Ka prej dy ditësh që disa deputetë të grupit parlamentar të PD-së, të cilët kanë qëndruar në parti, e nuk u bashkuan me foltoren, po shpallin ikjen e tyre. Saimir Koreshi, Jorida Tabaku, por edhe Dashnor Sula e disa të tjerë, kanë deklaruar se po largohen ngaqë nuk janë dakord në linjën që ka miratuar kryesia e PD-së, për të zgjedhur kryetarin e ri më 29 korrik.
Përveç kësaj pike, ata shprehin shqetësimin se në parti do të kthehet Lulzim Basha, e këtë ata nuk e pranojnë. Po sikur kryesia të kishte një qëndrim tjetër nga ai që mori, pra të shtynte për një kohë të pacaktuar zgjedhjen e kryetarit, ata që e propozuan këtë linjë, a duhet të largoheshin nga partia siç bëjnë këta deputetë sot?
Ka mundësi, por në regjistër është vendimi i para 14 majit, kur shumica e kryetarëve të degëve nuk e përkrahu vendimin për të mos kandiduar në 61 bashkitë e vendit. Megjithatë, ata mbajtën peshën e fushatës dhe arritën atë rezultat që u arrit në këshillat bashkiake, plus mbështetjen që u është dhënë direkt apo edhe indirekt disa prej kandidatëve të foltores.
Në disa raste si në Durrës apo Elbasan, degët e PD-së mbështetën publikisht Igli Carën dhe Luçiano Boçin. Ndërkaq, numri dy i partisë Gazmend Bardhi mbështeti hapur Zef Hilën në Vaun e Dejës, në një bashki ku zyrtarisht Partia Demokratike kishte kandidaten e saj.
Nëse këta deputetë nuk e përkrahin vijën e miratuar nga kryesia, ata kanë të gjitha mundësitë, që të lobojnë në bazë, që ky vendim të rrëzohet nga një forum më i lartë që është Këshilli Kombëtar, ose edhe të kërkojnë referendum.
Insistimi: o miratohet vija jonë politike, ose ikim, nuk është asgjë tjetër por shprehja e një vendimi që është marrë prej kohësh. Kjo ngaqë siç është edhe parë këto kohë, marrëdhëniet e disa deputetëve me degët, përkatësisht krerët e degëve në qarqet ku ata janë zgjedhur, janë të këqia, e ka mundësi që të mos jenë të propozuar për listën e 2025-s.
Kjo u pa që në problemin që këta deputetë patën në zgjedhjet lokale, ku nuk përkrahën vendosjen e kandidatëve për kryetarë bashkie. E kjo strategji ka pasur siç duket edhe një synim të caktuar, pasi një kandidat i PD-së, edhe nëse nuk do të fitonte, duke u testuar me vota direkte ai do të krijonte një marrëdhënie direkte me elektoratin, çka do t’i jepte fuqi politike në zgjedhjet parlamentare, por edhe brenda partisë.
Enkelejd Alibeaj, u fuqizua politikisht pasi kandidoi për kryetar të bashkisë Fier në vitin 2015. Prej asaj kohe, edhe pse ai erdhi në selinë qendrore, fuqia e tij politike si në marrëdhëniet me PD-në në Fier, por edhe në parti është rritur në mënyrë eksponenciale.
Lufta e nëndheshme ndërmjet deputetëve dhe bazës ka krijuar këtë relacion, që i ka bërë një pjesë të tyre të padëshirueshëm nga krerët e degëve. Të cilët sipas gjasave po kthehen në organin më të fuqishëm politik të PD-së, pasi mbajtën peshën kryesore në rezistencën ndaj Berishës dhe në zgjedhjet e 14 majit.
PER MUA NUK ESHTE FARE E CUDITSHME...ATO QE IKEN E NXORREN KOKEN QE JANE BERISHJANE. NUK KA SHPJEGIM TJETER
Përgjigju