Sali Berisha

Ylli Pata: Arsyet pse 'partia' e Berishës është dobët në bastionet tradicionale të PD

12 Janar 2022, 18:06| Përditesimi: 12 Janar 2022, 18:09

  • Share

Tashmë, pas vendimit të dyanshëm për mosnjohjen e njëri-tjetrit, grupi i Lulzim Bashës dhe ai i Sali Berishës janë krejt afër zyrtarizimit të dy partive të ndryshme.

Parti që normalisht do të kenë një proces të gjatë për të marrë e tërhequr pjesë nga strukturat, superstruktura apo infrastruktura e partisë që kanë udhëhequr së bashku këto 8 vjet e ca.

Që nga shtatori kur Sali Berisha nisi foltoren nëpër rrethe për të tërhequr pjesë të Partisë Demokratike rreth vetes, është krijuar një ide, normalisht në vija të trasha, se kush janë zonat e influencës së palëve.

Në këtë proces, është vënë re se nga zonat më të fuqishme elektoralisht të Partisë Demokratike, Berisha nuk ka mbështetës kryesorë apo të shumtë.

Shkodra, Dibra, Kukësi, Lezha, tre qarqe ku PD-ja ka arritur rezultate më të mira historikisht, janë edhe zonat ku Sali Berisha nuk ka depërtuar thellë.

Përndryshe në jug të vendit si Vlorë e Fier, ku PD është në një kuotë të ulët elektorale është mbështetur më shumë fuqia politike e lëvizjes së Berishës.

Gjërat, me kalimin e kohës do të qartësohen gjithnjë e më shumë, kur ujrat do të nisin të qetësohen, e sidomos kur procesi politik do të marrë udhën e tij normale dhe me vlerë reale.

Që do të thotë, kur vendi të përballet me zgjedhje, proces kur partitë politike dhe aktorët kthehen në protagonistët e këtij sistemi, ku zgjidhen krerët dhe zyrtarët e shtetit shqiptar, situate do të jete krejt më e kthjellët. Pasi mbështetësit kthehen në kandidatë për të hyrë në postet politike dhe ata administrative të punësimeve.

E këtu është edhe çelësi përse Sali Berisha nuk ka sukses në bastionet historike të Partisë Demokratike.

Të marrim Shkodrën; një bashki, ku PD fiton lehtësisht të gjitha zgjedhjet. Dega e PD-së së Shkodrës, drejtohet prej një prej themeluesve të Partisë Demokratike që në vitin 90, e një aktivisti nga më të zjarrtët e të fortët e saj.

Me logjikën e asaj çka përfaqëson kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli, pra një prej aktivistëve veteranë prej 30 vjetëve, pritej apo shikohej një atashim i tij me lëvizjen e Sali Berishës.

Por kjo nuk ndodhi: si kryetari, ashtu edhe politikanë të tjerë të Shkodrës, duke u nisur nga deputetët, janë sot përkrah Lulzim Bashës. E po të shikosh diskutimet në mbledhjen e kryesisë së PD-së ku është përjashtuar Sali Berisha, përforcohet edhe më shumë kjo ide.

Njëjtë mund të themi për Lezhën, Kukësin e Dibrën, ku shefat e qarqeve: Flamur Shehu, Xhelal Mziu e Agron Gjekmarkaj, janë prononcuar fuqishëm kundër foltores dhe lëvizjes së Berishës.

Një lëvizje në dukje me risk, pasi kishte gjasa që të kishin kundër masa të militantëve që emocionalisht janë prekur nga ndëshkimi i doktorit prej SHBA.

Por nuk ka ndodhur fare ky fenomen. E vetmja që ju bashkua me ndrojtje Sali Berishës, vetëm në “Kuvendin” e Air Albania, ishte Voltana Ademi. E cila e ka të qartë se nuk do të rikandidohet më për kryetare bashkie.

E gjithë kjo sjellje e degëve dhe grupeve që formësojnë politikën e PD-së në qarqet e saj bastione, është e pastër politikisht. Jo thjesht pragmatiste, por lakmues i qartë për të parë “kiminë” që Sali Berisha ka në elektoratin e Partisë Demokratike.

“Kimi” që dha shenjat e forta më 25 prill, ku ish-kryetari u nda keq në votat preferenciale. Sado që kjo u mbulua me “përtesën” për të lobuar, fakti është se edhe pse nuk është përpjekur, një sasi të rëndësishme votash mund t’i kishte marrë edhe si pasojë e efektit emocional nëse i ka.

Ndërkaq, në bastione, militantët e PD-së e shohin krejt më të qartë situatën sesa mjergulla që përhapet në panele televizive ku sherrosen palët.

Ata e nuhasin se cila është ajo pjesë apo grup që është faktor në zgjedhjet më të afërta, që janë zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki; dy nga të cilat janë në bastione të rëndësishme siç është Shkodra dhe Dibra.

Bllokimi i dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme nga Ilir Meta, ka ndodhur pikërisht për të ndikuar në përplasjen e brendshme në PD. Nëse Meta do të kishte dekretuar zgjedhjet, rrjedha e mbështetjes ndaj Sali Berishës do të binte edhe më. Megjithatë, ata zgjedhje një ditë do të bëhen, e kur të ndodhë kjo, panorama tek njerëzit do të jetë më e qartë se kush është aktori qendror dhe ai periferik në fushën politike të opozitës/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?