Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Ylli Pata: Kostoja e nxjerrjes së PD nga sistemi, vula fatale e dështimit të Lulzim Bashës

4 Qershor 2021, 12:41| Përditesimi: 4 Qershor 2021, 12:48

  • Share

Është e çuditshme se ende sot, kur gjërat kanë ndryshuar shumë dhe kanë marrë një rrjedhë krejt tjetër, panelistë e gazetarë pranë opozitës, ende mbrojnë të ashtuquajturën teze “revolucionare”, e cila mori në qafë jo thjesht Partinë Demokratike, por opozitën mbarë, jetën politike dhe paqen sociale në vend.

Mbrëmë, si Arjan Çani, si Armand Shkullaku, kritikuan Lulzim Bashën se nxori totalisht opozitën shqiptare nga sistemi, por ngaqë ai nuk e çoi aksionin deri në fund, duke mos u ndikuar nga presioni ndërkombëtar.

Rrekja e riciklimit të “tezës revolucionare”, duket se ka qëllimin e vetëm për të justifikuar Lulzim Bashën, që ky i fundit të konfirmohet më 13 qershor, por që realisht në PD, kjo tezë tashmë është braktisur në thelb nga njerëzit që bëjnë politikë brenda kësaj formacioni.

Si Edit Harxhi, Agron Shehaj apo Fatbard Kadilli, që janë rivalë të Lulzim Bashës, e kanë konsideruar tezën e daljes nga sisitemi me fjalën që i takon: fataliteti kryesor i politikës së Lulzim Bashës, që i shkaktoi humbjen më 25 prill.

Teza e Çanit dhe Shkullakut, që Basha duhet të insistonte me teorinë revolucionare, mund të analizohet fare lehtë, pasi kemi parasysh atë çka ndodhi kur u konsumua pjesa më e madhe e kësaj rruge dhe e shkatërroi PD-në.

Armand Shkullaku, në qasjen e tij thekson se Sali Berisha, edhe pse bëri një kryengritje të armatosur në vitin 1998, ku pushtoi Kryeministrinë, Parlamentin dhe televizionin publik me njerëzit e tij të armatosur, ai erdhi në pushtet 7 vjet më pas, duke u bërë kryeministër.

Por në fakt, realiteti është krejt i ndryshëm. Edhe pse Sali Berisha ka përdorur përpara Bashës, edhe me metoda më ekstreme të ashtuquajturën “tezë revolucionare”, ai riktheu PD-në në pushtet, pikërisht kur u rikthye me funksione të plota brenda sistemit dhe me lëvizje të shkathëta politike në terren.

Lëvizja e parë: në vitin 1999, kur Pandeli Majko i kërkoi Berishës një detantë politike në kohën e luftës së Kosovës, kreu i PD-së së asaj kohe e pranoi dhe për thuajse 6 muaj deri në çlirimin e Kosovës nuk krijoi incidente politike rrugës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2001, ku Sali Berisha humbi, arriti të bëjë politikë me këtë humbjen, duke ndërmarrë një kundërsulm brenda sistemit politik.

Në radhë të pare, ndërmori një tur ndërkombëtar në Bruksel për të bindur BE-në se mazhoranca, 2/3-at e PS-së dhe aleatëve të tij në Parlament, ishte jo legjitime, dhe detyroi BE të kërkonte nga Partia Socialiste që të mos zgjidhte Fatos Nanon president, por të hapte një proces koncensual.

E këtu Sali Berisha lëvizi fuqishëm duke bërë pakt me Fatos Nanon, për të zgjedhur president të vendit Alfred Moisiun, i cili vërtetë ishte kandidaturë e PD-së, por fakt është se u sugjerua nga ndërkombëtarët.

Pra politikisht tregoi se është më shumë brenda sistemit.

Pas paktit për Moisiun, Berisha u bashkua me Nanon që të largojë nga sistemi njerëzit që si Nano i kishte “gjëmba në këmbë”, ashtu dhe Berisha i urrente.

I pari ishte kreu i SHIK, Fatos Klosi, që u largua dhe madje edhe u hetua nga Parlamenti.

