Në këto orë, nga njerëz të partisë së Ilir Metës, po shfaqen montazhe fotografike ku pasi heq portretin e Lulzim Bashës, del ajo e Edi Ramës.
Që është natyrisht një copy paste e fushatës së Edi Ramës për 14 majin, që kandidatët e “Bashkë Fitojmë” i konsideron thjeshtë si maska të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Madje ka bërë disa spote për këtë, si dhe ky u përqendrua e gjithë fabula e fushatës së PS-së.
Mungesa e kreativitetit nga pala tjetër për të kopjuar përmbys këtë mesazh elektoral si një armë politike, e duke nxjerrë pa lidhje Lulzim Bashën si personazh, më shumë se një mungësë ideje, është bllokim real kauze.
E këtu qëndron realisht beteja e 14 majit, ku si një ballo maskash ka në thelb një panormë pa asnjë risi politike. Pasi përballë Edi Ramës, i cili është në pushtet prej 10 vitesh janë dy personazhe që së bashku janë në fuqi prej 30 vitesh.
Vetëm kjo panoramë e qartë, e ndenjur, e vjetër e natyrisht e përsëritur me më shumë rrudha, thinja, e vese pleqërie, është edhe një teatër absurd që nuk ngjall asnjë mundësi për një histori ndryshe, të freskët, dinamike për një zhvillim politik në Shqipëri.
Megjithatë, në aspektin politik, problemi më i madh, nuk është asimetria apo pazotësia për të sfiduar Edi Ramën nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, por nga këmbëngulja irracionale e tyre për t’i dhënë Shqipërisë, e në radhë të parë përkrahësve të opozitës një fabul të re, më moderne, më trendy, më racionale e pragmatiste në vitin 2023.
A mund të kishte sot Shqipëria një histori më ndryshe, një përballje më të diversikuar politike? Padyshim që mund ta kishte, e ndoshta mund ta kishte që në vitin 2016, kur Sali Berisha dhe Ilir Meta, për herë të parë pas vitit 1990 aq fort, i dhanë një pjese të politikës shqiptare, peshën plumb të rëndë të luftës me aleatët më të rëndësishëm të Shqipërisë: SHBA dhe BE, pra Perëndimin. Vetëm se nuk donin që Perëndimi të monitorojë procesin e reformës në drejtësi, e veçanërisht vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorët.
Do të kishim një situatë krejt, po krejt tjetër, nëse në shkurt të vitit 2017, opozita nuk do të kishte dalë nga Parlamenti e të ishte instaluuar në një çadër para kryeministrinë, me synimin për të bllokuar zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Në vend që ta sfidonin Edi Ramën, at adonin ta rrëzonin atë, jo me zgjedhje, por me një “colpo di spugna”.
Do të kishim një panoramë krejt ndryshe në vend, politike bëhet fjalë, nëse kjo opozitë nuk do të mbronte me çdo kusht Adriatik Llallën, i cili hyri në një luftë skandaloze me SHBA vetëm për të përkrahur pozicionin e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nuk do të kishim sot këtë situatë, nëse nuk do të ishin djegur mandatet në shkurtin e vitit 2019, e nuk do të ishin bojkotuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nëse Ilir Meta, nuk do të nxirrte atë dekret-tritol për institucionet në vend.
Nëse nuk do të ngulnin si gozhdë në mendësinë e një pjese të opozitës shqiptare që pushteti nuk merret me zgjedhje-është i pamundur. E në këtë sistem, ku Partia Demokratike është autore kryesore në instalimin e tij, asnjë kryeministër, asnjë pushtet, asnjë Parlament nuk mund të rrëzohet pa zgjedhje. Ndryshe quhet puçc.
Nuk ndodhi dot as në shtatorin e vitit 1998, kur njerëzit e armatosur të Sali Berishës hynë në Kryeministri e Parlament, e jo sot kur Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, pra pjesë e Perëndimit, ku nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç zgjedhjeve për të ndryshuar qeverinë.
Prej një viti tashmë, ka ndryshuar edhe qëndrimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës se ata nuk do të bojkotojnë më zgjedhjet. Po nëse siç pritet do të humbin zgjedhjet e së dielës çfarë do të ndodhë? A do të dalë siç thotë Kreshnik Spahiu, Sali Berisha për të thënë se nuk rrëzohet Edi Rama me zgjedhje? Para pak ditësh, kreu i foltores e hapi një fletë të këtij kapitulli me deklaratën se në shtator do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.
Po si? Por edhe nëse ka, sërish do të kemi Sali Berishën e Ilir Metën përballë Edi Ramës? Bashkë me Fredi Belerin kandidat për deputet në qarkun Vlorë, si mundësi e vetme për të marrë vota në atë zonë? Apo do të elaborojnë teorinë e tre bandave të Lubonjës?! Ka kohë për këto diskutime në panelet pas të hënës, edhe dy ditë është balloja e maskave që është kthyer në një shfaqe aq e ringrohur, sa del një Luiz dhe bën gjëmën…