Sot është përkujtuar pa shumë bujë një përvjetor, që është mjaft bazik për Shqipërinë. E që jo rastësisht, datën e hyrjes në fuqi e ka më 28 nëntor, pikërisht ditën e shpalljes së Shqipërisë-shtet.
Bëhet fjalë për dokumentin themeltar apo zemrën e një shteti, e cila këtë vit bën fiks 25 vjet nga hyrja e saj në fuqi.
Kushtetuta që ne kemi në fuqi u miratua në vitin 1998 nga shumica dërrmuese prej 2/3 e socialistëve në Kuvend, por ajo nuk u hartua vetëm nga socialistët, apo u vulos vetëm nga të majtët.
Por historia nuk mund të jetë e plotë, pa treguar atë që ka ndodhur para 28 nëntorit 1998, kur Presidenti i atëhershëm i Republikës, Rexhep Meidani, firmosi dokumentin themeltar të shtetit shqiptar.
Shqipëria hyri në dhjetorin 1990 me një Kushtetutë të vitit 1976, e cila jo vetëm që ndalonte partitë e organizatat, apo bizneset private, por shpalli ndoshta të vetmin vend ateist në botë.
Në fund të shkurtit 1991, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, Ramiz Alia, ngriti thuajse në mënyrë ekstra ligjore një “Këshill Presidencial” i cili sheshoi dhe rrëzoi të gjithë institucionet e shtetit komunist. Shumë jurist të kohës, e quajtën madje edhe grusht shteti. E shenjat e një grushti i kishte, pasi një “juntë jo ushtarake” drejtonte gjithçka në vend.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, PPSH fitoi 2/3 e Kuvendit dhe tentoi menjëherë që të bënte vendin me Kushtetutë. Draftin e kishte thuajse gati, të cilin e kishin hartuar mendjet më të zgjuara të jurispridencës që ishin akademikë e profesorë të fakultetit Juridik. Ai draft ishte pak a shumë Republika që u instalua më pas, por si gjithmonë “djalli fshihet në detaje”. Opozita e hodhi poshtë menjëherë, pasi sipas saj, shumë struktura të shtetit komunist duke nisur nga famëkeqi Sigurimi i Shtetit, jo vetëm nuk shkriheshin, por ristrukturoheshin. Neritan Ceka, Aleksandër Meksi, Arben Imami, Genc Ruli, Abdi Baleta, ishin deputetët kryesorë të opozitës shqiptare që argumentuan pse nuk duhet të miratohej drafti që Ramiz Alia solli në Parlamentin e parë jo komunist të Shqipërisë. Kishte fjalime e argumente të nivelit të lartë, pa bërtitje, por vetëk fakte dhe elokuencë.
Edhe Sali Berisha ka folur atëherë, ishte aktiv, por jo në nivelin e emrave të mësipërm. PPSH u zbraps nga ideja që të bënte Kushtetutën e saj, madje pranoi idenë e Partisë Demokratike, që vendi të kishte përkohësisht një Kornizë Kushtetuese me nenet bazë që u quajtën Dispzitat Kryesore Kushtetuese. Ku jepeshin parimet bazë të Republikës Parlamentare. Kjo kornizë ishte një dokument thuajse bipartisan, pork u rolin më të madh e luajti Partia Demokratike, që futi thuajse shumicën e parimeve që mbështeste, edhe pse nuk kishte numrat. Mazhoranca e pranoi, dhe ky dokument ishte i pari që krijoi kushtet e një kohezioni politik në Shqipëri.
Pasi PD fitoi zgjedhjet një vit më vonë më 22 mars 1992, Sali Berisha, para se të zgjidhej President i Republikës ndryshoi Dispozitat Kushtetuese, duke rrëzuar parimet bazë të opozitës kur u miratua dokumenti. Berisha brenda natës ndryshoi Kornizën, ku hoqi nenin që Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë udhëheqës i një partie politike. Pra e preku Kushtetutën bazë në zemrën e saj. E këtu, Sali Berisha, nga një pjesë e madhe e opozitës u quajt një despot.
E dihet tani historia e kundërshtive në PD, që nisën pikërisht nga ky akt. Por Berisha, pasi u zgjodh President dhe grumbulloi të gjitha pushtetet në duart e tij shtypi çdo kundërshtim. Dy vjet më pas Sali Berisha tentoi të bëjë vendin me Kushtetutë, duke sjellë në Kuvend një draft të tij, si Ramiz Alia në 1991-shin. Por ndryshe nga Alia që u tërhoq pas kërkesave të opozitës, Berisha nuk pranoi. Në këtë kohë, aleatët e PD-së e braktisën. Që nga Gjinushi i PSD-së apo edhe Godo i Partisë Republikane. Sali Berisha humbi shumicën për ta miratuar Kushtetutën në Parlament, e në mënyrë absurde e çoi në referendum, pa e kaluar në legjislativ.
Referendumi u zhvillua më 6 nëntor 199. Shumica e popullit e rrëzoi projektin e Sali Berishës, duke i dhënë një mesazh të qartë, se pikërisht atë ditë ai kishte humbur kurorën e liderit të së djathtës. Berisha u fsheh për disa ditë, por më pas doli duke justifikuar se ajo pjesë që kishte votuar pro që e quajti lokomotiva, ishte më e madhe se e gjithë pjesa që kishte votuar kundër. Pra theksoi se nuk ishte më shumicë absolute, por relative.
Gjithsesi, eventet shkuan për dreq. Në PD doli kundër edhe kryetari i saj de jure Eduard Selami dhe Zv.kryeministri Dashamir Shehi, që i kërkuan Berishës reflektim nga referendum dërrmues. Doktori s’pranoi dhe Selami u largua në SHBA. Erdhi 1996-a, ku zgjedhjet u shkatërruan, tmerri i 1997-s dhe zgjedhjet që i fituan socialistët.
Menjëherë, PS shprehu vullnetin për të hartuar Kushtetutën e re. Sali Berisha e bojkotoi procesin. PS me dinakëri vuri bashkëkryetarë të komisionit të hartimit të Kushtetutës dy të djathtë: Sabri Godon dhe Arben Imamin. Dokumenti u mbështet me asistencë edhe nga amerikanët e europianët, e sidomos kokat e Komisionit të Venecias. Berisha nuk e pranoi deri ditën e fundit, madje sfidoi mazhorancën, duke i bërë thirrje votuesve të PD-së që të mos merrnin pjesë në referendum. Në të cilin doli më shumë se 50 përqind e zgjedhësve që kishin votuar një vit më parë në zgjedhjet parlamentare.
E si në zgjedhjet e vitit 1997 nuk se 2/3 e shqiptarëve ishin me PS-në, por aq ishin kundër Sali Berishës. E kjo pjesë që prej vitesh quhet “elektorati gri”, është ajo pjesë që refuzon Sali Berishën si lider i së djathtës. Në çdo zgjedhje apo referendum, kjo pjesë, edhe pse nuk e do PS-në, pranon të bashkohet me të në raste të rëndësishme siç është Kushtetuta, edhe kundër atij që e konsiderojnë si zaptues i fronit të liderit të së djathtës shqiptare./Tema