Meta-Berisha

Ylli Pata: Karuseli i deputetëve që qëndrojnë në ajër!

14 Janar 2023, 19:57| Përditesimi: 14 Janar 2023, 20:00

  • Share

Para dy ditësh, një nga deputetët veteran të Partisë Demokratike, përkatësisht Dashnor Sula, duke ju referuar situatës brenda opozitës, deklaroi në një intervistë se çelësin e zgjidhjes së konfliktit brenda opozitës e kishte Sali Berisha. Zoti Sula, siç u pa i referohej logjikës që doktori duhet të hiqte paksa dorë nga mania për të marrë drejtimin e opozitës, dhe gjërat qetësohet. Edhe pse në dukje, thirrja e Dash Sulës duket si një apel që të duket si “mbi palët”, në thelb është një kapitullim politik i deputetëve në rolin e tij politik.

E ky është realisht një nga problemet kryesorë politikë, jo vetëm në opozitë, por edhe në mazhorancë apo forca të tjera politike. Por, komentimi i situatës së opozitës vjen natyrshëm nga ngjarjet e aktualitetit, ku deputetët e grupit parlamentar i ngjajnë atij karuselit që rrotullohet nga njëra apo tjetra anë, varet nga kush ka kontrollin e butonave në kutinë e butonave.

E në realitet, ndërsa deputetët e partive të mëdha, duket se janë pjesë e jë karuseli shumëplanësh, që vijnë në sallë vetëm për spektakël, për të bërë paradë mode, të cilët i japin punë fotoreporterëve të Kuvendit, të vetmit që kanë peshë, janë deputetët me këllqe, të cilët bëjnë deal-e të mëdhenj me shefat e politikës. Si puna e Agron Çelës, Tom Doshit, apo edhe Aqif Rakipit, të cilët i ngjajnë një bejte të vjetër të viteve 90: “O filani aleanca, s’ke parti, po ke fansa”!

E në fakt, pesha e tyre politike qëndron se me metoda “jo shumë ortodokse” ata arrijnë te kenë një lidhje të fortë me zgjedhësit, sa kanë arritur të imponojnë dhe zhvillimet politike në Kuvend. Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike sot, në vend që të jenë njerëzit më të rëndësishëm për të përcaktuar se ku anon peshorja, lëvizin si zhonglerë cirku. Pse ndodh kjo? Sepse lidhja reale e deputetëve me zgjedhësit është krejt informale.

Por ajo që është më e rëndësishmja, deputetët nuk kanë lidhje me strukturat e Partisë Demokratike në bazë, madje realisht strukturat e PD-së nuk e duan deputetët. Nuk i duan sepse ata si deputetë kanë ardhur jo si vullnet i bazës, por kompromis i kryetarit të partisë, përkatësisht Lulzim Bashës. Madje Berisha, me shumë shkathtësi e shfrytëzoi në fillim pikërisht këtë pakënaqësi të deputetëve me bazën e Partisë Demokratike.

Të rrallë janë ato deputetë si në PD, si në PS, që mbajnë lidhje direkte me njerëzit, apo edhe me strukturat vendore partiak.  Në shumicën e rasteve janë konfliktualë, kur me logjikë jo vetëm duhet të ishin në sinkron, por çdo deputet duhet të dalë si vullnet politik të bazës së partisë. Përbetimet se “jemi në terren” por që deputetët jo vetëm nuk kanë një mendim me “terrenin” por madje janë në konflikt, tregon se thelbi i kësaj krize, apo krizës politike në Shqipëri, është kriza e përfaqësimit.

Edi Rama, e ka gjetur një “ilaç” me “sekretarët e parë” të shekullit të 21 pra ministrat që delegohen në qarqe duke pasur pushtet e fuqi më shumë, ndërkohë deputetët janë njerëzit më jo popullorë në zonë, që lëvizin si top futbolli. Ky në fakt është thelbi i krizës politike në vend, pasi është krizë përfaqësimi.

Dorëheqja e mjaft deputetëve për tu  bërë kryetar bashkie, tregon pikërisht mungesën e këllqeve politike të parlamentarëve. Të cilët thjesht nuk përfaqësojnë bazën politike, por në shumicën e rasteve janë në konflikt me të. Ndaj edhe nuk kanë asnjë peshë dhe drejtuesit politikë i lëvizin si të duan. Përndryshe, do të impononin zhvillime. Si për shembull Agron Çela, i cili e ka detyruar Ilir Metën që prej dy javësh nuk e heq nga goja…

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?