Edi Rama, në nisjen e kësaj fushate, bën thuajse një pyetje permanente në çdo takim. “Më thoni një, një bashki që ata kanë bërë e pastaj tërhiqem”. Synimi politik i kësaj pyetje të thjeshtë është i qartë, pasi përgjigja vjen natyrshëm dhe spontane. Por mbi të gjitha, përbën një nga problemet më të mëdha politike që ka pasur për 30 vjet Partia Demokratike e Sali Berishës.
Në gjithë historinë politike që pas përmbysjes politike, ka qenë Partia Socialiste ajo që më shumë ka administruar qytetet e mëdha në vend, duke krijuar kështu edhe një grup figurash politike që vinin jo thjesht nga administrimi i qyteteve, por nga fushata ku arrinin të merrnin një numër të madh votash nga qytetarët.
Shumica e politikanëve të rëndësishëm në botën perëndimore, i kanë dhënë bumin karrierës së tyre politike, duke provuar veten si kryebashkiak apo drejtuesi vendor, ku janë stërvitur më fushatat zgjedhore dhe votimin nga elektorati.
Partia Demokratike, edhe pse në histtorinë 30 vjeçare politike të Shqipërisë ka fituar më pak njësi vendore, ajo gjithsesi ka pasur në të gjithë kohën mjaft kryebashkiakë të rëndësishëm, të cilët asnjëherë apo krejt rrallë u shndërruan në figura politike të partisë së tyre.
Nga viti 1992 deri në vitin 2000, Partia Demokratike ka qeverisur thuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë e natyrish Shkodër, plus një numër të madh bashkish të vogla e komuna, të cilët në ndarjen e vjetër ishin njësitë që drejtonin zonën rurale, pra fshatrat.
Shumë pak, ose aspak nga kryebashkiakët apo kryekomunarët u bënë njerëz të rëndësishëm politik në parti, edhe pse një numër i konsiderueshëm i tyre, ishin njerëz të shkathët në komunikim, menaxhim apo drejtimin e punëve.
Ja të marrim Shkodrën. Është qyteti që Partia Demokratike e ka bastion politik, dhe e administron atë që nga 26 korriku i vitit 1992 me votë popullore. Pasi realisht, ad-hoc qytetin e drejtoi që nga viti 1991, i ndjeri Ali Spahia, babai i kryetarit aktual të qytetit, Bardhi.
Në vitin 1992, kryebashkiak i Shkodrës u zgjodh Filip Guraziu, një intelektual e sportist që vinte nga një familje e njohur qytetare, i cili ishte persekutuar gjatë regjimit komunist.
Zoti Guraziu ishte një kryebashkiak që krijoi menjëherë një model politik të tijin, edhe pse kompetencat dikur nuk ishin aq të mëdha se sot për një drejtues vendor. Kryebashkiaku i Shkodrës u kthye menjëherë në një magnet ku rreth tij po qarkullonin valë e shkëndija si nga Brenda mazhorancës dhe nga kundërshtarët politik. Në vitet e para, Guraziu po kthehej në një figurë primare politike e PD-së në Shkodër. i cili duhet thënë se e menaxhoi me një logjikë gati perfekte furinë e sulmeve nga kundërshtarët dhe “zjarrin mik” që i erdhi nga brenda. Sali Berisha, ndërmorri menjëherë masat për ta neutralizuar, duke e dubluar, me kreun e këshillit të rrethit, të ndjerin Ali Kazazi, si dhe dy prefektë që i solli nga jugu, Iljaz Vrionin dhe Elham Sharrën. Të tre këto figura të fuqishme politike që po ngriheshin brenda PD-së.
Gjithsesi, duhet thënë se Guraziu e përballoi mirë këtë rivalitet dhe në vend të zvetnimit të tij politik, kjo “garë” po lindte një qendër të re politike brenda Partisë Demokratike në Shkodër.
Berisha u alarmua dhe në vitin 1996, kohë kur PD kishte të gjithë pushtetin në vend pas zgjedhjeve të 26 majit të atij viti, nuk e rikandidoi Filip Guraziun për kryetar bashkie.
I frikësuar nga një figurë politike e rëndësishme që mund të lindte nga bashkia, Sali Berisha urdhëroi gjetjen e një kandidature me profil të ulët dhe jo politik, por teknokrat. Kështu zgjodhi një ekonomist të painvolvuar në politikë, Artur Lukën. Veprim, i cili i kushtoi Sali Berishën një nga disfatat më të rënda politike të tij, humbjen e bashkisë së Shkodrës. Të cilën e fitoi Bahri Boriçi, një kandidat i së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, formacion i krijuar nga dy partitë trandicionale të së djathtës Balli Kombëtar e Legaliteti.
