Ka një dilemë që në fakt nuk përballet realisht në opinion prej kohësh në lidhje me gjendjen e opozitës shqiptare.
Dualizmi real politik ndërmjet Foltores së Sali Berishës dhe PD-së le ta quajmë institucionale, është fenomen real që po ndodh pas zgjedhjeve të 6 marsit, ku pati një zhvillim të fortë: një pjesë e PD-së garoi kundër partisë së vet në zgjedhje zyrtare në vend. E ku Shkodra, që është një bastion politik i Partisë Demokratike, si zhvillim pati edhe pasojat e veta.
Pas largimit të Lulzim Bashës nga kreu i PD-së dhe sulmit mediatik të Berishës që ka siguruar një regjim mediatik për ta njohur si kryetar të partisë, ku i tillë nuk është, debati është se kush do të prevalojë në zgjedhjet lokale të ardhshme brenda opozitës.
“Kush voton për Alibeajn:, thonë skeptikët, por asnjëherë nuk i përgjigjen, madje nuk duan t’i përgjigjen pyetjes: “kush voton për Sali Berishën dhe Ilir Metën?” Një pjesë e mbështetësve sjellin 6 marsin si një model politik, i cili arriti të sigurojë një primat të kastës së vjetër.
Gjithsesi nervat e lëshuara ë njerëzve të Foltores me Flamur Nokën e të tjerët, në seancën e së mërkurës në Kuvend, nxori në dritë një problem real politik që është më shumë se mllef. Përfaqëson një pasiguri të Foltores dhe një qetësi të pjesës tjetër që ja vlen të analizohet.
Në këtë rast, Foltorja po shpallet nga mediat mainstream se përbën shumicën e opozitës në territor, ndërkohë pjesa tjetër realisht nuk se ka dalë me një tezë narciziste.
Sipas gjykimit fillestar; pra nga numrat mund të vërehet se opozita është e ndarë dysh, tresh apo katërsh, fakt është që është ndarë.
Por në një votim politik, edhe pse lokal ky konfiguracion është një mundësi zgjedhjeje, pra pluralizëm më i madh politik. Sepse kemi të bëjmë realisht me ndarje të rëndësishme brenda opozitës. Njëra që përveçse e distancuar nga Sali Berisha është atlantiste, e tjetra nuk atlantiste sepse është ndëshkuar Berisha.
Këtu pi ujë vizioni që kanë palët për të dhënë një alternativë ndryshe të opozitës. Rama po synon t’i trajtojë njësoj, e këtu kryeministri natyrisht abuzon. Pasi edhe pse në mënyrë të ndrojtur opozita e Alibeajt, Tabakut, Gjekmarkajt, Flutura Açkës etj, është opozitë qytetare, kontrontuese, akuzuese por edhe propozuese më shumë se një herë.
E ky vizion i opozitës natyrisht që kërkon që të përsoset e të plotësohet, por diferenca e dy opozitave është në thelb e ndryshme. Që nga gjuha.
Alibeaj më shumë është përplasur me foltoren si sherr sesa me mazhorancën. Pse? Sepse gjuha e tij ka qenë politike, e si e tillë ka ngjitur më fort, por nga ana tjetër nuk ka krijuar mundësinë që të destabilizohet nga mazhoranca. Përveç rasteve kur ka pasur debat mbi përmbajtjen.
Por sa do mundet në terren Alibeaj, të dalë si alternativë që mund të marrë votat e demokratëve, të cilët janë të ndarë si pasojë e aksionit të Foltores?
E vetmja rrugë është të dalin numrat apo raporti i forcave të anëtarësisë së Partisë Demokratike në aksionin politik të zgjedhjeve lokale. E këtë duhet ta bëjë që tani, grupi që mban legalitetin e grupit parlamentar të PD-së. Të tregojë realisht me kë janë strukturat e Partisë Demokratike në 61 bashkitë e vendit, duke riaktivizuar strukturat që kanë rezistuar prej një viti nga agresioni i Foltores.
Pa këtë përballje numrash, askush nuk e di se si qëndron realisht situata në tërritor, sidomos në zonat bastion të PD-së. Kjo do të ishte akti i parë politik e më i rëndësishmi i asaj që do të konsiderohet rruga politike e opozitës shqiptare. Nëse në grupin parlamentar raporti është i qartë, njerëzit presin përgjigjen për strukturat e territorit.
Të cilat duhet të prononcohen direkt për propozimet politike për kandidatë në zgjedhjet vendore sit ë foltores sit ë Partisë Demokratike zyrtare. Seanca gjyqësore për vulën, ka rëndësinë e vet, por nuk e merr peshën politike të një alternative, e cila duhet vendosur në tërren.
Por deri atëherë, a është Alibeaj dhe PD zyrtare një kopjo e Berishës? Natyrisht që jo, dhe këtë po e tregon përditë me një sjellje krejt ndryshe që PD ka vepruar përgjithësisht në vend. Por fakt është që Foltorja, po tenton ta kompleksojë me të ashtuquajturat çështje “tabu” me të cilat ka krijuar fabula mediale.
Siç është rasti “Dvorani”. Krejt normale që PD ta kontestojë dhe të mos e pranojë si gjyqtar i Kushtetueses, por argumenti dhe mënyra e narrativës publike duhet të jetë politike, jo thjesht se atë e ka inat Meta dhe Berisha.