Kur shikon emisionet e darkës në televizionet e Tiranës, pasi ke parë të gjithë raportimet e televizioneve e raporteve në median më prestigjoze të botës, kupton se logjika e humanizmi, duket se nuk gjetur një strehë normale, në një shoqëri që e quan veten në civilizuar.
Panelet e emisioneve të darkës, duket se janë një kopje shumë e keqe e debateve të vitit 1999 të televizioneve italiane.
Kur radha e filoserbëve bërtisnin për një “agression të NATO-s” në një vend sovran siç ishte Jugosllavia e Millosheviçit, e flisnin për interesa ekonomike e gjeopolitike duke sulmuar Amerikën.
Por ndërsa aksioni për çlirimin e Kosovës ishte një bombardim ajror i NATO-s ndaj caqeve ushtarake të makinerisë serbe të luftës që kryente spastrim etnik në Kosovë, sot jemi përpara një agresioni të hapur, të tmerrshëm e mjaft të dhunshëm të Rusisë së Putinit, ndaj një vendi sovran si Ukraina.
E në fakt, këtë argument po e dënojnë e po e trajtojnë jo vetëm të gjitha qeveritë e parlamentet e Perëndimit, por edhe shoqëritë e tyre, sidomos elita intelektuale.
Ndërsa në panelet tona, një këshilltar i Ilir Metës, që u bë lajm pas një hetimi të prokurorisë Italiane për një fake news, disa vite më parë, e quan agresionin rus në Ukrainë, si një lojë gjeopolitike interesash.
Si mund të flitet për interesa ekonomike, kur 500 mijë refugjatë ikin nga tmerri i luftës, e qytetet e Ukrainës po kthehen në pluhur nga bombat më të tmerrshme të arsenalit luftarak të Rusisë?
Mobilizimi i Perëndimit, nuk është arritur nga interesat, por nga derdhja e gotës së zullumit nga ana e Vladimir Putinit, i cili kërkon të ndryshojë më forcë hartën e Europës, me një kosto njerëzorë në radhë të parë shumë të frikshme.
E këtu nuk ka asnjë diskutim për gjeopolitikë e për interesa ekonomike. Ky diskutim mund të bëhej përpara se të pushtohej Ukraina. Madje këshilltarët që sot po justifikojnë Putinin nëpër panele vinin, bast po nëpër emisionet e darkës se nuk do të kishte luftë, duke u tallur me informacionet që shpërndau inteligjenca amerikane në mediat botërore.
Mjafton të ndjekësh BBC-në gjatë mbulimit të situatës 24 orëshe të luftës në Ukrainë. Në tërë këtë mbulim, mbi 70% të informacionit e analizës, nuk është për situatën e operacionit ushtarak, të cilit i kushton vetëm 2 minuta, Pjesa më e madhe e mbulimit të BBC është për çështjen humanitare të kësaj lufte, dramave dhe tragjedive që ka hapur ky operacion ushtarak i çmendur i Rusisë.
E në këtë rast, kur vriten fëmijë, gra e pleq, që është edhe më shumë se tragjedia e shqiptarëve në Kosovë, është e tepërt të flitet për gjeopolitikë, nga njerëz, që përveç të tjerash nuk kanë asnjë titull apo njohje publike për ta bërë këtë analizë…/TemA