Më pas, me një pakt me Fatos Nanon, Sali Berisha ndërmori një tjetër lëvizje politike; të dobësojë atë që po shikonte në horizont si liderin e ardhshëm të PS-së; Edi Ramën.

Ngriti një komision hetimor kundër Edi Ramës, i quajturi “Komisioni Olldashi”, ku realisht fitues doli Rama, pasi u vërtetua si lojtar më i fortë në fushë.

Në 2002, me një tjetër lëvizje të fortë, Sali Berisha braktisi Fatos Nanon dhe nisi paktet me Ilir Metën.

Së pari, përkrahu Metën për të larguar Arben Rakipin nga posti i kryeprokurorit të Republikës. Kjo, pasi i leverdisi si Metës, ashtu edhe Berishës, që të largonte një njeri që kishte në dorë e në axhendë dosjet që digjnin të dy palët.

E gjitha kjo periudhë lëvizjesh të mëdha quhet politikë dhe është bërë e tëra brenda sistemit politik.

Ndërkohë që në 2000 dhe 2003, Partia Demokratike mori pjesë në zgjedhjet locale, ku mori drejtimin edhe të qyteteve të rëndësishme në vend si Elbasani, Korça, natyrisht Shkodra, Saranda, plus një numër të madh komunash apo edhe bashkish të nivelit të dytë.

Sërish kemi të bëjmë me politikë të fortë brenda sistemit.

Për të ardhur në 2004-2005, ku sërish brenda sistemit, Berisha hapi PD-në dhe bëri operacionin e famshëm “plastik” të imazhit dhe rikthimin e të gjithë rebelëve historikë të tij personalë.

Në 2009, Sali Berisha kishte sjellë në PD thuajse të gjithë kundërshtarët e tij në vite, që nga 1992.

Pra si përfundim nuk është aspak e vërtetë që PD ka marrë fryte nga “politika revolucionare”, përkundrazi, as se ka ardhur në pushtet thjesht nga konsumimi i PS-së dhe i ashtuquajturi “korrupsion i qeverisë së Fatos Nanos”, siç analizohet krejt në mënyrë sipërfaqësore.

Sali Berisha u rikthye në 2005 së shfrytëzoi me mjeshtëri lojtari të klasit të lartë përplasjet fraticide brenda PS-së, që ishin kthyer në antagonizëm fatal.

Dhe nga paktet me Nanon e më pas marrëveshjet me Metën, përfitoi vetëm nga ndarja traumatike e Partisë Socialiste.

Ndërkaq, Shkullaku hodhi tezën se Albin Kurti erdhi në pushtet edhe pse kundërshtoi dhe u përplas me amerikanët. Një tezë që realisht nuk qëndron.

Amerikanët nuk e përkrahën asnjëherë Albin Kurtin në aksionin e tij guerril si në Parlament e si jashtë tij, apo edhe mënyrën populiste e diskursit politik.

Por Albin Kurti megjithëse ishte reaktiv në aksionet politike, asnjëherë nuk doli asnjë ditë nga sistemi.

Madje mori pjesë në zgjedhjet lokale dhe fitoi Bashkinë e Prishtinës, Prizrenit, bëri për vete kryetarin e Mitrovicës dhe aleat kryetarin e komunës së Drenicës.

Kjo është politikë e pastër brenda sistemit.

Megjithatë, Kurti, erdhi në pushtet, jo thjesht nga aftësia e tij, por sepse zhvillimet me Gjykatën Speciale e vunë atë në favorin e madh si zgjidhja e vetme për të drejtuar vendin.

Albin Kurti nuk erdhi në pushtet nga dhuna, por nga politika.

Teza e analistëve pranë Bashës, se nëse ai do të radikalizonte qëndrimet e tij do të kishte sukses, sërish nuk qëndron.

Nëse siç thotë Çani, Basha do të pamundësonte mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke përdorur struktura paralele, aksioni do të quhej jo thjesht antisistem, por “grusht shteti”.

Jo më kot paralajmërimi që erdhi nga SHBA ishte i qartë, se LSI e PD do të shpalleshin “organizata të dhunshme”.

E pikërisht nëse ndodhte kjo, atëherë PD do të kishte fatin e Hamasit.