Në vitin 2000, PD rimori bashkinë e Shkodrës, ku fitoi Ormir Rusi, i cili si dhe Guraziu më parë nuk u përfshi fare në elitën politike të PD-së. Pas Rusit, kryebashkiak u zgjodh Lorenc Luka, drejtuesi lokal i PD-së, i cili edhe pse u bë deputet pas mbarimit të mandatit, sërish mbeti një figurë minore politike në parti. Voltana Ademi më pas fitoi një protagonizëm, vetëm falë rrethanave që u krijuan në një hapësirë ku ishte e vetmja kryebashkiake e PD-së përballë “ushtrisë” socialiste në të gjithë vendin. Por edhe sot Voltana nuk ka një peshë politike në foltoren e Berishës, edhe pse është active në fushatë me rrethin e saj dhe luan fijet në prapaskenë.
Në këtë arsyetim, nuk po flitet për performancën e drejtimit dhe modelit të qeverisjes në Shkodër apo bashkitë e tjera që ka drejtuar PD, por thjesht në elementin e krijimit të një klase politike nga zgjedhjet vendore. Performanca pastaj ja vlen një diskutim tjetër dhe më të thelluar.
Pasi pikërisht tek ky aspekt shpjegohet mungesa e një modeli politik të PD-së në bashkitë e vendit. Pasi Sali Berisha, me vullnet dhe me plan të paracaktuar ka bllokuar që në lindje, mundësinë e krijimit të personaliteteve politike nga posti i kryebashkiakut. Pasi një drejtues bashkie, përveçse menaxher apo administrator është një figurë politike që ka me vete një numër të madh votash, të cilat i japin një peshë potenciale politikisht. Asnjë nga kryebashkiakët e Partisë Demokratike nuk u bënë figura politike në PD.
Kryebashkiakët e Tiranës: Sali Kelmendi dhe Albert Brojka u nxorën në pension të parakohshëm. Nga kryebashkiakët e Durrësit, i vetmi që eci në administratën qendrore ishte Arqile Gorea, por vetëm në një nivel teknik pasi u emërua drejtor i postave. Edhe pse një person me influencë në qytet, nuk e lejoi kush të bëhet një figurë politike në Durrës. Në Elbasan gjithashtu, Engjëll Dakli e Adrian Turku nuk u afruan nga Berisha. E njëjta gjë ndodhi me Korçën. PD e ka qeverisur Korçën për 15 vjet rresht; nga viti 1992 e deri në vitin 2007 kur Niko Peleshi e ktheu këtë qytet nga bastion të PD-së në basen votash socialiste.
Askush nuk i mban mend sot katë kryebashkiakët demokratë të Korçës: Gjergji Gjinkon, Robert Kotmilon, Gjergji Duron apo Robert Damon. Asnjëri nuk u afrua që të jetë një personazh politik të klasit të lartë në PD.
Vlorën, PD e ka drejtuar për 5 vjet që nga 1992 deri në vitin 1997. Dy kryebashkiakët e saj, Elham Sharra e Gëzim Zilja, gjithashtu nuk patën asnjë fat të mëtejshëm politik. Edhe Fieri, që sot është qarku ku socialistët përmbysin me vota, dikur është fituar nga PD. i ndjeri Sotiraq Aleksi, kryebashkiaku i parë i Fierit pas rrëzimit të diktaturës, maksimumi është propozuar që të jetë anëtar i këshillave bashkiake në administrate socialiste më vonë. Ndërkohë që një kryebashkiak, shkon ose deputet ose ministër, apo edhe kryeministër, pasi është në nivel të lartë politik nga numri i votave.
Ndryshe ka ndodhur me PS-në, e cila jo vetëm nën drejtimit të Edi Ramës, por edhe në kohën e Fatos Nanos, kryebashkiakët i kishte referim politik të firmimit të lidershipit të partisë e qeverisë më pas.
I ndjeri Bashkim Fino është modeli më i rëndësishëm, që arriti të bëhej kryeministër, anëtar qeverie e më pas një pjesë permanente e udhëheqësisë socialiste. Por ky model ka qenë një puls politik permanent, që nga Niko Peleshi që sot është anëtar qeverie, Kadri Rrapi i Peshkopisë që u bë gjithashtu ministër, apo edhe Baftjar Zeqo i Fierit, Fadil Nasufi i Beratit etj, që sot janë pjesë e skuadrës së lartë të PS-së në Parlamentin e vendit.
Modeli në fakt, për të cilët duhet diskutuar është aspekti më i rëndësishëm, ai i krijimit të një identiteti qeverisjeje në ndonjë bashki, apo si janë qeverisur bashkitë nga PD, pork jo analizë duhet bërë gjithashtu e kërkon të shtjellohet me vëmendje. Megjithatë, dështimi i krijimit të një modeli në qeverisjen vendore, vjen pikërisht apo ka si arsye kryesore, vrasjen politike që Sali Berisha i ka bërë çdo figure politike që ka lindur nga zgjedhjet vendore në këto 30 vjet.