Ylli Pata: Çfarë sistemi do të shkundë Ilir Meta pas 24 korrikut?!

21 Qershor 2022, 18:49| Përditesimi: 21 Qershor 2022, 18:51

  • Share

Ilir Meta hodhi sërish sot një nga ato deklaratat e forta që tashmë jemi mësuar që prej kohësh, madje që ditën kur u zgjodh si President i Republikës, këtu e 5 vjet më parë. Meta deklaroi sot se sapo të lërë Presidencën, ai do të “shkundë sistemin nga themelet”, të cilën e shoqëroi si garniturë me çështjen e inceneratorëve, Butrintin, apo edhe akuza të tjera.

Natyrisht, ka kohë që deklarata të tilla, edhe pse të forta nuk se kanë ndonjë peshë, madje s’kanë edhe klikime, siç u venit audienca e paraqitjeve bizarre me trupa lakuriq nëpër plazhe së bashku me enturazhin e tij për të bërë bujë në publik.

Logjikisht Ilir Meta nuk ka se ç’sistem të shkundë, pasi së bashku me Sali Berishën, i kanë bërë të gjitha lëvizjet për ta shkundur sistemin që nga viti 2016. Një synim i qartë për të mos instaluar reformën në drejtësi, që u miratua me përkrahjen e SHBA-së e BE-së dhe po monitorohet ngushtësisht nga partnerët perëndimorë.

Nisën që me përdorimin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të ndryshuar numrat në Parlamentin e Shqipërisë, duke përdorur ligjin e dekriminalizimit, me synim për të rrëzuar Edi Ramën. Kur kjo nuk ndodhi, pas fitores së PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit 2016, u përdor po Prokurori i Përgjithshëm për të arrestuar ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin e akuzuan për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Mbahen mend ultimatumet e forta të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të arrestuar në flagrancë Saimir Tahirin. Më pas, “shkundja e sistemit” vijoi me përpjekjen për të mbajtur Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe pse i kishte mbaruar mandate. Është e njohur “seanca e çizmeve” ku u tentua të ndalohej zgjedhja e Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshme, duke imituar taktikën e Vetëvendosjes me hedhjen e bombave tymuese në Kuvend.

Pas kësaj ndodhi edhe veprimi më i fortë që është mbajtur ndonjëherë në 30 vite; djegia e mandateve, sulmi i Kryeministrisë dhe Parlamentit për muaj të tërë me bomba molotov e tentative pushtimi, për të ardhur në fund tek bojkoti i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, që pati si kulm dekretin e çdekretimit nga Ilir Meta.

Këto ishin realisht shkundje e madhe e sistemit politik në vend, që synimin e qartë kishte mos instalimin e drejtësisë së re.

Që një ish-ministër i Ilir Metës dhe sot një mbështetës i Sali Berishës, e cilësoi të “dështuar” në tryezën e Berishës me drejtësinë. Një refren që tashmë e kemi dëgjuar edhe nga Sali Berisha por edhe nga Ilir Meta, i cili e quan “ramaformë”.

Ish-ministri i LSI-së arriti deri aty sa të quante të padrejtë mbajtjen e Saimir Tahirit në burg për shpërdorim detyre, ndërkohë që në 2017-n kërkuan arrestim për “grup të organizuar kriminal”.

Pasi thelbi, apo kleçka që së shpejti do të kthehet në kauzë politike e këtij grupi politik është “reforma në drejtësi”.

Të cilën ata e quajnë të “dështuar” dhe thjesht ndryshim personeli, kur realisht nuk është fare e tillë. Përveç vettingut që është masë e përkohshme, thelbi i drejtësisë së re është se kemi një revolucion epokal në krahasim me modelin deri te Llalla.

Nuk ka më Kryerokuror të lidhur direkt në mënyrë vertikale me emërimin politik. Nuk ka prokurorë që emërohen, shkarkohen dhe transferohen nga Presidenti i Republikës.

Ka prokurorë që zgjidhen e lëvizen, vetëm nga Këshilli i Lartë i prokurorisë, një institucion ku s’ka drejtim vertical politik. Natyrisht mund të ketë dhe ka patjetër ndikim politika, madje do të ketë edhe në të ardhmen, por ndikimi me emërimin e shkarkimin është diçka ndryshe.

Ndërkaq, nuk ka më një Kryeprokuror që vendos për të hapur një akuzë ndaj dikujt, pasi këtë mund ta bëjë çdo prokuror. Por Reforma e ka të ndaluar që prokurori të bëjë arrestim apo përgjim. Çdo heqje lirie apo prekje e drejtave të njeriut duhet të shkojë në gjykatë. 

Kjo është reforma reale, e me kalimin e kohës do të ngjizet një sistem i cili patjetër do të koalidohet rrugës e do të marrë logjikën dhe fuqinë e një sistemi e pushtet të ndarë nga politika.

Deri më sot, e duket edhe për një kohë të gjatë, ky pushtet është i brishtë, ndaj ka afër një mbrojtës siç është SHBA, e një monitorues të brendshëm siç është BE-ja me ONM-në. Manjani e kishte me mënyrën “jakobiniste” që është zhvilluar në disa raste, ku zyrtarë e politikanë janë mbajtur drastikisht në burg deri sa të kryhet gjyqi. 

Ka shumë gjasë që mjaft prej këtyre vendimeve kanë qenë të ashpra apo të ekzagjeruara, por reforma në drejtësi ua lejon çdo të akuzuari që ta kontestojë masën, apo të akuzojë Prokurorinë për arrestim të paligjshëm.

Ndërkaq, kur Ilir Meta paralajmëron:"shkundje të sistemit”, ishte pikërisht denoncimi i Monika Kryemadhit në SPAK që kërciti prangat për Lefter Kokën e Alqi Bllakon, ç’ka do të thotë se sistemi ka funksionuar kur e kanë përdorur.

Po çfarë “do të shkundet” më 25 korrik, sistemi politik, duke qenë garues për të rrëzuar Edi Ramën? Kjo nuk është gjë e re, pasi si Berisha, si Meta, kanë qenë aktorë politik të palëvizshëm në vend që prej 30 vitesh. Dhe revolucioni që premtojnë nuk është gjë i tillë, por thjesht riciklim, siç ndodhi me Berishën në PD pasi iku me ceremoni në vitin 2013. 

Do të nisë sërish avazi i gjithë këtyre viteve në panelet e darkës, ku do të sulmohet Edi Rama, e për të argumentuar largimin e tij, do të përdoret “supa e vjetër” e Fatos Lubonjës e teorisë së “tre banda janë më mirë se një”. Natë për natë e ditë për ditë në televizione, siç ka ndodhur gjithë këto vite. 

Deri sa të vijë një “mandatë” e madhe nga Uashingtoni që të trazojë ujrat se këtu “shkundjet” janë bërë si titujt e mediave online për modelet e zhveshura: Demi Rose shkund rrjetin”…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?