Sali Berisha

Ylli Pata: Deshifrimi politik, përse Sali Berisha u mor me super të penduarin Dumani?!

27 Maj 2022, 18:22| Përditesimi: 27 Maj 2022, 18:28

  • Share

Ishte krejt e pazakontë deklarata e Sali Berishës sot për një nga “njerëzit e momentit”; të penduarin e krimit, Nuredin Dumanit.

Që doktori thotë shpesh gjëra të pazakonta kjo tashmë dihet, ai është realisht një mjeshtër për të mos “mërzitur” auditorin me qëndrimet e tij. A shkakton zemërim për disa e knaqësi për të tjerë është tjetër gjë, fakt është se nuk është boring, në krahasim me politikanët konvencionalë e monotonë që i kemi me shumicë.

Po megjithatë, është krejt jashtë detyrës së një politikani, sidomos të opozitës, që të merret me dërgime mesazhesh ndaj një super të penduari të SPAK, por edhe disa emra të rëndësishëm të krimit, të akuzuar nga operacioni që erdhi falë rrëfimit të të penduarit.

Nëse në këtë rast do të kishim një apel për një hetim gjithëpërfshirës, dhe thirrje për politikën që të mos ndërhynte në punën e drejtësisë, atëherë kemi të bëjmë fiks me logjikën e funksionimit të politikanit.

Por Sali Berisha shkon më tej, ai thotë se Dumani duhet të flasë për një, dy, tre, katër; pra numëron argumentet që sipas doktorit do të duhen të jenë bazë e rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë.

Përse doktori orienton killerin famëkeq që të ndryshojë “skenarin” e dëshmisë së tij? Pasi në këtë rast, vetë Berisha, edhe pse mund të ketë dijeni nga mediat, apo edhe burime të tjera, për detaje mbi ngjarjet kriminale në vend, ai realisht nuk ka si të dijë realisht konfigurimin e bandave dhe mënyrën e funksionimit të tyre.

Sepse në këtë fjalëkryq që ofrohet nga qëndrimi i Berishës kemi dy anë: njëra ku ai nuk ka besim te SPAK, për të cilin thotë se i shërben Edi Ramës, nga ana tjetër sugjeron si të flasë Nuredin Dumani.

Të cilit, përveç mesazhit që i dërgon se si duhet të flasë, e konsideron “fytyrën e këtij shteti dhe kësaj qeverie”.

Kur në Itali shpërtheu rasti “Buschetta”, por edhe të tjerë që nisën të pendohen, bosët e Cosa Nostra-s gjetën një cilësim për ta. i quajtën: “Infame”. Që do të thotë: “I pandershëm, i ulët apo pervers”. Ishte një kod i qartë, për të vizatuar atë që merr përsipër të thejë Kodin e Heshtjes e të flasë për organet e drejtësisë.

Ndërkohë përveç Dumanit, Berisha i bën thirrje edhe një tjetri të arrestuari- Besjan Xhixhës, i cili nuk është i penduar, është thjeshtë i pandehur, nën hetim e që ndiqet sipas masës “arrest me burg” që ka vendosur Gjykata e Psoaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit .

Xhixhës, Berisha i bën thirrje të flasë për lidhjet e deputetëve të PS-së dhe ministrave, ndërkohë që sulmon SPAK.

“I bëj thirrje edhe Besjan Xhixhës, të rrëfehet për lidhjet politike të deputetëve e ministrave. Vë dyshimin më të madh mbi SPAK, po bën mburojë të denoncimeve politike. S ka nevojë t’i thotë askush SPAK, po i fsheh këto”, tha Berisha.

Si për “koençidencë” një mendim të tillë për SPAK e kishte edhe vetë personi që i drejtohet doktori, i cili ka sulmuar prokurorin kryesor të çështjes në gjyq, duke tentuar që ta largojë nga shqyrtimi i çështjes.

Kur e bën këtë gjë një person i cili është i arrestuar apo hetuar për një çështje, pra luan që të arrijë një favor për dosjen mbi të cilin hetohet, ka logjikë.

Po përse një politikan kaq i lartë si Sali Berisha: President e kryeministër, të merret me deklaratat e të hetuarve për vrasje dhe grabitje?

Politikisht, vetë Sali Berisha nuk fiton asgjë, pasi as nuk rrit votat, por as ndryshon qëndrimet në Parlament. Nëse flet në publik si gazetar i paneleve që ka informacion, do të duhet të japë detaje, mbi hetimet, zhvillimet, lidhjet e bandave, apo edhe prapaskena e kontekstin e zhvilluimeve. Por në këtë rast, Berisha jep porosi nga një podium konference për shtyp.

Këtu kemi të bëjmë thjesht me një hetim nga një institucion i pavarur siç është prokuroria Speciale ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Një “porosi” për SPAK quhet ndërhyrje e politikës në punët e drejtësisë. Ndërsa një mesazh ndaj të hetuarve, është interferim në materialet që po hetojnë prokurorët, dhe ndaj subjekteve të shpallur të pandehur. Kjo ka një emër tjetër natyrisht edhe në kontekstin juridik…./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?