Kishte disa versione për kabinetin e Edi Ramës së mandatit të tretë, duke u nisur edhe nga qëndrimet e kreut të mazhorancës pasi fitoi zgjedhjet e 25 prillit.
Kur Rama tha se tashmë kërkonte një dimension të ri në politikën shqiptare, duke kapërcyer atë çka ndodhur deri më sot, një bashkëpunim me opozitën e Lulzim Bashës, e një kapërcim cilësor për atë që Rama e cilëson si “Shqipëria e vitit 2030”.
E pikërisht duke u nisur nga ky qëndrim, kishte pritshmëri për një “kabinet ekselentësh”, duke parë edhe disa lidhje direkte të Ramës me shqiptarë jashtë vendit, që kishin dëshirë të kontribuonin për vendin.
Kështu pati një mendim se mund të kishim një qeveri jashtë dy formateve të para të kabineteve që ka krijuar ky kryeministër, natyrisht duke pasur parasysh dhe prekjet apo dhe ndryshimet e herëpashershme në 8 vite.
Ndërkaq, nga qarqe brenda Partisë Socialiste, kishte zëra se do të ketë një “gradim” i krerëve të qarqeve që kishin arritur rezultat pozitiv më 25 prill, ku përmendeshin rezultati i Taulant Ballës në Elbasan, fitorja shumë e rëndësishme e Blendi Klosit në Berat, apo marrja e mandatit të tretë nga Bledi Çuçi në Gjirokastër etj.
Në fund, Edi Rama, thuajse ka rikonfirmuar kabinetin e mandatit të dytë, me disa ndryshime, ky në 2 dikastere kyçe të qeverisë siç është ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe ajo e Bujqësisë, ku ka promovuar dy drejtuese të institucioneve të rëndësishme brenda këtyre ministrive siç janë Drejtoria e Tatimeve, apo edhe Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.
Ka rikthyer në qeveri Mirela Kumbaron, e cila pas përvojës tek Kultura në mandatin e parë bëri 4 vjet pushim dhe u rikthye në qeveri, si dhe ka “graduar” Ulsi Manjën tek drejtësia, pasi këtë rol e ka kryer mandatin e dytë në Parlament si kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Natyrisht që pas publikimit të qeverisë së re, priteshin reagime të ndryshme, të ashpra, kryesisht nga kundërshtarët e Edi Ramës.
Por, kjo pjesë e politikës shqiptare natyrisht nuk ka “zhgënjyer” duke rikthyer të njëjtën logjikë klishe të kundërshtimit 8 vjeçar.
Rishtari i politikës opozitare, i cili për 2 mandatet e Ramës ka qenë i maskuar si panelist, ishte natyrisht më “interesanti”, duke sjellë “ide” e “stilistikë oratorike” tepër me ngjyra që varionin në 50 nuancat e të zezës.
Bëhet fjalë për Agron Gjekmarkajn, i cili ministret e Edi Ramës i cilëson si “gratë e haremit të sulltanit”, kurse anëtarët meshkuj të kabinetit si “eunukë”(e çuditshme se si subkoshienca politike e deputetit i ngjitet metaforave seksuale).
Por ka edhe më, Gjekmarkaj i cilëson ministrat si “anonimë që nuk i njeh as fisi i vet”. E këtë e bën natyrisht pa sjellë këtu asnjë CV të anëtarëve të qeverisë e t’i analizojë, por thjesht lëshon në eter një përrua të madh psiqik, a thua se zotëria në fjalë është një Akademik me famë, ku bibloteka e Republikës është e mbushur dëng me botimet e rënda të Gjekmarkajt, e ku autoriteti intelektual në publik ja jep edhe të drejtën të bëjë gjykime qesim për këdo. Ndërkohë që në publik njerëzit atë e njohin vetëm si agjitrop politik të Lulzim Bashës në panelet televizive, kurse përpara se të hipte në tryezat e emisioneve, në një ambjent më të ngushtë njihej si “nipi i Atë Zef Pëllumbit”.
Andi Bushati, apo edhe zëra të tjerë publik që janë prej kohësh kundërshtarë të Edi Ramës e kritikë të ashpër të tij, e konsiderojnë këtë kabinet si një “gjellë e vjetër” “bajate” e “dalur boje” dhe se ndryshimet Rama i bën vetë pas asnjë kolegjialitet por me një të rënë të lapsit.
Duket se avazi i sulmeve natyrisht është në logjikën e vjetër e akuzave pa fre, duke absolutizuar gjithçka e duke mos sjellë as ide, apo analizuar dukuri e analogji në vende të tjera të botës.
Edi Rama, ka emëruar ministra një grup politikanësh socialistë që thuajse i ka pasur në të treja kabinetet e tij, përveç ndryshimeve që ka bërë me sjelljet e reja.
