Që Prokuroria Speciale ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të kthehet në një arenë politike në vend, ndoshta edhe më shumë se Parlamenti, ky është një zhvillim i pritshëm, e madje evolutiv. Pasi SPAK edhe pse nuk është një strukturë ad hoc në aspektin kushtetues e ligjor, në thelb është një institucion që ka lindur për t’i kallur datën politikanëve e zyrtarëve të korruptuar. Por këta të fundit, nuk se janë as më axhami, e as më “të ngathët” se juristët e SPAK, madje janë “nona” e manovrave. Kanë më shumë hapësirë, më shumë mundësi, e shumë e shumë më shumë mjete financiare për të prodhuar njëqind big brothera njëherësh.
Në vitin 1992, kur Antonio di Pietro, së bashku me kolegët e tij të zyrës së “Mani Pulite” të Prokurorisë së Milanos, vendosën të sulmojnë sistemin e rryshfeteve të të ashtuquajturës “Pentapartito” në Itali, pra të godisnin pandëshkueshmërinë, e dinte se ndaj tij do të vinte edhe shkopi, edhe karrota, edhe jashtëqitja e gjirizeve të ndyra të sulmeve politike.
Por nuk u ndal, derisa së bashku me kolegët e tij, çoi në gjykatë pikërisht krerët e “Pandëshkueshmërisë”. Si pasojë u dënuan ministra, kryeministra, zyrtarë e biznesmenë shumë të fuqishëm.
Por Di Pietro, nuk u ndal me politikanët e “regjimit të vjetër” pra të “Republikës së Parë” të Italisë që kishin ngritur sistemin e rryshfeteve, por u mor edhe me “mbretin” e “Republikës së Dytë” që kishte qenë i përktheluri i së parës. Përkatësisht Silvio Berlusconin, i cili ishte njeriu më i afërt i politikanit simbol të sistemit të rryshfeteve-Betino Craxi.
Berlusconi e dinte këtë gjë, dhe sapo fitoi zgjedhjet në vitin 1994, e ftoi Antonio di Pietron për tu bërë ministër i Brendshëm i qeverisë së tij. Kur prokurori i tha “jo faleminderit”, atëherë kryeministri i nisi inspektorët e ministrisë së Drejtësisë në prokurinë e Milanos për t’i gjetur shkelje proceduriale.
Në fakt e gjithë loja ishte që të bllokonte punën e “Mani Pulito”-s për të mbushur dosjen e kryeministrit të ri të Italisë. Me dinakëri, Di Pietro me shokët e tij, rrinin pa zë gjithë ditën me inspektorët, i përcillnin në orën 5 pasdite duke ikur bashkë me to, e më pas ktheheshin e punonin gjithë natën me drita fikur. E kështu arritën të hynin brenda paradhomës së Silvio Berlusconin, sa e bënë të japë dorëheqjen, as një vit nga marrja e mandatit.
Pas kësaj, çfarë si bënë Di Pietro-s, i nxorën ca letra të vjetra kur kishte qenë polic, e kishte blerë një Mercedez në formë borxhi tek një tip i fortë. Në një farë mënyre si puna e kësaj çështjes “McGonigall”. E lodhën, e mërzitën. Di Pietro u largua nga Prokuroria, u fut në politikë si opozitar me Berlusconin, hyri ministër i Romano Prodit, e më pas u prish dhe të majtët. Sot është një qytetar i lirë, por që ka arkivën më të madhe antikorrupsion në shtëpinë e tij.
Në fund, Antionio di Pietro nuk është hero ndoshta, por i dha një goditje të madhe pandëshkueshmërisë. Njëjtë si Di Pietro janë sulmuar, i kanë joshur, i kanë shantazhuar edhe Laura Korvesin e Rumanisë apo Civitanin e Kroacisë. Por ata nuk se e kanë çarë kokën shumë për fjalët, thjesht kanë firmosur aktet e hetimit.
Sa për parantezë, edhe në Itali, u fol dhe akoma flitet se aksioni i Antionio di Pietros u mbështet fort dhe u nxit nga qeveria e SHBA-së kundër asaj pjese të politikës italiane që ishte kundërshtare me Perëndimin. Në këtë linjë, edhe këto valset para dyerve të SPAK në konferenca shtypi nga njerëz që i kanë ndërtuar banjo edhe maces, apo fluksit absurd të letrave, a thua se Prokuroria Speciale është një televizion informativ, janë pjesë e dialektikës.
Vetëm një gjë: SPAK është krijuar me një qëllim të caktuar; të godasë pandëshkueshmërinë që i është shmangur drejtësisë. Duke bërë këtë, Prokuroria Speciale do të krijojë një traditë që këtë punën e saj ta bëjë çdo prokuror apo çdo zyrë prokurorie e Republikës. Siç ndodh në SHBA e BE, e që e kemi parë edhe ndaj presidentit në detyrë, ndaj ish-Presidentit apo edhe një zyrtari të lartë të FBI.
Në Perëndim, ky është standard, jo hata. Mjafton të përmendet fakti, se thuajse të gjithë Presidentët e Francës kanë qenë nën hetim, e janë dënuar tre nga katër të fundit. Kjo logjikë në Perëndim është thjesht rutinë. E për tu bërë e tillë në Shqipëri, duhet thyer akulli, sidomos për ata që bëjnë paradë mercedesash e aksesorësh luksozë para zyrave të SPAK. Në thelb kjo është pikërisht një sfidë konceptuale; një betejë e të fuqishmëve që vallëzojnë para hundës së prokurorëve “pabuksa” që kaluan vetingun…
a sa bukur e ke shkuajtuar!
Përgjigju