Ilir Meta

Ylli Pata: 'Argumenti' melankonik i 'ndërprerjes në mes' të karrierës së Ilir Metës

25 Gusht 2022, 18:24| Përditesimi: 25 Gusht 2022, 18:26

  • Share

Që pa u shpallur hetimi nga SPAK, pikërisht sa doli çështja e dosjes së Sigurimit të Shtetit, nga mbështetës mediatikë po rreket një diskurs “melankonik” për fatin e Ilir Metës.

Një qasje që shkon kah viktimizimi, deri në shpalljen “martir” të një “regjimi të frikshëm” që nxitet nga “imperialistët amerikanë”, të cilët duan të ndalin karrierën në ngjitje të një “të rioshi premtues e të talentuar”, që do të sjellë më në fund pakëz drejtësi, pakëz sovranitet e pakëz liri në vendin e shqiponjave, i cili për 30 vjet ka pasur deputet, ministër, zv.kryeministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti e President Republike, pikërisht “talentin e ri” që duan t’i copëtojnë karrierën, duke copëtuar kështu ëndrën e “popullit të 2 marsit” që të kenë më në fund në krye të vendit…atë që ka qenë këtu prej vitit të largët 1991.

E kështu, na e kanë mërzitur, e kanë trazuar aq shumë “talentin e ri” sa ai është bërë nervoz, aq shumë sa nuk i mban dot emocionet. Ndaj shpërthen e bërtet, por edhe vallëzon e këndon, për inat të atij që do ta thyejë në mes.

E gjithë kjo panoramë ku i qajnë hallin Metës, e nga inati ju turren rrjeteve sociale të ambasadës amerikane, ku shajnë Bidenin e Blinkenin me libër shpie, duket se është një bocet për një pjesë teatri absurd, më shumë se një skenë politike në një vend anëtar i NATO-s dhe që sapo ka nisur bisedimet për tu bërë anëtar i Bashkimit Europian.

Që kur një hetim penal në një vend perëndimor konsiderohet si një “sulm për të ndalur karrierën”, apo për të prishur imazhin? Në SHBA, vendin më të fuqishëm të botës, Presidenti, i cili ka fuqi madje sa firmos dekretin për të nisur një luftë, është hetuar e gjykuar: në detyrë si Bill Clinton, apo kur është larguar si në shumë raste. Ai i Donald Trumpit është më i freskëti.

Në Francë, të gjithë Presidentët, që nga legjenda Charles de Gaulle, Francois Mitterrand, Jacques Chirac, e deri te Nicolas Sarkozy, janë hetuar pas lënies së detyrës nga Prokuroria e shtetit për çështje të abuzimit me detyrën dhe fondet publike. Të gjithë janë mbrojtur me avokat, duke mos u viktimizuar. Në Itali, thuajse të gjithë kryeministrat që nga Andreoti, Craxi, Berlusconi, e deri te D’Alema, Dini apo Matteo Renzi, janë hetuar nga zyrat e Prokurorive që janë shpërndara në çdo provicë të vendit dhe veprojnë në mënyrë të pavarur, siç funksionon aktualisht edhe drejtësia shqiptare.

Berlusconi është rasti që mban rekordin thuajse në të gjithë botën, sa janë të famshme barsaletat e tij kur dilte përpara mediave e thoshte me shaka se: “e gjithë java ime është e zënë me audienca gjyqesh, para dite e pasdite”. Kjo ngaqë ndaj tij kishte procese për lidhje me mafien, procese për çështjen Ruby(minorenen që mori pjesë në një festë në shtëpinë e tij dhe që e nxori nga policia duke bërë shaka se është mbesë e Mubarakut), procese për evasion fiskal, proces për korrupsion, si dhe një sërë procesesh të tjera për disa skandale e afera të ndryshme. Ish-kryeministri Italian u dënua vetëm për evasion fiskal me punë të detyrueshme në një shtëpi kujdesi për të moshuarit, si dhe ju ndalua kandidimi për disa vjet në politikë. Me mbarimin e këtij dënimi, Berlusconi është sërish në fushë, me të mirat e të metat e tij, me jetën private që gjithmonë mbush tabloidet dhe bizneset e tij të pafundme.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Ballkan, kryesisht në shtetet që u bënë anëtare të BE-së, si Kroacia, Rumania, Bullgaria, apo edhe Sllovenia. Edhe Greqia ka pasur një sërë rastesh të penalizimit apo hetimeve ndaj Papandreut, Karamnlisit, apo edhe ministrave të ndryshëm.

