Lajmi më i rëndësishëm i ngjarjeve dramatike sot në selinë e Partisë Demokratike ishte pikërisht bilanci fatlum që nuk pati tragjedi njerëzore.
Gjithë ai tension, gjithë ajo dhunë e shfrenuar që nisi me përplasjen me Roland Bejkon e më pas u shfry drejt xhamave e dyerve të selisë së PD-së, duket se nuk ishte i rastësishëm.
Ajo ishte një mekanizëm teatral që ndodhi përpara nisjes zyrtare të protestës, pra orën 12.00 e sipas gjasave me udhëzimin précis të regjizorëve të saj.
Tollovia e vareve, levave apo shkallëve për tu ngjitur në “kalanë” e Shqupit, nisi të aktivizohej përpara se në selinë e PD-së të shkonte Sali Berisha dhe përfaqësuesit e tjerë të “komisionit të rithemelimit”.
Logjikisht, “ceremonia e vareve” do të duhej të kishte ndodhi pas përfundimit të protestës ku njerëzit të ishin karikuar nga folësit e tubimit, por duket se plani u përmbys.
Pikërisht sepse nuk ndodhi ajo që priste Sali Berisha, një mbështetje e madhe prej njerëzve që janë aktualisht pjesë e anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Gjasat e logjika e thotë, se organizatorët kanë bërë plane të sakta se nga dhe kush do ta përbënte masën e protestuesve që do të mblidheshin për të kryer “përmbarimin politik” të Selisë së PD-së.
E duket se planet e bëra, nuk kanë rezultuar të përmbushura në një masë drastike, e pikërisht për këtë është kaluar në “Planin B”. Pra nisjen e trazirave për të prodhuar një ngjarje.
E cila nëse do të kishte vazhduar edhe më shumë, do të çonte në një përplasje fatale mes njerëzve që i mësynë selisë së PD-së me ata që ishin brenda saj.
Një përplasje që mund të kishte prodhuar tragjedi njerëzore të tmerrshme. Kosto e të cilave sido që të shkonte zhvillimi politik, do të ishte shumë e lartë.
Tani, kur gjithçka ka mbaruar, mbështetësit mediatikë të Berishës po përdorin si kauzë ndërhyrjen e policisë në çastin më dramatic të përplasjes.
Gjithsesi është gjysma e së keqes, fundja diçka do të duhet të kenë si atu, pas epopesë 3 orëshe ku realisht nuk u realizua asnjë nga objektivat e Sali Berishës dhe njerëzve të tij.
As mobilizimi i një mase të madhe njerëzish, të paktën një përsëritje të skenave të 11 dhjetorit në “Air Albania”, e as marrja e selisë së Partisë Demokratike.
Tashmë, mos arritja e objektivave nga Berisha, do të jenë një problem i madh në ditët që vijnë, ngaqë ka shumë gjasa që frustrimi të prodhojë zgjidhje dramatike.
Mungesa e fuqisë në këtë rast diku do të shkarkohet, e çdo ditë që vjen kjo pafuqi do të vijë të bëhet edhe më e konsoliduar. Gjithçka vjen nga mungesa reale e bashkimit të anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së me Sali Berishën, sinjale që u dhanë qartësisht në zgjedhjet e 25 qershorit.
Por ka disa zëra publikë tek ne, që edhe pse sinjalet janë dhënë herët, as nuk e vënë uji në zjarr e vijojnë të insistojnë në “pllakën e vjetër të gramafonit”, që Edi Rama ua përsërit shpesh në fjalimet e tij në Parlament.
Ndërkaq, në lidhje me ndërhyrjen e policisë sot, edhe pse do të përdoret gjatë si argument, njerëzit, edhe përkrahësit e PD-së e kanë kuptuar se ajo ishte e pashmangshme.
Fundja, a nuk denoncoi në polici edhe Belind Këlliçi krerët e PD-së për hapjen e zyrës së tij të FRPD-së në selinë qendrore?
Në një shtet ligjor, konfliktet nuk zgjidhen as me leva, e as me vare, por me gjykata, polici dhe institucione.
Megjithatë, mungesa e realizimit të objektivit nga Sali Berisha sot, është një handikap që mund ta shtyjë në veprime edhe më të rrezikshme në ditët që vijnë. Pasi shkaku kryesor është braktisja publike e masive nga anëtarësia e PD-së/TemA