Në Palestinë, një organizatë si Hamas mund të mbijetojë, pasi edhe Iranin aleat e ka afër, por në Shqipëri kurrsesi.

Do të ishte shuar politikisht padyshim. “Revolucionin” nuk e ka mbështetur PD, siç po shikohet qartësisht edhe sot, pasi ata duan të jenë në politikë, të garojnë për bashki, për këshilltar, të jenë në lojë për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, por 90% e PD-së, nuk e ka pranuar dhe nuk e pranon që të jenë ushtarë të një armate paramilitare.

Hamas ka 10 vjet që nuk del për t’u votuar, pikërisht sepse ka frikë se humbet, ndaj e imponon dhunën e saj në popullatë me forcë.

E kjo në Shqipëri s’mund të ndodhë.

Diegia e mandateve që bëri Lulzim Basha nuk ishte një akt i “fortë”, e as “revulucionar”; ishte një “akt-vetëvrasës”.

Pra Basha, firmosi me atë akt që të vrasë politikisht veten e tij për të marrë një gjë të madhe: delegjitimimin e Edi Ramës, i cili ishte dhe është pengesë për Sali Berishën dhe Ilir Metën në radhë të pare, e jo për PD-në e kryetarin e saj.

Dalja nga sistemi e PD-së, ishte siç Berisha e ka vizatuar qartë, një akt i rrezikshëm, që mund ta çojë këtë parti në shkrirjen e saj.

Natyrisht, PD nuk shkoi drejt shkrirjes, ngaqë SHBA dhe BE, i dhanë shansin Lulzim Bashës për të hyrë në sistem nëpërmjet një marrëveshje jashtë Parlamentit me mazhorancën, që çoi në formimin të së ashtuquajturës “Tryezë për Reformën Zgjedhore”.

PD kishte mundësinë që të mbushte një fletë të bardhë me një ide dhe aksion super-reformator, që mund të sillte një ndryshim epokal të mënyrës së administrimit të zgjedhjeve në vend.

E kishte me “Okë” “lejen” nga SHBA dhe BE.

Por çfarë kërkoi Lulzim Basha? Kërkoi rikthimin te sistemi i vjetër i administrimit dhe numërimit nga PS e PD të votave.

Kërkoi mbajtjen e statukuosë dhe jo reformimin e përbërjes së komisioneve, si dhe nuk pranoi që të votojnë emigrantët atje ku jetojnë.

Për kujtesë të Armand Shkullakut: Albin Kurti mori mazhorancën nga emigrantët nga Kosova që jetojnë jashtë vendit, Lulzim Basha është njeriu që ka vendosur të pengojë votën e tyre. Dhe këtë e dinë të gjithë.

Nga ana tjetër, PD-ja nuk e pranoi që të ndryshonte sistemin zgjedhor; madje as formulën e zgjedhjes së deputetëve.

E kur PS rrëzoi skemën e vjetër të koalicioneve, PD reagoi, kundërshtoi, por nuk kishte mundësinë ta rrëzojë. Doli nga sistemi!

E analistët thanë se PD kishteë shans të mos futej në zgjedhje. Realisht nuk e kishte atë shans, pasi marrëveshja e bërë në “tokën amerikane” ishte për t’u futur në sistem.

Tjetër gjë se Basha, letrën e bardhë e dhënë nga ambasadorja Kim, e mbushi me budallëqet e komisioneve të numërimit partiake.

Kishte shansin të shkruante që edhe të mbante sistemin e vjetër të koalicioneve.

Nuk e bëri, sepse nuk e kishte prioritet; donte rojtarët e vjetër të Berishës në komisionet e numërimit.

Rikthimi në sistem i PD-së nuk kishte shansin të vinte si triumf, por si rrugë normale e një procesi; ndaj edhe realisht shifrat që mori më 25 prill Lulzim Basha janë në një lloj mënyre sukses.

Por ai e ka mbaruar misionin, PD sot kërkon një lider për ta drejtuar në sistem dhe jo jashtë tij, ndryshe nuk vjen kurrë në pushtet…/ Gazeta "Tema" 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?