e tillë, edhe procesi i thirrjes së Kuvendit nëpërmjet firmave të anëtarëve pritej të ishte i qetë, i rregullt, transparent e krejt i pandotur.
Por siç janë verifikuar ngjarjet, kemi pasur raste të një parregullsie të mbledhjes së firmave. Nëse vërtetë Berisha pretendon se e ka situatën në kontroll, pra ka shumicën e anëtarësisë me vete, atëherë përse ka pasur një numër të madh parregullsish?
Njerëzit që përkrahin Berishës thonë edhe në rrjete, por edhe në panelet e darkës se shumica e formularëve janë të rregullt, por ka ca parregullsira. Ligjërisht, e logjikisht, një proces nëse është i prishur, është i tëri e jo pjesërisht. Është si anektoda e njohur që një grua është pak shtatzënë.
Nëse Sali Berisha është i sigurtë se ka shumicën e anëtarësisë, të strukturave të PD-së me vete, atëherë normalisht të gjithë këtë proces do ta bënte normalisht sipas rregullave e procedurave. Për të ardhur në një Kuvend Kombëtar, ku Sali Berisha dhe Lulzim Basha do të përballen hapur secili me qendrimet e veta.
Sali Berisha pikërisht këtë nuk do; një përballje qëndrimesh me Lulzim Bashën në Kuvend, por do një kryefoltore, ku të flasë vetëm ai, e platea të jenë njerëz që kalojnë filtrin e tij, e jo pjesën reale të Kuvendit të Partisë Demokratike.
Realisht është absurde që të ketë dy Kuvende, sidomos tani që edhe kryesia e PD-së e ka thirrur këtë institucion. Lë të mblidhen në një vend të dy palët; të flasin para anëtarëve si Sali Berisha e Lulzim Basha, e në fund të marrin një vendim politik.
Një vendim politik që do të jetë për Partinë Demokratike ndoshta më i rëndësishmi në 30 vjet. Por duket këtë nuk e do Berisha, ai do thjesht një foltore të madhe, siç ka ndodhur me foltoret lokale. Po përveç Bashës e Berishës, ka zëra të tjera në PD?!/TemA