Ish kryeministri Sali Berisha

Ylli Pata: Dalja e PD-së së Shkodrës përballë Foltores, sinjali më i ri i 14 majit

29 Mars 2023, 18:58| Përditesimi: 29 Mars 2023, 18:59

  • Share

Entuziasmi i mediave pranë Berishës dhe Metës për disa dorëheqje apo tërheqje të kandidatëve të PD-së në disa bashki, ëshë një shenjë se vërtetë BF-ja e shikon realisht Partinë Demokratike si një rival politik potencial.

Pas përjashtimit të Sali Berishës prej Lulzim Bashës, PD hyri në një proces të fortë përplasjesh traumatike, që e ka çuar të gjithë strukturën e partisë më të madhe opozitare në vend në një situatë kaosi. E ky konfuzion është natyrisht politik, organizativ e mbi të gjitha struktural.

Pas marrisë pa asnjë logjikë të 8 janarit, djallësisë politike të 6 marsit, e më pas zaptimit të selisë qendrore të PD-së nga Berisha e shumë, gati në të gjithë bashkitë të selive të degëve të PD-së, është e kuptueshme që Partia Demokratike u kthye në një fushë beteje, ku forumet, lobet, strukturat nuk ishin fare si para 6 shtatorit 2021. Aq më shumë që kemi të bëjmë me një gjendje specifike, ku një organizëm politik është në opozitë të gjatë prej më shumë se 10 vjetësh.

Kush i mban mend zhvillimet politike të hershme në Shqipëri, socialistët u përçanë keqas pas 26 majit 1996, pasi nuk u arrit të fitohej pushteti. PS-ja nuk arriti ta gëlltisë një stinë opozite të gjatë e brenda saj nisi një luftë vibruese.

Luftë, të cilën e mbylli Fatos Nano, i cili ndryshe nga të gjithë politikanët e lartë të PS-së që lëviznin sa nga Parlamenti në kryeqytetet e Europës, ishte në qelitë e ftohta të burgut të Bënçës. E kështu shkundi e ndërpreu çdo lloj narcizizmi e protagonizmi për të fituar sa më shumë prej flirteve pragmatiste të politikanëcve socialistë.

Partia Demokratike krejt natyrshëm që do të infektohej, indiktohej, ndikohej, e trazohej nga e gjithë kjo tollovi e madhe, e gjatë dhe krejt absurde. Për 8 vjet demokratët janë thirrur në beteja pa sens me mullinjtë e erës, thjesht për interesat personale të Sali Berishës që të mos kalonte reforma në drejtësi. Duke i ndaluar thelbin, e një organizate politike; marrjen pjesë në zgjedhje.

Partia Demokratike vërtetë që u shpërthiq nga “invazioni barbar” i foltores, por goditjen më të madhe e ka marrë nga ai vendim absurd i largimit nga Kuvndi, e sidomos nga braktisja e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Edhe njërëzit që kanë qenë atëherë më të etshmit në veprimet guerile si Xhelal Mziu e Zef Hila, me plot të drejtë sot janë partizanët më të fortë për të marrë pjesë në zgjedhje.

Pra në të gjithë këtë panoramë të pritshme dhe të kuptueshme për një organizatë politike, PD nuk mund të ishte sot një strukturë solide e cila i përgjigjet kaq konvencionalist një structure miliardere siç është tandem politiko financiar i Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Largimi i kandidatit të PD-së së Bashkisë Lezhë është krejt i pritshëm, pasi nga ai qark ishin larguar madje me bujë Mark Marku dhe mënjanuar Agron Gjekmarkaj. Të dy janë dy politikanë që socialistët nuk duan t’i shohin me sy, por janë të djathtë natyralë dhe sot janë përballë Sali Berishës politikisht në pozita dhe qasje intelektuale e morale. Në bastionin e fortë të Lezhës është e qartë se grupimi i Alibeajt nuk ka një strukturë solide, pasi ajo strukturë u shthur që kur iku shefi i parë i saj Mark Marku, e më pas Agron Gjekmarkaj.

Në Korçë, largimi i kandidatit për kryetar bashkie ndodhi për një intrasigjencë absurde të kryesisë qendrore, që i hoqi të drejtën Gjergj Gjatës që të zgjidhte vetë kandidatët për këshillin Bashkiak. Gjata ishte i vetmi personazh i “primareve” që vendosi për të kandiduar për PD-në zyrtare, por në fund ndryshoi mendje pasi pala tjetër i dha një ofertë më të mirë. Në fund të fundit kjo është politika; rezultantja e interesave.

Megjithatë, sinjali më i fortë, ka ardhur nga Shkodra. Vendi ku PD ka një basen votash gati te 60% prej vitesh, ku ndodhet bastioni i saj e natyrisht që do të ketë edhe pritshmëritë më të rëndësishme në këtë situatë.

Kryetari i PD-së së Shkodrës, Xhevdet Amuli, është një aktivist i PD-së që në “epokën e gurit”, pra që kur PD është themeluar, por që asnjëherë nuk ka qenë zyrtar i shtetit shqiptar. Dega e PD-së së Shkodrës, është një nga të paktat, madje shumë të paktat që i ka rezistuar thuajse pa u prekur në strukturë, agresionit të foltores. Strukturat e PD-së në Shkodër, janë pa frikë 55-60 % të paprekura, edhe pse Bardh Spahia sapo fitoi më 6 mars shkarkoi të gjithë që nuk ishin me foltoren nga bashkia që të fusë frikën. Xhevdet Amuli, me një logjikë të pritshme u propozua nga baza që të jetë kandidat për kryetar bashkie i Shkodrës. Në fund, kryesia e PD-së duke thyer vullnetin e strukturës më solide të saj i la demokratët shkodranë të vetëm përballë agresionit të foltores.

Por Amuli, pasi ka zhvilluar një seri seancash maratonë të mbledhjeve të strukturave doli publikisht dhe tha “PD nuk e mbështet Bardh Spahinë”. E jo si opinion personal, por si qëndrim politik të degës së PD-së. Pa asnjë kompleks se mund ta akuzojnë se po mbështet Benet Becin. i cili në vitin 2013 ka qenë kandidat i PD-së për deputet në Shkodër, ku demokratët shkodranë kanë bërë fushatë. E kush mund t’i akuzojë: Ilir Meta! Kush është më demokrat sipas demokratëve: Meta apo Beci. Megjithëse nuk bëhet fjalë as për zotin Spahia as zotin Beci. 

Xhevdet Amuli ka dhënë një sinjal për demokratët në të gjithë Shqipërinë, sesi të sillen me kandidatët e Sali Berishës dhe Ilir Metës. E si demokrat, Amuli ka fuqinë morale shumë më të madhe edhe se Alibeaj, edhe se Gaz Bardhi po e po, po edhe se Dash Sula e Jorida Tabaku. Amuli është një nga nismëtarët e PD që ka bërë fushatë me Azem Hajdarin kur Sali Berisha nuk i afrohej Shkodrës, e Ilir Meta bënte komentatorin sportiv te “Nga njëra ndeshje në tjetrën”…

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?