Ish-kryeministri Sali Berisha

Ylli Pata: Brenga reale e Sali Berishës për listën e sforcuar

9 Shtator, 21:57| Përditesimi: 9 Shtator, 22:00

  • Share

Listat e krerëve të qarqeve të PD-së së Sali Berishës nuk kanë pasur një debat apo mërzitje në mjediset e demokratëve në territor. Të vetmit që kanë ngritur zërin, me logjikë të plotë se kjo ngritje zëri është një sinjal politik, kanë qenë aktorë të rëndësishëm që ju bashkuan Sali Berishës në ditët e tij të vështira.

Pjesa tjetër, madje as mbështetësit mediatikë, të cilët kanë vite që janë aktivë në një kundërshtim të fortë ndaj pushtetit të Edi Ramës, as nuk e kanë marrë mundimin që t’I hyjnë këtij diskutimi.

Të vetmit që pranojnë të hyjnë në diskutim televiziv për këtë çështje janë mbështetës historic të së djathtës, të cilët PD, kur ka qenë e fuqishme nuk ua ka varur, pranojnë të diskutojnë për atë që njohin. E në realitet e njohin mirë atë mjedis ku kanë milituar si aktivistë.

Dhe duhet thënë se komentet apo diskutimet e mjaft personazheve që gjatë pushtetit apo fuqisë së PD-së nuk ua ka varur kush, pasi i kanë quajtur anonimë, në disa panele televizive, kryesisht jo media të atashuar me klanet e Berishës e Metës, kanë qenë të një niveli të lartë.

Një fakt që tregon se shoqëria jo vetëm tek opozita shqiptare, por edhe brenda ishujve të PD-së së vjetër, është racionale dhe nuk i ka humbur logjika.

Ndërkaq, njerëz të PD-së që nuk i largohen emisioneve televizive, që u atashuan si zëdhënës së Fredi Belerit, rreken të justifikojnë se Sali Berisha ka çuar në qarqet kryesore njerëzit më të rëndësishëm të partisë.

E në fakt, po t’i hedhësh një sy listës së krerëve të qarqeve të PD-së së Berishës, shikon se aty ka dy zona influence: ajo e besnikëve të tij, që përfshihen Bylykbashi në Durrës, Tritan Shehu në Gjirokastër, Belind Këlliçi në Tiranë, apo edhe Luciano Boçi në Shkodër. Të katër njerëzit e afërt të doktorit, nuk kanë asnjë mundësi për të ndryshuar situatën  në qarqet e tyre. E këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjet e votimet, pasi deri atëherë do ndodhin shumë e gjëra, e situata ndryshon.

Krerët e rretheve janë për të mobilizuar dhe krijuar një atmosferë politike aktive përpara dhe gjatë votimeve. Profesor Boçi në Shkodër, nuk ka nga tja fillojë, pasi atje strukturat e PD së Berishës nuk ekzistojnë në territor, ndërkohë që ka një numër të shtuar intelektualësh pro PD, që janë fiksuar fort për tu futur në listën e deputetëve. Natyrisht sikur kjo do ndodhte, do të kishte një risi të paktën e një freskim i kësaj elite që e ka ngrënë livadhin e vet.

Por doktori në Shkodër nuk ka nevojë për intelektualë që duan të bëhen deputetë, pasi partia e tij nuk është talent show. Ai kërkon ushtarë, madje ushtarë nga ata specialët që të nxjerrin gjak në vetull. Ky është realisht misioni i profesorit, i cili ka shkuar me adresa të sakta në Shkodër nga doktori, për të “riaktivizuar strukturat e fjetura”, të cilët më 14 maj 2023 treguan se janë zgjuar e madje entuziastë, por jo me Berishën.

Tirana, është e kotë të thuhet se e kanë treguar të gjitha protestat para bashkisë së Tiranës, Durrësi është edhe më dramë, e që u pa, edhe pse kandidatura e Igli Carës ishte më e mira e të gjithë garuesve të koalicionit Berisha-Meta.

Problemi është me qarqet që jua ka dhënë “djemve plangprishës”: Bardhit-Fierin, Gjekmarkajt-Lezhës, e Saljanjit Elbasanin.

I gjithë ky operacion është i monitoruar por edhe i dubluar nga Berisha. Gaz Bardhi në Fier, ka këmba këmbës Luan Baçin, Gjekmarkaj nuk merr dot frymë nga Gjin Gjoni, kurse Saljanji duket e kanë çuar në Albasan që të lërë Kavajën me frikë se do ta bëjë bastion të tijin. Pas fitores së vetme të rëndësishme në zgjedhjet e shkuara./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?