Reagimet e deritashme nga të gjithë deputetët kundërshtarë të Lulzim Bashës, pas përjashtimit de jure, patën më shumë nota histerike sesa qëndrime apo argumente politike.
Gazment Bardhi, i cili megjithatë nuk është subjekt i këtij “vendimi” tha se është nul, ndërsa Tomor Alizoti, e quajti kreun e PD-së një psikopat. Është i njëjti argument i përgjithshëm që bën edhe ndaj Edi Ramës, ndërkohë që e vizaton veten e tij si diplomat dhe studiues me përvojë.
I gjithë ky reagim, duket i pasens, pasi të gjithë këta deputetë kanë prej dy vjetësh që nuk janë pjesë e PD-së, edhe pse janë cddo ditë në ish-selinë e SHQUP. Dhe për ta PD-në nuk e drejton Lulzim Basha, por Sali Berisha.
Në thelb, shkresa e sotme e Lulzim Bashës nuk është aspak një vendim, por një zbardhje e një vendimi të vjetër të strukturave të PD-së, në vitin 2021, ku ka marrë pjesë dhe votuar pro edhe Gazment Bardhi. Në atë kohë, PD përjashtoi të gjithë ata deputetë të PD-së që ju bashkëngjitën “Kuvendit” të Foltores që u mbajt në dhjetorin e vitit 2021 në Stadiumin “Air Albania”.
Logjikisht, në shtatorin e vitit 2022, Sekretari i atëhershëm i PD-së, Gazment Bardhi, do të duhej të zyrtarizonte vendimin e PD-së, duke çuar në Kuvend deputetët e përjashtuar. Por siç dihet, Bardhi ndryshoi linjën politike, duke tentuar një afrim me foltoren dhe një fuzion të grupeve që ishin realisht të ndara.
Tashmë siç dihet, në zgjedhjet vendore, Bardhi kryesoi operacionin për të ndaluar PD-në që të kandidojë në zgjedhje, duke shfrytëzuar votat që kishin në kryesinë e PD-së ai dhe disa deputetë të tjerë. Më pas, me anë të kompetencave ekzekutive i kaloi koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, shumicën e parave që PD-ja merr nga shteti për fushatë elektorale.
Në thelb, deputetët e larguar nga PD-ja që prej dy vitesh, e bënë atë akt politik me bindje të plotë, u larguan pa problem, duke mos e njohur fare autoritetin e drejtuesve, pasi për ta është Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike. Ka qenë Gazmend Bardhi, i cili ka bllokuar, ndaluar PD-në që të kryejë veprimet normale që i takojnë një partie politike. E cila bën gjithçka për të hyrë në zgjedhje. Nga ana tjetër ka tharë llogaritë bankare të PD-së, duke vendosur vetë se kujt i takojnë paratë e kujt jo.
Shkresa e sotme e Bashës, as nuk ka vënë një rregull për të parë kush janë dhe kush kanë ikur nga PD-ja që drejtohet prej tij.
Pala tjetër, e cila në disa takime tregon numra të mëdhenj paralmentarësh, që votat i kanë marrë si përfaqësues të listave të Partisë Demokratike, gjithsesi duket është shqetësuar nga shkresa e sotme e Lulzim Bashës.
Sidomos një pjesë e deputetëve, të cilët edhe pse lëvizin andej këndej, ende nuk e kanë sqaruar vendimin përfundimtar se ku do të shkojnë. Madje një pjesë, lëvizjet në takime te Foltores, e kanë përdorur edhe si një shantazh ndaj Bashës për të qenë në listën e zgjedhjeve të 2025. Gjasat janë që nuk do të ketë kompromise të këtij niveli nga Basha. Pasi pjesa që e mbështeti pas 8 janarit 2022 i kërkon nisjen e një “piazza pulita”. Që gjasat janë që do të ndodhë shumë shpejt. Sot pati duket thjesht një provë për të parë reagimet.
Në ditët e ardhshme do të kemi sipas të gjitha gjasave qëndrime e prononcime nga shumë deputetë të PD-së, që duket do të prononcohen përfundimisht në çfarë krahu do të rrijë. Sidomos pas flluskës së zgjedhjeve në Kukës…