Niko Peleshin, Olta Xhaçkën, Bledi Çuçin, Belinda Ballukun apo Ogerta Manastirliun i ka pasur si anëtare të qeverisë që në 2013-n. Balluku e Manastirliu, edhe pse nuk ishin anëtare qeverie në mandatin e parë, ishin CEO të enteve të rëndësishme ekzekutive, sa treguan se kanë peshë më shumë se mjaft ministra.
Ka kritikë të Ramës, si avokat Ngjela, i cili thotë që Edi Rama nuk qeveris dot me autoritete akademike sepse nuk mund t’i urdhërojë e përballojë.
Në fakt, Ngjela nuk është krejt pa arsye, ngaqë rasti i vetëm i bashkëpunimit të Edi Ramës me një akademik në qeveri dështoi që pa nisur, siç ishte ai i Shkëlqim Canit. Megjithatë është fakt se një qeveri nuk është një këshill shkencor, megjithëse e rëndësishme është për vendin që përfaqësimi në ekzekutiv të jetë me njerëz të ngritur nga ana arsimore.
Por përpos akuzave e sharjeve të tipit Gjekmarkaj, ministrat e Edi Ramës vërtetë nuk janë autoritete shkencore e akademike, por nuk mund të thuhet se kanë mbaruar Vitrinat e Kristalin. CV-të e diplomat janë aty, kritikët mund t’i analizojnë deri në detaj për të parë nivelin akademik të anëtarëve të qeverisë.
Për të bërë një analogji me një model të huaj, që natyrisht nuk është adekuate, krahasojmë tre kabinetet e Tony Blair, i cili është i vetmi lider europian që ka fituar rresht tre mandate.
Në të tre mandatet e Tony Blair, ai ka krijuar 3 kabinete, që si shtyllë kryesore kanë: John Prescott, Gordon Brown, Jack Straw, Margaret Beckett, të cilët edhe pse kanë ndryshuar dikasteret, nuk kanë lëvizur nga baza e kabinetit.
Arsyeja natyrisht që është politike, ngaqë të gjithë ata ishin figurat kryesore të Partisë Laburiste Britanike.
Një qeveri është pasqyrimi i forcës politike që ka fituar zgjedhjet. E kështu që natyrshëm do të emërohen ministra njerëzit politikë të PS-së, të cilët i ka dërguar edhe në terren si drejtues e menaxherë fushatash, si pjesë e skuadrës.
Tani a ka vend për analiza apo komente mbi lëvizjet politike të Edi Ramës në kabinetin e mandatit të tretë? Natyrisht që ka dhe hapësira për ta bërë këtë është mjaft e madhe, në bazë edhe të këndvështrimit të secilit.
Duket qartë se Edi Rama i ka vënë fre protagonizmit të Taulant Ballës pas rezultatit të rëndësishëm në Elbasan, apo Blendi Klosit në Berat. Nuk është hera e parë që kemi parë zhvillime të tilla. Siç ndodhi me Ditmir Bushatin, 2 vjet më parë. Koncepti i Ramës në këto 8 vjet ka qenë që një ministër është pjesë e skuadrës së qeverisjes që drejton ai, dhe jo një mundësi për protagonizëm apo karrierë politike.
Damian Gjiknuri, i cili sot u zgjodh numri dy i Partisë Socialiste, edhe pse në mandatin e parë e një vit nga i dyti ka qenë ministër i rëndësishëm, fuqinë politike e ka marrë në drejtimin e fushatave zgjedhore vitale për PS-në, si ajo në bashkinë e Dibrës në 2016-n, apo drejtimin e qarkut të Vlorës në dy palë zgjedhje. Plus faktit që ai është kryenegociator i PS-së për reformat elektorale që prej vitit 2007 thuajse i palëvizshëm, së bashku me Oert Bylykbashin nga ana tjetër.
Por natyrisht, ka mjaft kute të tjera për të bërë analizën; formimin akademik të ministrave, arritjet e performancës së tyre gjatë kohës që kanë drejtuar etj. Por natyrisht me fakte e argumente të matshme, e jo sharje pazari. Ajo pastaj nuk është polemikë…TemA
Qeveria e re na tregoi degjenerimin e kultures demokratike te te qeverisurit. Jo me kot bota e oksidentit ka si norme qe ministrat ne ne kabinet jane dhe te zgjedhur ne parlament. Ata jo thjesht i vene menderen karriges se ministrit por mbartin pergjegjesi direkte nga perfaqesimi i publikut. Gjithashti, i neneshtrohen nje llogaridhenie konstante. Menyra e Kryeministrit tone patetik e emerimit te ministrave sipas qefit, eshte komplet e pavend. Ah, pozita e grave? Shume e mire. Sidoqofte, tek shef Kryeministrin te flase poshte e larte neper bote per kanun, zakon, nder, dhe nga ana tjeter te hiqet si emancipist, eshte kulmi i paradoksit. Tregues i jo thjesht autokracise por i nje tiranie tallese.
Përgjigju