Ylli Pata: Çfarë fsheh turravrapi i Berishës në selinë blu

25 Mars 2022, 21:41| Përditesimi: 25 Mars 2022, 21:45

  • Share

Prej orës 11-15, kur në Gjykatën e Tiranës u shpall se Agron Zhukri ka regjistruar vulat dhe logot e Foltores, në eterin e ekraneve dhe rrjeteve online ndodhi një batërdi e vërtetë. Një batare fanfarash, entuziazëm i pamasë, që dukej që në fillim që ishte një teatër, por me kalimin e orëve mori përmasat e plota të tragjikomedisë.

E quajtën të marrë selinë e PD-së, madje një idhtar i fortë i Foltores përgatiti dhe karikaturën e ditës, duke ilustruar Zhukrin që i dhuronte vulën Sali Berishës.Të tjerë shkuan edhe më tej, por thanë që pas Bashës, radha i ka ardhur edhe ambasadores Yuri Kim të shkarkohej. A thua se në SHBA ka një gjyqtar që ka qenë shofer, e gruan e ka pasur sekretare të doktorit. Por ca të tjerë shkuan edhe më tej, siç kanë bërë gjithë këto kohë, nisën linçimin e tradhëtarëve. Dikush që mbështet foltoren kishte përzgjedhur për të linçuar me dacibao Roland Bejkon. E komentet poshtë ishin drithëruese: “Atij do t’i prishen frenat në Qafë Kërrabë”, e të tjera me radhë kobe të tilla. Siç kishte edhe juristë sulmuan Enkelejd Alibeajn, që fill pas vendimit të Zhukrit, qetësisht bëri një fact check të situatës, natyrisht duke e kontestuar edhe vendimin.

E pikërisht pas kësaj deklarate mjaft të fortë të Alibeajt, ndodhi pjesa kulmore e këtij teatri që po trazon publikun, por sidomos mbështetësit e opozitës, vetëm që të sistemohet doktori ashtu si do. Televizionet live lajmëruan se një delagacion i “Komisionit të Rithemelimit” u turr drejt selisë së PD-së. E menjëherë nisën spiketet, duke komentuar tensionin, si një kronikë ndeshjeje me emocione të forta. “Po shkojnë: do të shkojë pas tyre edhe Berisha?”. “Thuhet për bisedime, lidhemi me gazetarin tonë në zyrën e Berishës. Sa zbriti, por nuk foli me mediat. Nuk e dimë ku po shkon”. “Sapo u njoftuam se po shkon në selinë e PD-së”. Në këtë kronikë tensioni kreshendo, analistët në studio nuk patën dyshime. “Doktori po tregon se luajti një lojë të madhe, i vetëm në fushë dhe fitoi. Tani PD është e tija”.

Në ndërkohë, Voltana Ademi çoi në Shkodër, disa shoferë të bashkisë, që në derën e mbyllur të selisë së PD-së atje, pas largimit të drejtuesve të vendosnin foton e madhe të Sali Berishës, e ta puthnin para kamerave. Ndërkaq, në selinë e PD-së, Sali Berisha ishte futur brenda në vendin ku Alibeaj e Gazmend Bardhi po diskutonin me dërgatën e Foltores. Takimi zgjati, por analistët në studio nuk kishin dyshime: është e kotë, do të zbrazin zyrat, në zyrën që ka pasur Basha do të hyjë doktori. Nuk janë negociata, por thjesht një çaj miqësor për triumfin e arritur”.

Mbaron takimi më në fund dhe del i pari Berisha. Si gjithmonë ai nuk flet për ç’ka ndodhi në realitet, por si e percepton ai realitetin. “I thashë zotit Alibeaj…”. “Tani demokratët të bashkohen…”  Por në nëntekst nxjerr një qëndrim të rëndësishëm që su kap siç duket nga mediat. “Kryetarëve të degëve u bëj thirrje se do të rikandidohen”. Po kush do t’i shkarkojë ata kryetarë ishte pyetja spontane, por që s’ja bëri kush Berishës?

E këtu nisi realisht rënia e atij turravrapi që mbushi ditën dje, por që vulën e mori nga dalja pas Berishës, e Enkelejd Alibeajt, kryetarit të komanduar të PD-së. I cili shpjegoi me hollësi gjithçka kishte ndodhur, si dhe dha qasjen e PD për atë që do të ndodhte. Sipas Alibeajt, ai si kryetar i PD(I komanduar) i kishte thënë se duhej të largohej, pasi i përket të shkuarës dhe është shpallur Non Grata nga SHBA. Bashkimi me foltoren bëhet pa Berishën, ndërkohë që shpjegoi edhe ligjërisht që Berisha nuk është anëtar i grupit parlamentar, e duhet të presë shtatorin tjetër nëse do të ketë vendim për tu rifutur në grup. 

Ndërkaq, politikisht dha një qëndrim të qartë, që nuk ndryshonte fare nga ai i Lulzim Bashës kur drejtonte PD-në. Pra nuk kishte ndryshuar asgjë, përveçse notat e mizanskenat e teatrit. Mungonte Saljanji me hu në dorë, apo edhe të tjerë që e lanë vetëm selinë me vetëm Alibeajn e Bardhin, që të përballojnë turravrapin e Sali Berishës me të tijtë.

Alibeaj, jo vetëm e përballoi, por e zbrapsi në mënyrë efikase pa ngritur zërin. Madje i tha edhe “hajde e merre selinë kur të duash, por asgjë nuk e ndryshon qëndrimin e PD”. Pra jo “ta dorëzojmë”, po “hajde merre”, e këtu natyrisht Sali Berisha nuk ka sesi të përsërisë një 8 janar tjetër, do të ishte shkatërrues për të dhe mbështetësit e tij. Megjithatë, me turravrapin e tij, Berisha ka tentuar të luajë bllofin me anë të shantazhit të dhunës verbale në rrjete e televizione dhe hijës së rëndë të tij. 

Që duket se nuk e trembi Alibeajn, e gjasa ka që ai e njeh më mirë ngaqë ka punuar për një periudhë pranë tij kur ishte Kryeministër…/TemA  

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?