Sali Berisha

Ylli Pata: Arsyet e monologjeve të Doktorit mbi 'Partizanin'!

16 Nëntor 2023, 19:24| Përditesimi: 17 Nëntor 2023, 09:22

  • Share

Duket jo e zakontë, madje e çuditshme aksioni publik që ka ndërmarrë Sali Berisha, ku prej ditësh në selinë ku ka zyrën e tij, me logon e PD po bën monologje mbi aktakuzën e SPAK për privatizimin e klubit “Partizani”.

Duket e çuditshme, pasi një qytetar normal pyet spontanisht se kujt i drejtohet doktori në këto rrëfime në vetë të parë. SPAK? Natyrisht që jo, pasi përndryshe do ta bënte këtë diskutim në sallën e gjykatës, nga ana tjetër, ai e hedh poshtë dhe e quan nul këtë akuzë, madje tendencioze, siç e shpreh vetë nga “larot e Edi Ramës”.

Po kujt atëherë i drejtohet Sali Berisha, i cili çdo ditë po gjen nga një nuancë të materialit maratonë të prokurorisë speciale ndaj tij dhe dhëndrrit Jamarbër? Gjasat janë se doktori kërkon të flasë me pasuesit e tij, me të cilët duket hapur se është hapur një hendek jo i vogël që kur ai u shpall i pandehur. Madje, pak më herët se kaq, që kur nisi historia e kullave të rrotullohet në zhvillimet e tij familjare.

Kjo marrëdhënie e krisur u pa që në ditën e parë kur SPAK ndërmori veprimet ndaj Berishës dhe zotit Maltezi, ku në selinë e SHQUP nuk pati ndonjë “përmbytje” militantësh.

E Berisha, i cili e ka dhe do ta ketë influencën dhe marrëdhënien me një pjesë të madhe të ndjekësve të tij, ka marrë përsipër të bëjë çfarë është e mundur, madje edhe të pamundurën, për ta mbushur hendekun e krijuar mes tij dhe mbështetësve të hershëm e të rinj.

Është kjo arsyeja, që doktori do të vijojë në lidhjet e zakonshme të mensitës të mundohet të kundërshtojë akuzën e prokurorisë speciale.

Megjithatë, duket se edhe vetë ai e shikon si një operacion mjaft të vështirë. Ngase bëhet fjalë për një fakt traumatik, apo më shkoqur 17 kulla që nuk mund të futen në thes.

Edhe nëse arrin të bindë ndjekësit e tij se dhëndrri i tij e ka merituar që të marrë tapinë e të gjithë truallit të ish-mjediseve të klubit “Partizani”, e ka shumë të vështirë të bindë pasuesit sesi arriti t’i ndërtojë ato, pasi nuk jemi në rastin kur pronari i truallit i ka dhënë mundësi një firme ndërtimi për ta zhvilluar projektin, por për një sipërmarrës që është edhe pronar, edhe investitor, edhe aksioner në shumicë, madje edhe shef operacionesh.

Rasti i privatizimit të Klubit “Partizani” nuk është një histori e re, madje ajo ka nisur zhurmën e saj që kur Sali Berisha ishte kryeministër. Por ndërtimi i kullave bëri që gjithçka të ishte më e qartë, e publiku i gjerë e ka krijuar krejt lehtësisht perceptimin për këtë aferë. E kjo shihet lehtësisht në sjelljen elektorale të shumicës së qytetarëve karshi Sali Berishës tre herë rresht.

Problemi ka qenë gjithmonë me ndjekësit e flaktë, ata që quhen si fansa të hekurt të doktorit, të cilët sipas të gjitha gjasave nuk e kanë besuar se familja e Sali Berishës ka 17 kulla në pronësi. E ka marrë shumicën e parave të shitjes së apartamenteve, të vënë në një llogari bankare me rreth  5 milionë euro. Ata kanë menduar se e gjitha kjo është një shashkë, një gënjeshtër. Duke i besuar verbërisht njeriut që ata e kanë idhull politik.

Doktori, gjatë diskutimeve për të gjitha akuzat ndaj tij; që nga Gërdeci, 21 janari apo rasti i klubit Partizani, i ka refuzuar me egërsi. Duke kaluar në kundërsulme, por pa folur në detaje për çështjet, siç po flet sot.

Por ndërsa deri dje dosja kishte subjektivitet të atyre që i publikuan apo që i çuan në SPAK, sot kjo dosje është akuzë penale, madje me materiale të tjera shtesë që kanë dalë në dritë si pasojë e konfiskimit të kompjuterit me matërialet e disa kompanive lidhen me kullat, e ku del vazhdimisht dhëndri i Berishës.

Me një fjalë, tani betejën Sali Berisha e ka me prokurorinë Speciale në sallën e gjykatës, e vetëm aty nëse ka argumente mund të rrëzojë akuzën e SPAK. Të paktën publikisht për mbështetësit. Të cilët presin që ai të bëjë betejën në gjykatë, e jo monologun në selinë e foltores.../TemA

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?