Pra, hetimi i organeve të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve e politianëve të lartë, është një fenomen normal në demokracitë perëndimore. Vetëm në vendet autokratike apo ku nuk ka demokraci, nuk ndodh që të hetohen të fuqishmit.

Hetimi ndaj të fuqishmëve, zyrtarëve, në vende të ndryshme të Perëndimit nuk kanë çuar gjithmonë në dënime, madje shpesh herë ka pasur edhe dyshime se ka pasur edhe ndikime politike për të nisur hetimet. Megjithatë ky është një fenomen që lubrifikon mekanizmin e sistemit politik, për të mos u kalçifikuar. Për të dhënë sinjalin se nuk mund të krijohen “legjenda” që ngjiten pas karrikes e më pas bëhen të paprekshëm.

Edhe tek ne, pa nisur reforma në drejtësi, nuk se s’ka pasur hetime të nivelit të lartë, por ose kanë qenë farsë apo politike si në rastin e Fatos Nanos, ose janë mbyllur me procedurë, apo janë mbyllur hetimet me presion të nivelit të lartë, siç ndodhi me rastin e videos Meta-Prifti, atë të rastit “Gërdeci”, “21 janarit”, rasti “remzi Hoxha” etj.

Asnjëherë më parë nuk ka pasur guxim një kryeprokuror që të nisë hetimet ndaj të fuqishmëve të këtij vendi. Kur e ka bërë në një nivel “mesatar”, ka marrë presionet e sulmet që kanë ndodhur në kohën e Ina Ramës-Kryeprokurore.

Ndërkaq, një pjesë tjetër e diskursit të grupimit që mbështet Sali berishën dhe Ilir Metën, është edhe termi “nuk ka besim te drejtësia” nga pala e tyre. Pasi ata e shikojnë si të komanduar nga Rama e mazhoranca.

Kur në realitet, pala që ka më afërsi me drejtësinë e re është SHBA e BE, e cila edhe monitoron me një mision të posaçëm e pjesë të Kushtetutës, të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës.

Gjithsesi, asnjë politikan në Perëndim, nuk se ka shumë besim nga drejtësia kur jo nis një hetim ndaj tij, pavarësisht se në publik përdor gjithmonë frazën standarde që nuk ndodh te ne: “Respekt maksimal për drejtësinë”.

Një zyrë prokurori nuk është as kishë e as xhami apo teqe, ku shkohet me besim apo për të larë mëkatet. Atje shkohet gjithe droje e frikë, pasi është një zyrë e shtetit ku përballet çdo qytetar që prokuroria i hap dosje penale. Si një qytetar i thjeshtë, si një president apo kryeministër janë njësoj(duhet të jenë thënë më mire).

Në fund të fundit, çdo proces kalon në filtrin e kohës, e cila është gjyqtari më i mirë. Nëse një zyrtar del i pastër, fuqia dhe popullariteti i tij rritet edhe më shumë, e ndoshta edhe karriera e tij. A nuk ndodhi kështu me Fatos Nanon, i cili edhe pse bëri 4 vjet burg “të thatë” te 313-a dhe në Bënçë, në vitin 1997 u kthye me popullaritetin e një ylli rock-u në krye të vendit?

Natyrisht që e gjitha kjo është një historik i ndjekjes penale të të fuqishmëve në vendet e Perëndimit, e në rastin aktual, pra atë të dosjes “Meta”- diskutimi duhet bërë mbi faktin, ngjarjen, dosjen në fjalë për të cilën është objekt dhe hetimi. Pa hyrë në justifikime melankonike, mllefe, apo inate të tipit: “të hetohet i pari Rama, pastaj Berisha e Meta”.

Këta dy të fundit janë realisht zyrtarët që pasyrojnë tipikisht atë fenomen që ambasadorja Yuri Kim përshkruan në deklaratën e fortë të ditës së djeshme: “Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?