Grida Duma

Ylli Pata: Krizën brenda opozitës s’e zgjidh as Grida e as Apeli

23 Maj 2022, 17:41| Përditesimi: 23 Maj 2022, 17:46

  • Share

Qëndrimi konfuz i Grida Dumës në lidhje me rikthimin e Sali Berishës në drejtim të PD-së së tij, edhe pse sjell mjergull, nuk është manovër për të zgjidhur problemin brenda opozitës.

Siç nuk mund ta zgjidhë as Gjykata e Apelit, nëse e njeh apo nuk e njeh Komisionin e Rithemelimit si PD-ja reale.

Pasi vetë Sali Berisha ka djegur etapat ligjore që kanë qenë bazë në kontestin e tij në gjykatë, e tashmë nuk ka as komision rithemelimi, e as Kuvend të rithemelimit, ngaqë këto struktura u ndryshuan pas zaptimit të selisë blu nga njerëzit e doktorit dhe ai vetë.

Sido që të jetë, vendimi i Gjykatës, që gjithsesi ka rëndësinë e tij, ngaqë kemi dy palë që e kanë kërkuar përballjen ligjore, efekti më i prekshëm në këtë rast është ai politik.

E pikërisht në rrafshin politik ne kemi dy rryma që do të ndeshen në këtë proces të nisur brenda opozitës shqiptare; rryma që përkrah Sali Berishën, e si “bonus” ka Ilir Metën e LSI-në pas largimit të tij nga presidenca dhe pjesën që nuk dëshiron që Sali Berisha, apo edhe Ilir Meta, të jetë një gjyle në këmbët e asaj pjesë të publikut në vend, që kërkon të jetë alternativë e kësaj mazhorance qeverisëse.

Pjesa e Berishës, apo edhe e Metës, nuk ka më çfarë të tregojë, shpalosë, apojapë si gjë të re.

Dihet tashmë çfarë përfaqëson dhe ku kërkon të shkojë. Ky tandem politik kërkon të mbijetojë izolimit ndërkombëtar, duke u mbajtur fort në politikë, edhe pse i gjithë ky operacion është jashtë kohës e kundër dialektikës politike. Ajo që tani pritet të shpaloset, apo çfarë presin njerëzit; është ideja, vizioni, koncepti i pjesës tjetër të opozitës, e cila nuk kërkon të mbetet peng i grupit të së shkuarës.

Kjo pjesë ekziston më shumë si frymë dhe realitet politik brenda njerëzve, e më pak i përfaqësuar. Grupi i 35 deputetëve, që dukshëm nuk pranoi të atashohet në Kuvendin e Foltores është një formacion shumicë në Kuvend, njihet dhe është interlekutor i ndërkombëtarëve, pra shteteve dhe partive aleate të Partisë Demokratike në Europë, por që as nuk është i artikuluar siç duhet politikisht, e as nuk po merr një aksion të qenësishëm për të qenë në krye të punëve.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës është natyrisht një shesh beteje i rëndësishëm politik, por nëse Grupi 35 nuk e ndjen veten, apo nuk është i bashkuar ta ndërmarrë, edhe mund ta shmangë.

Gjithsesi, Presidenti i ri nuk ka përse të mendohet një “minë tokësore” që po e preke shpërthen, ngaqë një parti politike lind e jeton pikërisht për të zgjedhur drejtuesit dhe përfaqësuesit në institucionet e shtetit. E këtu opozita mund ta luajë betejën e saj hapur, duke propozuar kandidatët e saj, natyrisht edhe duke i kundërshtuar rregullat apo muret që ka vënë mazhoranca për detajet proceduriale.

Duke propozuar një draft final të saj për mënyrën e negociatave apo si të shkohet në një proces konsensual për Presidentin e ri, opozita jep shenja të një ekzistence dhe rezistenca, si ndaj të shkuarës, që përfaqëson Sali Berisha dhe Ilir Meta, por edhe të sotmës që përfaqëson mazhoranca socialiste. E kështu jep një ide për atë se si e koncepton të ardhmen.

Frika për të hyrë në proces, ngaqë mund të akuzohen si “kolaboracionistë” është thjesht një kompleks i “Mukjes”, që jo vetëm i ka kaluar koha, por edhe është i tejkaluar nga përvoja politike 30 vjeçare.

Në këtë terren, pavarësisht se kemi pasur një panoramë monopol të politikës që ka gozhduar një elitë tashmë të betonuar, herë pas here kemi pasur procese që kanë treguar tejkalimin apo sinjalin për të rrëzuar status quonë. Bëhet fjalë për vitin 1996, kur dy parti tradicionale të së djathtës shqiptare: Balli Kombëtar dhe Legaliteti, së bashku me Shoqatën e të Persekutuarve Politikë, elektorati i të cilëve kishte votuar PD-në siç ndodh dhe sot, në Shkodër bashkuan votat me socialistët për të zgjedhur Bahri Boriçin kryetar Bashkie.

Në atë votim, ngërçi i Mukjes u zhduk politikisht në sajë të vizionit të një politikani të mençur si Mentor Quku, kritik i njohur i letërsisë dhe kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën.

Por edhe nëse merr apo nuk merr pjesë në zgjedhjen e Presidentit, opozita jashtë Berishës duhet të lëvizë gurët, pikërisht mbi problemin që e ka zënë atë që nga 19 maji 2021-pra Non Grata e SHBA-së dhe ajo që është shtuar nga Partitë Popullore Europiane.

Përveç strukturave lokale e qëndrore që kanë mbijetuar nga agresioni i Berishës, PD mund të thërrasë një asamble konstituente më shumë këshilluese në fillim, ku të hidhen bazat e një opozite të re.

Një asamble konstituente ku të thirren që të gjithë politikanët e larguar nga Berisha e Basha në vite, po sigurisht emra të rinj që dihen dhe janë anonçuar si mbështetës të opozitës. Kuvend që mund të shërbejë si një fabrikë idesh dhe rrugësh për “gjënë e re” që duhet të dalë në politikën shqiptare për të rrëzuar statusquonë. Natyrisht nëse duan që kjo “gjë e re” të ketë bazat tek opozita që u themelua në dhjetorin e vitit 1990. 

Takimi me fraksionin apo partinë e Sali Berishës është vërtetuar se nuk ndodh, madje edhe nuk e dëshiron vetë njeriu që e ka bllokuar për 30 vjet procesin politik brenda së djathtës, thjesht për interesa të ngushta të tijat dhe grupit që e mbështet. Që e tregoi edhe kur nuk afroi ata opozitarë anti-Basha, të cilët kërkuan ta përdornin doktorin si trampolinë për karrierën e tyre.

Nëse dëshiron realisht, është Grupi 35 që duhet të Rithemelojë Partinë Demokratike, pasi siç e tregoi koha, Sali Berisha thjesht rithemeloi grupin e tij të besnikëve…TemA

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?